Endri Keko, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, sot do të ishte 100 vjeç (1924-2024). I mirënjohur nga publiku kryesisht si regjisor i filmit dokumentar, për afro 30 vjet ai fiksoi në ekran… jetën e shqiptarëve në të katër anët e vendit, njerëzit që me shembullin e tyre udhëhiqnin rindërtimin dhe më pas ndërtimin e vendit, intelektualët e spikatur që i bënin nder vendit, ngjarjet madhore të Shqipërisë…
Me krijimtarinë e tij, në harkun kohor të viteve 1952-1979 regjisori Endri Keko ishte padyshim firma e parë e filmit dokumentar shqiptar, personaliteti më i spikatur i kësaj gjinie dhe më i vlerësuari. Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovivarit (Çekosllovaki-1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS-1959), Diplomës së Nderit në Festivalin e Laipcigut (DDR-1961) dhe Medaljes së Bronzit në Festivalin e Parisit (Francë-1962), fitues i tre Çmimeve të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko, Artist i Merituar, Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit, vazhdon të konsiderohet edhe sot, një nga personalitetet më të spikatura të kinematografisë shqiptare. Filmat dokumentarë “Shqipëria”, “Dritë mbi Shqipëri”, “Pranvera e nëntë”, “Në shtigjet malore”, “Letër nga fshati”, “Ringjallje”, “Vallzim i shqipeve”, “Në flakë të revolucionit”, “Rruga jote, shok”, “Tregim në sytë e nënës”, janë vetëm disa nga titujt e realizimeve që mbajnë firmën e regjisorit që lëvroi me sukses të gjitha zhanret e saj, që nga filmi kronikal, kinoreportazhi e kinopoema deri te filmi dokumentar e ai artistik “Krevati i perandorit”.
Me të njëjtin përkushtim e me të njëjtën dashuri, Endri Keko e hodhi jetën dhe aktivitetin e tij artistik, edhe në letër. Janë mijëra faqe me shënime në arkivin e tij personal që e dëshmojnë këtë jetë intensive dhe këtë punë pasionante.
Sot, në ditën e jubileut të 100 të lindjes së tij, redaksia e gazetës “Panorama” vendosi ta kujtojë artistin e shquar të ekranit shqiptar me disa fragmente nga libri në proces “Ditari i një kinoregjisori, një libër ky që hedh dritë mbi rrugën artistike të këtij kineasti që nisi në një ditë më atë të kinematografisë shqiptare si dhe gjithë atyre që kontribuan në vite për ekranin shqiptar e që së shpejti do të jetë në dorën e lexuesve dhe studiuesve.
KINOREGJISORI ENDRI KEKO PER VETE DHE TE TJERET
(Shkëputur nga libri në proces “Ditari i një kinoregjisori”)
E martë, 8 prill 1952
Në mëngjes u drejtova për në Komitetin e Arteve dhe Kulturës ku më kishin lajmëruar të paraqitem.
Godina dykatëshe ku ndodhen zyrat e Komitetit dhe të Ndërmarrjes Kinematografike dhe ku unë punova për afro tre vjet, më zgjoi kujtime të përmallshme. Këtu, në këto dhoma, me dhjetëra herë jemi mbledhur me Foto Stamon, Zihni Sakon, Shefqet Musarain, Andrea Malon, Miço Kallamatën, Sofokli Afezollin, Vaskë Aristidhin, Kolë Jakovën, Janaq Paçon e shokë të tjerë për të gjykuar për dramat e këngët, pikturat e skulpturat, që na vinin nga shkrimtarët dhe artistët e rinj të Shqipërisë. Këtu, kush e di sa herë në ditë binin telefonat nga qarqet që kërkonin skeçe e këngë për shtëpitë dhe vatrat e kulturës, filma për kinematë, kitara e mandolina për grupet amatore, pëlhurë për perdet e skenave, beze, furça e bojëra për piktorët, allçi e çimento për skulptorët, letër fotografike për muzetë, tela për çiftelitë, llamba vajguri për bibliotekat, lekë për të riparuar çatitë dhe karriget e kinemave.
Kalova nëpër korridorin e katit të parë dhe u drejtova për në dhomën e kryetarit. Fatmir Gjata, i cili u emërua në këtë detyrë një vit më parë dhe, me të cilin më lidh një miqësi e vjetër partizane, më priti si gjithnjë plot humor. Sa më pa, u ngrit nga vendi, hapi një dosje që kishte përpara, nxori prej saj një copë letër dhe pa e zgjatur, më tha shkurt:
“Na, merre! E mbajtsh me shëndet! Këtu ke emërimin”.
