
Dritan Prifti: “Berishës po i përgatitet mocion”. PS drejt bojkotit për Presidentin, Rama: Po na blejnë deputetët.
Deputeti i pavarur: Meta po ikën nga e majta.
Kanë ardhur tek unë për mocion ndaj Berishës, nuk e kam problem të votoj Topallin Presidente”
Deputeti Dritan Prifti nuk përjashton mundësinë që të bashkojë votën me PD-në dhe të jetë i 71-ti në Kuvend në zgjedhjen e Presidentit. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “News24”, ai flet edhe për takimet Rama-Meta.
A u befasuat nga takimi i Metës me Ramën apo e prisnit?
Unë nuk jam befasuar fare. E dija që do ndodhte.
Në ç’rrethana?
Në qoftë se je në politikë, nuk tregohen gjithmonë burimet. Një ditë më mbrapa e kam marrë vesh edhe çfarë është diskutuar.
Çfarë është diskutuar?
Nuk jam habitur aspak nga takimi. Do ta quaja një takim normal, prandaj është ajo shprehja që kurrë mos thuaj kurrë. Nga ky takim, për mendimin tim, Meta ka fituar më shumë. Po ta mendosh, Rama me këtë që ka bërë, humb besueshmëri në elektorat, humb kartën e 21 janarit. 21 janari ishte kryesisht një revoltë popullore ndaj korrupsionit të qeverisë dhe ndodhi menjëherë pas daljes së videos. PS-ja doli me lloj-lloj parullash dhe sloganesh. Kjo është një lloj tradhtie ndaj 21 janarit, sepse Meta i quajti kokëpalarë ata të 21 janarit. Pati një reagim kundër opozitës, ndërkohë që mendoj se Rama ka humbur vota te të lëkundurit dhe kryesisht te të pavarurit, por edhe te disa të majtë që nuk i pranojnë këto lloj lëvizjesh.
Ka shumë të majtë që kanë thënë se e majta duhet të bashkohet, madje edhe ju.
Po të isha në vend të zotit Rama, mbase do të bëja të njëjtën gjë. Nuk e kam kritikë ndaj lëvizjes që bëri Rama. Detyra kryesore e Ramës është të kthejë opozitën në pushtet. Kam idenë që ai ka shkuar në takimin me Metën, me synim që prej atij takimi të fillojë një ndryshim politik për të rikthyer opozitën në pushtet. Në këtë pikë, nuk mendoj se ka bërë ndonjë gabim të madh në organizimin e takimit me Metën, qoftë te Gjiri i Lalzit, qoftë në Sheraton. Ka shumë njerëz që mendojnë se Rama ka gabuar. Në qoftë se nuk e kthen edhe në zgjedhjet e ardhshme PS-në në pushtet, ai mbaron si politikan.
E ka edhe me statut këtë…

Statuti nuk është një gjë e skalitur, mund ta ndryshojnë forumet. Kam bindjen se kjo lëvizje i ka shërbyer më shumë Metës sesa Ramës. Meta është në qeveri me vota të majta. Meta është politikan me zgjuarsinë më të madhe, sa i përket ku qëndron vota dhe si merret ajo. Ai e di që në zgjedhjet e 2013-s, duke qenë në koalicion me Berishën nuk merr dot më aq vota sa ka marrë, minimalisht do t’i përgjysmojë ato. Nuk do marrë më vota parimore. Meta i bën llogaritë dhe ka filluar të zbatojë skemën për zgjedhjet e tjera. Duke dhënë sinjale që po shkon majtas, Meta ruan votat e tij, madje mund t’i shtojë ato. Po jep edhe sinjalin që do qëndrojë prapë në pushtet, sepse shumica besojnë se opozita vjen në pushtet me zgjedhjet e tjera. Meta po thotë se do shkojë sërish me fituesin, do jetë sërish në qeveri. Nga ana e Metës lëvizja është brilante. Të vetmin gabim që ka bërë Meta, është që e ka bërë pa asnjë respekt për partnerin që ka në maxhorancë. E ka bërë fshehurazi, e ka bërë të pakonsultuar, ka treguar një lloj guximi që unë mendoj se me një partner si Berisha është pak e tepruar. Unë këtë e kuptoj, sepse ka filluar këto ditë një lloj nervozizmi mes PD-së dhe LSI-së.
Publikisht nuk kemi parë asgjë…
Publiku sheh vetëm pjesën e teatrit, nuk e sheh si lëvizin mekanizmat nën tavolinë.
Çfarë mekanizmash ka?
Ka një shqetësim shumë të madh në të dy krahët se si do vazhdojë tani ky koalicion. Sipas informacioneve që kemi, Meta dhe Berisha kanë pezulluar komunikimin me njëri-tjetrin dhe shkojnë e vijnë nja dy sekserë që çojnë njëri-tjetrit mesazhe.
Pse ndodhi kthesa? Ishte rrufe në qiell të pastër takimi, apo kishte diçka para takimit?
