Qeveri miratoi pa asnjë ndryshim aplikimin e taksave dhe tatimeve të tjera për të gjitha automjetet në vend.Në mbledhjen e djeshme, kreu i qeverisë e quajti revolucion fiskal heqjen e doganës dhe taksën e shitjes brenda vendit për makinat. Duke argumentuar se mjedisi është prioritar për qytetarët e vendi, Berisha nënvizoi se do të ketë një taksë tjetër mbi karburantin, taksë që do të zëvendësojë taksën aktuale të qarkullimit. Sidoqoftë, projekti i famshëm i taksave të reja të makinave, dje kaloi edhe hallkën e qeverisë. Tani pritet që qeveria ta kalojë në Kuvend dhe ky i fundit ta miratojë brenda korrikut. Sipas parashikimit, ligji i ri do të bëhet funksional në shtator.
Çfarë po ndryshon
Për makinat ndryshojnë të gjitha taksat. E para, hiqet taksa e importit dhe e shitjes brenda vendit. Me miratimin e paketës së re fiskale, të gjitha makinat që do të importohen, nuk do të paguajnë më doganë. Edhe makinat që do të shiten brenda vendit, nuk do të paguajnë më taksë.
Hiqet taksa e regjistrimit të përvitshëm. Aktualisht, kjo taksë paguhej një herë në vit dhe kushtonte 2 400 lekë. Me miratimi e paketës së re fiskale, kjo taksë bëhet zero.
Do të aplikohet taksë e re e qarkullimit. Aktualisht, taksa e qarkullimit varion nga 7 mijë lekë në vit për makinat me benzinë, në 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë. Në paketën e re fiskale, taksa e qarkullimit nuk do të paguhet një herë në vit, por do të shtohet në çmimin e karburantit. Pas miratimit të ligjit, tasa e qarkullimit do të shtohet me 5 lekë/litër në çmimin e karburantit. Kjo, deri në fund të vitit. Me fillimin e vitit 2012, taksa e qarkullimit bëhet 7 lekë/litër.
Shtohet taksa e re e makinave të përdorura. Kjo taksë do të paguhet një herë në vit dhe llogaritet me formulën që penalizon makinat e vjetra dhe me naftë. Formula është: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 20 për benzinën dhe 25 për naftën. Koeficienti për vjetërsinë aplikohet pas vitit të tretë dhe fillon me 1.18. Koeficient shtohet me 0.01 deri në vitin e 10-të dhe me 0.04 pas vitit të 10-të të prodhimit të mjetit.
Berisha
Duke u ndalur te taksa e makinave, kreu i qeverisë tha se heqja e taksë së importit dhe shitjes e bën të domosdoshme vendosjen e tarifës mbi karburantet. “Kjo është jetike dhe nuk është absolutisht për buxhetin, por për të mbrojtur mjedisin. Taksa e karbonit e tëra, përveç pjesës që mund t’i mbetet qeverisë vendore, do të kalojë për mbjelljen e drurëve frutorë.” Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka saktësuar se nga ndryshimet nuk do të preken të ardhurat e bashkive. “Ka një ristrukturim të taksës së qarkullimit, taksës së regjistrimit të automjeteve, por qeverisë vendore do t’i mbetet 20 për qind e këtyre taksave nga buxheti i shtetit.”
Ndryshimet
-Hiqet taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit).
-Hiqet taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve.
-Aplikohet taksa e re e qarkullimit. Kjo taksë do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër.
-Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.
-Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koefiçientët për vjetërsisë, për tre vitet e para janë 0. Pas vitit të tretë, fillon me 0.18 dhe shtohet me 0.01 për çdo vit vjetërsie. Pas vitit të dhjetë, shtesa për çdo vit bëhet 0.04.
Shembujt e ndryshimit
Sa kushton sot
Një person importon sot një makinë me naftë, viti i prodhimit, 2000, me kubaturë 2200 kubike. Aktualisht, për importin e kësaj makine ai duhet të paguajë taksën e makinave të përdorura. Kjo taksë llogaritet duke shumëzuar cilindratën me taksën fikse të naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) dhe me koeficientin e vjetërsisë, (0.5 për çdo vit nga data e prodhimit). Në rastin tonë do të kishin 2200 (cilindrata) x 25 (taksa për naftën) x 5.5 (koeficienti për 11 vite vjetërsi). Në total, personi do të paguante 302500 lekë si taksa të makinës së përdorur në import. Nga ana tjetër, ky person do të paguante 2400 lekë në vit si taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë në vit si taksë qarkullimi.
Sa do të kushtojë
Në rast se ky person do të importojë të njëjtën makinë, pasi të miratohet dhe të hyjë në fuqi paketa e re fiskale, ai do të paguajë shumë më pak para. Kështu, taksa e importit të makinave të përdorura hiqet. Pra, ai nuk do të paguajë doganën e makinës, që në këtë rast ishte 302500 lekë. Nuk do të paguajë gjithashtu edhe taksën e regjistrimit prej 2400 lekësh në vit, pasi kjo taksë hiqet. Taksën e qarkullimit nuk do ta paguajë një herë në vit me një shumë 10 mijë lekë, por do ta ndajë sa herë që furnizon makinën me karburant, duke paguar 5 lekë shtesë për çdo litër. Por, do të paguajë një taksë të re (taksa vjetore e mjeteve të përdorura.) Kjo taksë llogaritet me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koefiçientët për vjetërsisë, për tre vitet e para, janë 0. Pas vitit të tretë fillon me 0.18 dhe shtohet me 0.01 për çdo vit vjetërsi. Në rastin tonë do të kishim 2200 (cilindrata) x 25 (taksa për naftën) x 0.32 (koeficienti për 11 vite vjetërsi). Në total do të paguajë 17600 lekë në vit.