Nuk e di pse, atë çast, kur Fatmiri më dha shkresën në dorë u emocionova aq shumë. Ndoshta se, kjo shkresë më tregon përfundimisht rrugën në të cilën do të më duhet të ec këtej e tutje. Ndoshta se në këtë shkresë është fiksuar, jo vetëm e sotmja, por dhe e ardhmja e jetës sime. Sido të jetë, kjo është një ditë e rëndësishme për mua, dhe, si e tillë, ajo nuk do mund të fshihet nga memorja deri në fund të jetës, megjithëse emërimi në rastin tim është bërë fakt nga data 1 prill 1952 dhe unë kam filluar punë në detyrën “regjisor” me rrogë 7500 lekë.
Dola nga Komiteti me sy të përlotur. Asnjëherë jeta nuk më kishte parakaluar me kaq shpejtësi dhe krijuar kaq emocione të fuqishme.
Deri në moshën 14 vjeç nuk kisha parë kinema me sy. Në Dardhën time të dëgjuar e të bukur, në fshatin e maleve të lartë, pishave, lëndinave, luleve e bilbilave, vinin në ditët e nxehta të verës shumë makina, por asnjëherë nuk i pashë ato të sillnin ndonjë film. Ato vinin dhe në vend të filmave, me ndonjë përjashtim të rrallë, sillnin bejlerë, aristokratë, tregëtarë, njerëz të oborrit mbretëror, ministra, deputetë. Kinemaja ime dhe e shokëve të mi e atyre viteve ishte e quajtura “karagjuzë”, pjellë e fantazisë së popullit, e dëshirës së tij për të argëtuar fëmijët, qoftë me mjetet dhe mënyrat më primitive.
Zakonisht, pranë avullisë të një oborri, ndërtohej një kasolle e vogël ku, dy anët e saj mbylleshin me velenxa ndërsa pjesa e përparme me një çarçaf të bardhë. Sa ngrysej, brenda saj hynin dy njerëz që dallonin si imitues, dhe, ndërsa njeri lëvizte mbi çarçaf figurat e përgatitura prej kartoni e që ishin të mbërthyera nëpër shkopinj të vegjël, tjetri mbante qirinj të ndezur për të ndriçuar figurat në errësirën e natës. Përpara perdes, në shesh, uleshin spektatorët e vegjël, bashkë me ta dhe ndonjë i madh, të cilët ishin të detyruar që në vend të biletës së hyrjes për në shfaqjen “kinematografike” të sillnin me vete nga një qiri.
Repertori i shfaqjes përbëhej nga dy-tre numra, ku trajtoheshin ngjarje nga jeta dhe që në fund shkaktonin të qeshura e kënaqësi tek spektatorët.
Kjo ishte kinemaja e fshatit tim në ato vite kur kishte shumë fshatra që nuk e kishin fare as atë dhe ku unë mora të parin përfytyrim mbi kinemanë. A mund të më shkonte mua ndër mend se do të vinte një ditë që nga regjisor “karagjuze” të bëhesha regjisor filmi?
E enjte, 10 korrik 1952
Pa lindur mirë dielli dola nga shtëpia dhe mora rrugën për në Kinostudio. Mëngjesi ishte me qiell të pastër dhe i freskët.
Gjatë rrugës, takova dhe shumë nga ata që sot e tutje do të përbëjnë kolektivin e Kinostudios. Më duket si çudi që po e fillojmë punën me kaq pak njerëz, një pjesë e mirë fare të rinj, vetëm pesëmbëdhjetë-gjashtëmbëdhjetë vjeçarë. Shumica nuk e kanë idenë e punës në kinematografi, por, tek të gjithë ndihet entuziazmi për punën që na pret në të ardhmen.
Kur hymë në Kinostudio ora po shkonte gjashtë. Çdo gjë shkëlqente. Më bukur as që mund ta imagjinoja. Edhe zogjtë m’u duk se sot sikur po këndonin ndryshe. Nuk di po, atë çast më pushtoi një ndjenjë e thellë kënaqësie.
Disa minuta më vonë erdhën Misto Treska me Fatmir Gjatën. U treguam kopjen e re të kinozhurnalit. Nuk patën vërejtje. Dolëm. Në ecje e sipër më kapi nga krahu shoferi që i kishte sjellë.
