
Konflikti i krijuar mes komunës Dërmenas në Fier dhe Parkut Arkeologjik të Apolonisë për taksimin e dyfishtë të vizitës së qytetit antik ka vënë në lëvizje prefekturën e qarkut Fier.
Prefekti Robert Bitri ka deklaruar se do të ulë në një tryezë të dyja palët pretenduese, për të gjetur një rrugë të mesme dhe efikase. “E kam njohur konfliktin dhe më ka ardhur para ca ditësh një shkresë nga palët. Do t’i ul në një takim dhe do të bëj atë që është më e drejtë”, u shpreh prefekti. Ndërkohë edhe pse shqetësimi është bërë publik nga palët, sërish po vazhdon e njëjta situatë. Të dyja institucionet i ndalojnë vizitorët në territoret e tyre nëse nuk paguajnë paratë. Për të shkuar në Parkun Antik kushton plot 500 lekë. Në fillim, sapo del nga fshati Pojan, qëndrojnë dy punonjës të komunës që kërkojnë taksë prej 200 lekësh për çdo automjet. Vetëm 200 metra më lart, del postblloku tjetër që kërkon 300 lekë, taksë që kërkohet nga punonjësit e shërbimit të Parkut të Apolonisë. Të dyja palët sjellin argumente sipas interesit të tyre, duke pretenduar se kanë të drejtë. Kreu i komunës Dërmenas, Viktor Fasko, këmbëngul se ia ka dhënë të drejtën ish-prefekti Bujar Hasaj, ndërsa drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali, shpreson që gjithçka të sqarohet dhe shpresën e ka tek prefektura. “Kjo është një taksë e miratuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ne e kemi të parashikuar dhe me këto të ardhura shpërblejmë shërbimet apo punonjësit”, ka deklaruar Haxhimihali. Kryekomunari Fasko thotë se taksa që kërkohet është e ligjëruar nga prefektura pas miratimit të këshillit të komunës Dërmenas.
“Për këtë taksë po zbatohet vetëm ligji. Vendimi ishte marrë disa vite më përpara se unë të vija në krye të komunës, por ata të parët nuk e kishin kërkuar dhe për këtë nuk është faji im. I dua këto para që të investoj në infrastrukturë, pasi rruga për këtu është shumë e amortizuar”, ka vijuar ai. Fasko shprehet se është i detyruar, pasi edhe auditi i prefekturës ia ka quajtur shkelje ligjore mosmbledhjen e taksës në fjalë deri tani. Por ky problem nuk mbetet thjesht institucional. Tanimë shumë turistë janë të detyruar të paguajnë një shumë për të cilën janë të papërgatitur, çka duket se do t’i sjellë dëm turizmit arkeologjik të kësaj zone, e cila shpalli zyrtarisht të hapur sezonin më 1 maj.
FIER/ MAJLINDA RAMA











