Tapitë në tokat e ish NB-ve, maxhoranca miraton ligjin

May 16, 2012 | 14:24
Dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miraton vetëm me votat e PD-së ligjin e ri “Për plotësimin e dokumentacionit të pronësisë së përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”. Në mbledhjen e zhvilluar me dy seanca, paradite dhe pasdite, opozita nuk mori pjesë në votim për shkak se deputetët e saj ishin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së. Ligji i ri synon që të përfundojë procesin e dhënies së tapive për të gjithë personat që kanë marrë tokë bujqësore në pronësi dhe që nuk kanë ndryshuar gjendjen civile. Sipas ndryshimeve të bëra në mbledhjen e djeshme të Komisionit u vendos që i gjithë procesi të përfundojë më 1 tetor të vitit 2013. Gjatë mbledhjes së paradites, deputetët e opozitës u shprehën se ligji vendos dy standarde për ata që kanë qenë në tokat bujqësore deri në vitin 1992 dhe ata që sot nuk e kanë ndryshuar gjendjen civile. “Njëzet për qind e njerëzve që jo për faj të tyre, por për faj të shtetit, nuk e kanë kaluar aktin e marrjes së tokës nga përdorimi në pronësi në këtë formë, u hiqet kjo e drejtë atyre që kanë lëvizur dhe nuk e kanë më gjendjen civile. Kemi raste kur e kanë përfituar edhe e kanë shitur të tjerët që në vitin 1992 kanë qenë atje dhe sot nuk janë. Mos e lidhni me kushtin që sot vazhdojnë të punojnë atje. Ligji bazë kërkonte gjendjen civile të 1992-shit. Nuk po ua hiqni tokën atyre që kanë banuar në vitin 1992 dhe sot nuk janë më atje dhe që kanë kryer transaksione, ose janë këtu dhe gjendjen civile e kanë në fshat”, u shpreh Ligori. Ndërsa deputetja socialiste, Ermonela Felaj, tha: “Ka dy nonsense këtu. E para është që përfitues të tokës bujqësore sipas këtij formulimi janë edhe familjet bujqësore, të cilat e kanë marrë tokën në pronësi sipas vendimit 452. Nëse e ka marrë në pronësi, çfarë kalimi në pronësi do t’i bësh ti sot? Nonsensi tjetër është që ti nuk mundesh pas 30 vjetësh t’i thuash fshatarit që ti për 30 vjet nuk duhet të lëvizësh. Do të ishte më logjike t’ia thoshe në vitin 1992 këtë”. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, theksoi se ligji që paraqitet nga qeveria nuk i ndryshon procedurat, por vetëm i mbyll ato. Sipas tij, “ligji bazë ka përcaktuar kategoritë e përfituesve në mënyrë precize, ka përcaktuar edhe rrethanat në të cilat ata përfitojnë. Jeta ka përcaktuar se jo të gjithë këta persona kanë përfituar në bazë të ligjit bazë. Janë ndarë në dy skuadra: ajo që i ka rregulluar çështjet në bazë të ligjit bazë dhe skuadra që nuk i ka mbyllur procedurat. Ky ligj kërkon mbyllje procedurash. Ky ligj nuk pretendon ta marrë të gjithë skuadrën që nuk ka mbyllur procedurat dhe ta fusë në fushë, sepse është e pamundur objektivisht. Kërkon që nga kjo skuadër që nuk ka mbyllur procedurat të merren të gjitha ato subjekte për të cilat kjo gjë është e mundshme dhe të mbyllë procedurat. Për këtë përcakton kushtet dhe procedurat në këtë ligj”. Neni më i debatuar ishte ai që ka të bëjë me përfituesit e tokës bujqësore, ku thuhet: “Përfitues janë familjet bujqësore apo individët sipas vendimit të qeverisë të 1992-shit ‘Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore’, që në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë banorë të komunës apo bashkisë”.

