
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka konstatuar 234 subjekte që kanë shkelur ligjin duke kryer evazion fiskal. Kontrollet e ushtruara përgjatë muajit prill në terren nga inspektorët e kësaj drejtorie, në sektorë si ndërtimi dhe transporti, kanë nxjerrë në pah një seri shkeljesh specifike për secilin sektor. Sa i përket sektorit të ndërtimit, nga ana e Tatimeve konfirmohet se kontrolli është kryer në 40 subjekte dhe se gjatë këtij kontrolli janë vënë re një sërë shkeljesh. Së pari, në këto kompani kishte mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor të tatimpaguesve, që kishin të bënin më preventivin e punimeve në objekte, librezat e masave, analizat e çmimeve, të cilat reflektoheshin qartë në raportimet e detyrimeve tatimore mujore. Aktualisht janë nën verifikim 150 nënkontraktorë dhe nga ana tjetër po verifikohen edhe një mijë punonjës që u evidentuan në momentet e kontrolleve. Nga kontrollet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë hasur shkelje të shumta edhe në sektorin e Transportit. Subjektet kanë abuzuar me mospërdorimin e biletës tatimore apo futjes në qarkullim të biletave që DPT nuk i ka miratuar. Mosdeklarimi i të punësuarve është një tjetër shkelje e hasur në transport. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shprehet se kontrollet do të vijojnë dhe se gjatë prillit eficienca në mbledhjen e të ardhurave ka qenë e lartë, “duke mbledhur 360 milionë lekë të ardhura më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, gjithashtu duke përmbushur edhe targetin për TVSH-në për 4-mujorin, në masën 100.7%, dhe 121% për muajin prill, si dhe realizimin në masën 99% për 4-mujorin, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në vlerë rreth 913 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.