Unë e kam shumë të qartë pse ka ndodhur kjo nga ana e Metës, sepse kjo nuk ka ndodhur nga Berisha. Berisha ka vazhduar të ketë luajalitetin në qeverisje, pavarësisht se ka bërë disa lëvizje duke u futur në kompetencat e LSI-së, duke hequr ndonjë lloj fuqie që ka në ministritë e LSI-së dhe mund të ketë krijuar ndonjë pakënaqësi te LSI për bashkë-qeverisjen. Por lëvizjen për të dalë nga kjo maxhorancë e ka bërë Meta, sepse shkoi u takua me Ramën dhe është bërë një lloj plani.
Çfarë kompetencash janë hequr?
Do të them vetëm një fakt, atë të Albpetrol. Ministria e Ekonomisë ka AKBN-në, që monitoron të gjitha marrëveshjet hidro-karbure, naftë, gaz, minerare dhe çdo gjë që është e asaj fushe. Me ndryshimin e ligjit dhe privatizimin e Albpetrol, të gjitha kompe-tencat që ka AKBN dhe METE i kalojnë Albpetrolit privat. Ai do të monitorojë të gjitha marrëveshjet e hidrokarbureve ekzistuese, me Bankers, Stream Oil etj. Kjo mund të jetë një lloj xhelozie që mund të ketë lindur.
Koalicioni PD-LSI mund të prishet para zgjedhjeve 2013? Mund të ishte mocioni një matje forcash?
Unë them që ka filluar prishja dhe nuk ka kthim mbrapa. Me sa di unë, planet për një mocion mosbesimi para zgjedhjes së Presidentit kanë filluar. A do të jetë pjesë e mocionit LSI, këtë nuk mund ta them, sepse mund të jetë shumë shpejt për ata që të bëjnë këto lëvizje apo të tërhiqen nga qeveria.
Juve ju është bërë oferta për të dhënë votën?
Kanë filluar të bëjnë lobing në Parlament në lidhje me një mocion mosbesimi, që mund të bëhet ndaj Qeverisë. Tek unë kanë ardhur për të biseduar për këtë çështje. Ka filluar të ziejë ideja e bërjes së një mocioni përpara zgjedhjes së Presidentit.
Ju çfarë përgjigje keni dhënë?
Unë jam në opozitë.
Sipas Kushtetutës, ata që bëjnë mocionin duhet të paraqesin edhe emrin e Kryeministrit që propozojnë. Kush është ky njeri?
Nuk është folur për këtë. Janë duke u matur forcat. Mocioni për qeverinë është një matje forcash përpara zgjedhjes së Presidentit. U bë një test për nënkryetarin e KLD-së, ai tregoi që janë ngushtuar balancat në Parlament. Nëse opozita vjen me një emër kandidati për Kryeministër që nuk ia vlen për Kryeministër, pozicioni im edhe mund të ndryshojë.
Si do të votoni nëse nuk do të gjendet një kandidaturë konsensuale për President?
Pozicioni im do të varet nga kandidati. Mund të votoj edhe një kandidat të PD-së, ashtu siç mund të votoj edhe një kandidat të PS-së, pra varet nga kandidati. Duhet t’i japim vendit një figurë, i cili pavarësisht se nga cila parti vjen, të garantojë vazhdi-mësinë…
Luan Rama tha se pse jo zotin Meta. Ju do ta votonit?
Unë do të gjykoj gjithmonë kandidatët që do të jenë në garë. Nëse do të jetë një kandidat konsensual, situata është shumë e thjeshtë. Nëse do të jenë në garë dy apo tre kandidatë, unë do të votoj kandidatin më të mirë. Ti e ke shumë të qartë se unë edhe më përpara kam bërë disa zgjedhje shumë të vështira për pozicionin ku ndodhet një deputet apo një forcë politike. Nuk e kam fare problem të jem vota e 71-të edhe e PD-së, nëse do të jetë një person dinjitoz që do vijë si kandidat për President.
Do mbani të njëjtin qëndrim si në vitin 2009?
Nëse do të jetë e nevojshme, unë nuk kam komplekse. Do të votoj për figurën më të mirë.
Zonja Topalli është e tillë?
Duhet të shohim kandidatët që janë në garë. Të gjithë emrat e deritanishëm kanë dalë nga mediat, askush s’ka dalë ende.
Po nëse Metën e propozon PS dhe të ketë një garë Meta-Topalli?
Nuk hyj në gjëra konkrete kur s’ka gjë konkrete. Nuk ia vlen që të hyjmë në emra të përveçëm, në një kohë kur s’kemi kandidatë konkretë. Për të qenë realist, unë nuk mendoj se do të ketë një President konsensual, sepse shoh lëvizjet që po bëjnë kahet politike për të ngushtuar radhët dhe për të siguruar votat. Përpiqen që të mos u shiten ato që kanë dhe përpiqen që të sigurojnë disa më shumë sesa deputetët që kanë brenda grupimeve politike. Ka filluar tashmë lufta për të zgjedhur një President me 71 vota. Kjo po ndodh në Parlament.
Duket sikur po përgënjeshtroni atë që thatë pak më parë, që jeni të gatshëm të votoni një nga PD…
Pse e merr si përgënjeshtrim? Nëse do kem një kandidat të majtë që është super hajdut, i korruptuar dhe i pamoralshëm dhe do kem përpara zonjën Topalli, të jesh i sigurt që do votoj zonjën Topalli. Do vlerësoj kandidatin si person që e pëlqen publiku.
ILIR BABARAMO
© Panorama.al