Debati në Komisionin e Ligjeve
Shega Ligori:
A nuk krijohet pabarazi që 80 për qind e njerëzve kanë banuar në vitin 1992, sot mund të mos jenë atje, e kanë shitur tokën, ose e kanë tokën, gjendjen civile s’e kanë ndryshuar, por atje nuk janë realisht? Pra, 20 për qind të këtyre njerëzve që rregullohen me këtë ligj, me atë 80 për qind që rregulloheshin me ligjin tjetër, duke i mbajtur të lidhur deri më sot me gjendjen civile, nuk krijoni dy standarde dhe nuk zbatoni kriteret e ligjit bazë? Ne s’mund të shpikim kritere të reja këtu.
Ilir Rusmali: Ligji bazë ka përcaktuar kategoritë e përfituesve në mënyrë precize, ka përcaktuar edhe rrethanat në të cilat ata përfitojnë. Jeta ka përcaktuar se jo të gjithë këta persona kanë përfituar në bazë të ligjit bazë. Janë ndarë në dy skuadra: ajo që i ka rregulluar çështjet në bazë të ligjit bazë dhe skuadra që nuk i ka mbyllur procedurat. Ky ligj kërkon mbyllje procedurash. Ky ligj nuk pretendon ta marrë të gjithë skuadrën që nuk ka mbyllur procedurat dhe ta fusë në fushë, sepse është e pamundur objektivisht. Kërkon që nga kjo skuadër që nuk ka mbyllur procedurat të merren të gjitha ato subjekte për të cilat kjo gjë është e mundshme dhe të mbyllë procedurat. Për këtë përcakton kushtet dhe procedurat në këtë ligj.
Shega Ligori: Jam e qartë me shpjegimet e Rusmalit me gjithë skuadrat e futbollit.
Ilir Rusmali: Merre edhe basketbolli ose volejbolli po të duash.
Shega Ligori: Këta individë nuk kanë përfituar në bazë të VKM-së 452, megjithëse pika 4 thotë se toka për të dyja rastet ndahet për familjet që kanë qenë më 1 gusht 1991. Nuk ka qenë faji i këtyre që nuk kanë e përmbyllur këtë proces. Ju po ndërhyni në kundërshtim me frymën.
Ilir Rusmali: Po futesh edhe ti në fushë avash-avash.
Shega Ligori: Aman, të lutem, na lër të punojmë meqë na fute në fushë.
Ilir Rusmali: Hajde Shega, bëj gol tani, bëj gol Shega, gjuaje topin.
Shega Ligori: Tani ma lër ta gjuaj.
Fatos Hoxha: Këta nuk kanë lexuar asnjë rresht. T’u japim 10 minuta kohë ta lexojnë të paktën se po humbasin sensin e këtij ligji. Ky ligj nuk do as të marrë, as të shesë, as të presë. Ky ligj do t’i plotësojë me dokumente.
Shega Ligori: Jo, jo, nuk është ashtu. Ca do trajtohen si të nënës, ca si të njerkës.
Fatos Hoxha: Ej, çfarë ke hëngër ti sot mi? Pusho moj se po flas unë. Ky ligj po i bën me dokumente të rregullta ata që i kanë.
Ilir Rusmali: Shega po krijon një panik të paparë, nuk ka ndodhur kurrë me ty kjo. Zonja Felaj, e kanë marrë me vendim qeverie.
Shega Ligori: Jo, jo, nuk është sipas vendimit 452.
Fatos Hoxha: E kanë tokën dhe po bëhen me dokumente.
Ilir Rusmali: Ej, pushoni, ju ka kapur sëmundja juve sot.
Ilir Rusmali: E tmerrshme. Fatos, të lutem. Zonja Ligori, nëse të vjen një sugjerim nga kolegët dhe të thotë që nuk ke kuptuar asgjë nga ligji…
Shega Ligori: A ka mundësi të mos ofendosh?
Ilir Rusmali: E tmerrshme! Më dëgjo pak mua.
Shega Ligori: E kam kuptuar shumë mirë madje.
Ilir Rusmali: Po më dëgjo një fjali, moj ti.
Shega Ligori: Vendimi 452 thotë që ata duhet të jenë në fshat deri në vitin 1992 dhe jo të qëndrojë në fshat për 30 vjet. Mirë, po mos bërtit.
Ilir Rusmali: Po kemi gjysmë ore që po të lutemi, o ti.
Vasilika Hysi: Kam një amendament, por mos më ndërprisni.
Fatos Hoxha: Po ia fut kot, lexoje ligjin.
Vasilika Hysi: Zoti Fatos, nuk është faji im që ju nuk jeni specialist.
Fatos Hoxha: Kush t’i ka dhënë gradat ty?

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura