Takimi me Panaritin, ministri gjerman vjen në Tiranë

Jul 7, 2012 | 14:12

Panariti me homologun gjerman, Vestervelle

Kreu i Diplomacisë sonë takon në Paris homologun Guido Vestervelle.

Takimi me Panaritin, ministri gjerman vizitë pas dy muajsh.

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, u takua dje me homologun e tij gjerman, Guido Vestervelle. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së kësaj ministrie, gjatë bisedës u vu theksi te marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. “Gjatë qëndrimit në Paris, në kuadër të takimit ndërkombëtar të Grupit të Miqve të Sirisë, ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti, zhvilloi një takim të veçantë me ministrin e Jashtëm gjerman, z. Guido Vestervelle. Fillimisht ministri gjerman e uroi zotin Panariti për detyrën e re si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Z. Panariti dhe z. Vestervelle, gjatë bisedës së tyre e vunë theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke shprehur besimin se ato do të forcohen më tej në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se gjatë takimit Panariti e ftoi kreun e Diplomacisë gjermane për të vizituar vendin tonë, ftesë të cilën ai e pranoi duke konfirmuar vizitën brenda dy muajve të ardhshëm. “Ministri Panariti theksoi se ky vit është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi është 100-vjetori i pavarësisë. Në këtë kuadër, z. Panariti i përsëriti ftesën z. Vestervelle për të vizituar vendin tonë. Në përgjigje të ftesës z. Vestervelle tha se me shumë kënaqësi do ta vizitojë Shqipërinë në dy muajt e ardhshëm”, thuhet më tej në njoftimin për mediat. Gjatë ditës së djeshme Panariti mori pjesë në punimet e Konferencës së Tretë Ministeriale të Grupit të Miqve të Popullit të Sirisë, që po zhvillohet në Paris, nën kujdesin e ministrit të Jashtëm francez, Laurent Fabius. Ky aktivitet u përshëndet edhe nga Presidenti i Francës, Fransua Holande. “Në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, ministri Panariti, pasi shprehu ngushëllimet për jetët e humbura, u shpreh se fundi i dhunës në Siri shtron rrugën drejt ndërtimit të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vend. Në fjalën e tij ai theksoi mbështetjen për zbatimin e dokumentit të të dërguarit special të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, duke e cilësuar zbatimin e tij si një zgjidhje funksionale për procesin e tranzicionit politik sirian”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

© Panorama.al

Te lidhura