
Kreu socialist takon në Austri sekretarin e Shtetit për Financat
Kreu socialist, Edi Rama, mori dje në Austri mbështetje për sistemin progresiv të taksimit. Në takimin që zhvilloi me sekretarin e Shtetit të Austrisë për Financat, Andreas Schieder, Rama gjeti përkrahje për pikat e programit në çështjet e taksimit. “Sot ne folëm për ekonominë, në veçanti në lidhje me krijimin e një sistemi taksimi më të favorshëm e më të drejtë. Unë besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe u merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm; kjo do të thotë: taksa progresive; çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital etj.; kjo sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet, por të qëndrojë e bashkuar. Kjo është e rëndësishme. Mendoj që është e rëndësishme si për Austrinë, ashtu edhe për Shqipërinë, dhe, duke qenë se kemi marrëdhënie shumë të mira, ideja është që të diskutojmë më tej mbi shkëmbimin e njohurive, shkëmbimin e ideve, shkëmbimin e eksperiencave mbi se si do të krijojmë një sistem taksimi të drejtë e të favorshëm, që gjithashtu mbështet rritjen ekonomike e punësimin. Ky është një debat që po ndodh tashmë në nivelin europian dhe unë jam i lumtur që në të ardhmen e afërt do ta thellojmë këtë debat edhe me miqtë tanë në Shqipëri”, u shpreh pas takimit me Ramën sekretarin e Shtetit të Austrisë për Financat. Kreu socialist u prit dhe nga një grup deputetësh të SPO, të kryesuar nga sekretarja e Grupit Parlamentar Socialist për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet me Europën, Christine Muttonen. Në takim ishin po ashtu të pranishëm edhe sekretarët për çështjet e edukimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe turizmit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i informoi përfaqësuesit e grupit parlamentar socialist austriak mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi ecurinë e vendit tonë në rrugën e integrimit europian. Duke u ndalur në këtë çështje të rëndësishme, Rama u kërkoi deputetëve austriakë një mbështetje sa më të gjerë për Shqipërinë në proceset integruese, duke i siguruar ata po ashtu mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ndihmuar maksimalisht në përmbushjen e të gjitha kritereve në funksion të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama i njohu deputetët austriakë edhe me programin e ri të PS, “Për një Rilindje Shqiptare”. Rama u ndal veçanërisht në risitë që ky program sjell për ekonominë, shoqërinë, demokracinë, por edhe për objektivin madhor të PS për ta ribashkuar Shqipërinë me Europën. Sfida, veçanërisht të rëndësishme, quajti Rama garantimin e funksionimit normal të shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve, që sot, si në rastin e prokurores së Përgjithshme, janë gjithmonë e më shumë nën një sulm të hapur dhe të turpshëm të qeverisë shqiptare.
Takim me Vranickin
Kryesocialisti, në vijim të takimeve të tij me të majtët austriakë, takoi dhe ish-kancelarin austriak, Franc Vranicki. “Një takim sa për të shkuarën, aq dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit”, shprehet Rama në përshtypjet e tij për këtë takim. Ish-kancelari austriak Vranicki, me idetë dhe qëndrimet e tij është cilësuar nga kryetari Rama si “shumë inkurajues për programin e Partisë Socialiste”.
Ekspertë austriakë për programin e PS
Sekretari i Shtetit të Austrisë për Financat, Andreas Schieder, gjatë takimit që zhvilloi me Edi Ramën, ofroi mbështetje të ekspertëve austriakë në fushën e financave publike për programin e ri të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”. Ndërsa tre lektorë austriakë për të majtën, taksat, Europa, do të jenë temat e Akademisë Politike të PS-së. Kryesocialisti ka zhvilluar dje pasdite një bashkëbisedim prej dy orësh në EU House me një audiencë të interesuar shqiptarësh që jetojnë në Vjenë e ku në qendër të takimit ishte programi i ri i PS.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