“Sot keni shumë punë, – më tha, – por, dua t’a dish që kur të bëni ndonjë film për luftërat e para, mos harroni të më nxirrni edhe mua se kam qenë shofer i Fan Nolit, kur u bë kryeministër”.
“Mirë”, – i thashë, dhe mbajtja shënim emrin e tij. Quhej Kolë Beltoja.
Vetvetiu më erdhi ndërmend një porosi e pedagogut tim Ilia Kopalin gjatë leksioneve në Moskë… “Ajo që sot mund të duket e parëndësishme, nesër mund të vlejë shumë. Pa fakte, dokumentaristi s’mund të bëjë asnjë hap. E tërë puna e tij është e ndërtuar vetëm mbi faktet”
Jashtë, në oborr, teknikët e Kinostudios dhe të Radio Tiranës vazhdonin punën për vendosjen e mikrofonave dhe altoparlantëve. Dolën aty edhe kinooperatorët me aparatet e xhirimit.
Në orën nëntë rruga përpara Kinostudios ishte mbushur plot me njerëz që kishin ardhur nga qyteti më këmbë apo me biçikleta, karroca, kamionë dhe deri me pajtonë. Kishte aty nëpunës e ushtarakë, punëtorë, nëna dëshmorësh, invalidë të luftës, nxënës, artistë dhe shkrimtarë.
Ndërkohë, fshatarët që kishin ardhur nga ana e Dajtit lëviznin ngadalë përbri kangjellave të oborrit të Kinostudios dhe prej andej përpiqeshin të shikonin sa më mirë ato që i tërhiqnin më shumë në vështrimin e parë, statujat mbi hyrjen kryesore.
Kur ora po afronte dhjetë dhe oborri i Kinostudios ishte mbushur plot, dikush porositi të pakësoheshin lëvizjet e tepërta. Kaq u desh. Anembanë u hap lajmi se në inaugurimin e Kinostudios do të vinte vetë Enver Hoxha.
Të mëdhenj e të vegjël filluan të shtyhen, të ngjishen, të ndërrojnë vendet, të dalin përpara. Dëshira e të gjithëve është për ta parë sa më afër udhëheqësin.
Shkova te operatorët. Jani Nano me Mehmet Kallfën morën aparatin me gjithë stativ dhe e vendosën pranë hyrjes kryesore. Kjo lëvizje e bërë me shpejtësi hoqi nga njerëzit edhe atë pak dyshim që mund të kishte mbetur për ardhjen e Enver Hoxhës. Filluan këngët, parullat, duartrokitjet. Dita e filmit po festohej si një nga ngjarjet më të mëdha të Shqipërisë.
Në orën dhjetë, dikush thirri: “Erdhi”. Si të gjithë edhe unë ktheva kokën andej nga pritej të vinte Udhëheqësi. Pa kaluar disa sekonda, tek hyrja kryesore pashë të zbriste nga vetura Enver Hoxha, i veshur me kostum të bardhë. Pas tij, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani, anëtarët e Byrosë Politike Hysni Kapo, Gogo Nushi, Beqir Balluku e Spiro Koleka dhe nënkryeministri Bedri Spahiu.
Oborri oshtiu nga ovacionet e pandërprera. Eshtë e para herë që ndodhem kaq pranë tij, dhe, me siguri, po të më kishte pyetur si e ke emrin, nuk do t’i isha përgjigjur dot.
Ai ecte dhe përshëndeste. Shikoja rreth e rrotull se si njerëzit s’përmbaheshin dot nga gëzimi dhe më vinte inat që këtë tablo të mrekullueshme ne nuk ishim në gjendje ta xhironim në film me atë bukuri dhe ato emocione që krijoheshin nga çasti në çast. Dy aparatet tona marrës, ashtu si ishin, të mbërthyer në stativa, mund të fiksonin në film shumë gjëra, por nuk mund të fiksonin kurrsesi ato detajet, që flisnin këtu më shumë se çdo gjë tjetër. Humbën përqafimet e ngrohta, buzëqeshjet e njerëzve, shtrëngimet e duarve dhe mbi të gjitha sytë e gëzuar. Këtë e kuptoj unë, këtë e kuptojnë edhe kinooperatorët, të cilët sot për sot nuk mund të bëjnë më shumë sepse të gjithë ne akoma nuk dimë t’i kapim shpejt gjërat më të domosdoshme dhe më domethënëse, ende nuk jemi në gjendje t’i përdorim siç duhet aparatet marrës në këto lloj xhirimesh. Kjo gjendje, sidomos mospërdorimi me shkathtësi dhe siguri profesionale i aparateve, është minus i madh për ne, sepse kjo zbeh në ekran atmosferën e ngjarjeve.
