Tani Himalaja është më afër

May 27, 2012 | 11:18

YMER MINXHOZI

Të gjithë e vlerësojmë me ndjenjë krenarie kombëtare suksesin e shkëlqyer të grupit të alpinistëve shqiptarë, të udhëhequr nga Gjergj Bojaxhi, të cilët tashmë kanë hyrë në listën e atyre njerëzve të paktë të planetit që kanë arritur të “pushtojnë” majën më të lartë të lëmshit tokësor. Asnjëherë nuk kam shkruar për evenimente sportive, por këtë fitore të alpinistëve tanë sikur e perceptoj më nga afër. Ndoshta kjo vjen ngaqë në rininë time kam pasur rastin të kaloj një muaj të tërë endjesh nëpër luginat dhe qafat e vargmaleve tibetjane, në “këmbët” e Himalajës.  Kujtimet e atij udhëtimi mua më ngacmojnë edhe sot, pas gati gjashtëdhjetë vjetësh. Nuk e harroj kurrë atë mëngjes të 22 korrikut 1965, kur para se të zbrisnin në Aeroportin e Lhasës, stjuardesa na bëri paralajmërimin e padëgjuar ndonjëherë:
“Ju lutemi, kini kujdes e zbrisni shumë ngadalë. Kontrolloni çdo lëvizje, mos bëni asnjë sforcim, flisni me zë të ulët dhe sa më pak që të jetë e mundur”.
Përse u dashka folur pak dhe me zë të ulët? A thua na tremben malet?
Tani jemi nën pushtetin e “sëmundjes së maleve”, më shpjegon përkthyesi im Li, që po më shoqëron që nga Pekini. Mjeku që ka dalë të na presë këtu në aeroport më tha se “tani që sapo kemi zbritur, secili prej jush peshon 2 kilogramë më pak. Shenjat e tjera, ‘të sëmundjes së maleve’ do t’i ndiejmë pak më vonë”.
Në horizontin e largët ngre krye masivi me një emër poetik “Minia Konka”, 7900 metra mbi nivelin e detit. “Minia Konka është motra e vogël e Himalajës”, më thotë kryeredaktori i gazetës lokale që ka dalë të na takojë në aeroport. “Kjo do të thotë se Himalaja paska edhe motër më të madhe”, i them unë. “Po, ashtu është, – më përgjigjet mikpritësi, – kur të shkojmë në rajonin Lloka, krahinë që shtrihet deri në këmbët e Himalajës, kufi me Indinë, do të shohim edhe ‘motrën e madhe’, Cogorin, 8611 metra të lartë”. Prej aty do të mund të shihej edhe maja e Everestit, direkt pa dylbi, por na pengojnë majat e maleve më të afërta që na ndjekin në varg gjatë gjithë kohës. Atë mbrëmje në Lloka shkrova në ditarin tim të datës 11 gusht këto vargje:
Himalanë e kam përkarshi-këndej humnerë, andej lartësi.
Retë nuk ngjiten gjer atje lart (veç në të rrallë).
Maja e Himalajës mbi re – botë në përrallë.
Mali me katër teta, por është shumë larg.
Dielli dhe Hëna dalin nga akujt.
Atje kanë selinë edhe Orakujt.
Malet me kostume atllasi vështrojnë përpjetë
Dhe vallëzojnë në fushën qiellore, me partnere retë.
Mëngjesi atje lart kurrë s’perëndon.
Nata është e përhershme, poshtë ka Hon.
Kryeneçja Himalajë – kjo hundëpërpjeta.
A do sundojë Qiellin, sa të jetë jeta?
Ndërsa udhëtojmë për Shigaxe – kryeqendra e dytë e Tibetit – rruga automobilistike kalon nëpër lartësi mbi 5000 metra dhe secili prej nesh ka bombolën “e tij” të oksigjenit. Ndjehet tharja e lëkurës së fytyrës dhe duarve, vështirësia në frymëmarrje, pulsi rreh dyfish, thonjtë mund t’i thyhesh me duar, boja në stilograf është kthyer në pluhur, kur zbret nga makina e ke shumë të vështirë të kontrollosh hedhjen e hapave…
I them të gjitha këto për të kuptuar se çfarë stërvitjesh duhet të kenë përballuar të rinjtë tanë për të mposhtur “sëmundjen e maleve” dhe për t’u ngjitur në lartësitë dy herë me të mëdha nga ato që pata rastin të provoja unë gjatë udhëtimit në çatinë e botës.
Himalaja, gjatë shekujve, ka njohur edhe triumfues të tjerë nga vende të ndryshme të botës, por, më shumë akoma, ajo ka njohur dështime të ekspeditave apo individëve të veçantë që kanë përfunduar edhe me tragjedi. Në qoftë se nga rajonet e Llokas majat e bardha të Everestit në sfondin e qiellit blu më tërhiqnin vetëm si një legjendë e bukur, si një ëndërr, tani që shqiptarët u ngjitën deri atje, të gjithëve ne çatia e botës na duket më afër, më e kapshme, më reale.
Ekipi i gjashtë entuziastëve shqiptarë, të udhëhequr nga biri i alpinistit të njohur Aleksandër Bojaxhi, meriton një pritje të veçantë për guximin dhe mjeshtërinë në përballimin e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm drejt reve. Adhuruesit e sportit të bukur të alpinizmit tani presin me të drejtë një libër kushtuar peripecive të ngjitjes në kulmin e “çatisë së botës”.

© Panorama.al

Te lidhura