Taksat, Bregasi: Mirëkuptojmë Fmn, por mbështesim qeverinë

Jul 1, 2011 | 9:32

Biznesi është dakord që të paguajë më shumë taksa vetëm që vendi të ketë një barrë fiskale të ulët.Në një deklaratë të bërë dje për mediat, duke marrë shkas nga debati qeveri-FMN, presidenti i BiznesAlbania, Luan bregasi, u shpreh se presidentë të tjerë të shoqatave të ndryshme të biznesit në vend ndajnë mendimin që vendi ynë duhet të ecë me një politikë fiskale të ulët, por me filozofinë e zgjerimit të bazës së tatimpaguesve. Sipas Bregasit, një vendi në zhvillim si Shqipëria do t’i interesonte të ecte në kursin e taksave të ulëta, për të rritur mundësinë dhe interesin e investimeve të huaja e të sipërmarrjes vendëse. “Së dyti, kjo edhe për të ulur shkallën e informalitetit në ekonomi, i cili është ende shumë i lartë në Shqipëri, pavarësisht një realiteti që sipërmarrja gjithmonë e më shumë po i largohet kësaj rruge dhe po hyn në rrugën e bilancit, në rrugën e integritetit, në rrugën e deklarimit. Nga kjo pikëpamje, unë dëshiroj që të mbështesim filozofinë dhe t’ia bëjmë të ditur qeverisë që ne jemi ‘OK’ me mendimin e saj dhe dëshirojmë të vazhdojmë të ecim me këtë politikë. Pra, me paketë fiskale të ulët dhe me bazë të gjerë tatimpaguesish”, tha Bregasi. Presidenti i BiznesAlbania, lidhur me sugjerimet e FMN-së për të ndjekur ose rregullin e uljes së shpenzimeve, ose rregullin e rritjes së taksës së sheshtë në 12-15 për qind nga dhjetë që është, u shpreh se biznesi është i gatshëm të presë një propozim lidhur me taksat. “Ne e mirëkuptojmë edhe FMN-në, e cila ka përgjegjësinë e monitorimit të buxhetit të shtetit, për shkak të vrojtimeve që ka bërë Banka Botërore, por gjithsesi në këtë situatë të vështirë ekonomike duhet që biznesit t’i ballafaqohet në treg një paketë me taksa me të larta sesa ato që jemi tani”, u shpreh Bregasi.

Rekomandimet e FMN

Për pagat
Interesat, pagat dhe transfertat përbëjnë më shumë se dy të tretat e çdo leku që qeveria mbledh në taksa dhe tarifa. Nëse shpenzimet kapitale do të mbahen në nivelin aktual të PBB-së, pagat dhe transfertat do duhet të indeksohen vetëm me inflacionin.

Për taksat
Norma mjaft e ulët e taksës së sheshtë mund të rritet pa rrezikuar pozicionin konkurrues të Shqipërisë. propozojmë, rritje të taksës së sheshtë në 12-15 për qind nga dhjetë që është.

© Panorama.al

Te lidhura