Me shqetësimin për të dokumentuar sa më mirë gjithçka po ndodhte, xhiruam mitingun ku përshëndetën kryetari i Komitetit të Arteve dhe Kulturës Fatmir Gjata, nënkryeministri Bedri Spahiu, kryeinxhinieri sovjetik e një specialist shqiptar dhe shkuam vendosëm aparatet përpara hyrjes kryesore të Kinostudios, ku do të bëhej prerja e shiritit.
Pas disa çastesh shpërthyen duartrokitjet dhe drejt shiritit të kuq u afrua vetë Enver Hoxha. Ai zgjati dorën dhe pasi mori gërshërët nga tabakaja që mbante në duar Xhanfise Çipi, shoqja dhe kolegia ime, preu shiritin duke uruar gjithë të pranishmit “Ta gëzoni Kinostudion!”.
Enver Hoxha kapërceu derën kryesore, vizitoi disa nga ambientet kryesore të Kinostudios dhe pas disa minutash, mbërriti në repartin e zërit. Ishte vendi ku ne do të shfaqnim kinozhurnalin nr. 1, ideuar, xhiruar, montuar, inçizuar dhe përpunuar, tërësisht me forcat dhe mjetet tona.
Zemra filloi të më rrahë me të madhe. Shoh Hamdiun, Sokratin, Janin, Xhanfisenë, Koçon, Petraqin, Mishën. Të gjithë shokët janë po aq të shqetësuar sa dhe unë.
Në sallë u vendos qetësia.
Nga pulti u dëgjua zëri i Koços: “Gati!”
Lavdiu fiku dritat dhe shkeli butonin e aparatit të projeksionit.
U mbështeta në karrige dhe i mbërtheva sytë në ekran. Çdo gjë po shkonte shumë mirë. Shumë mirë projeksioni, shumë mirë zëri, shumë mirë reagimi. Kur në ekran dolën punëtorët të lidhur me litar në Shkëmbin e Shkopetit, Enver Hoxha duartrokiti. Duartrokiti edhe kur u nis karvani me grurë nga fshatrat e Lezhës për në depot e shtetit.
Ne nuk jemi ende artistë, ne nuk i kemi provuar ende emocionet krijuese, por në këtë moment, ajo duartrokitje për ne vlen shumë.
Pas dymbëdhjetë minutash dritat u ndezën dhe në sallë shpërthyen duartrokitje. Kishte mbaruar projektimi i të parit film të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Enver Hoxha u ngrit në këmbë dhe për disa sekonda nuk foli. Duket priste të afroheshin më afër se kushdo, ata që kishin punuar për realizimin e kinozhurnalit.
“Kinozhurnali ishte i bukur, ai është një fillim shumë i mirë. Në të ka jetë, ka gjallëri. Urime!”, tha pastaj duke na parë e buzëqeshur të gjithëve.
E, ndërsa dilnim nga salla, mes të ftuarve ndesha sytë e regjisorit Ilia Kopalin, që po më ndiqnin nga jo shumë larg. I ndodhur prej afro një jave në Shqipëri, bashkë me operatorët Aleksej Sjomin e Ruva Hallushakov për xhirimet e filmit dokumentar “Shqipëria” që do të realizojmë së bashku, ai më buzëqeshi miqësisht. Sa bukur. Njeriu që na mësoi A, B, C-në e ekranit, sot ndodhet i ftuar në premierën e kinozhurnalit të parë që kishin realizuar nxënësit e tij, pa ndihmën e profesorit. Ditët në vijim, do të kem rast të bisedoj nga afër dhe mbaj shënim, mbi të gjitha vërejtjet.
Pak çaste më vonë, kur po ndaheshim aty tek dera kryesore, Nesti Zoto, drejtori i Kinostudios, i dhuroi Enver Hoxhës kopjen e kinozhurnalit nr. 1, të cilin ai e mori me një kënaqësi që i lexohej lehtësisht në fytyrë.
“Edhe një herë urime dhe punë të mbarë”, tha ai dhe na shtrëngoi me radhë dorën të gjithëve.
Ora kishte shkuar dymbëdhjetë. Dielli shkëlqente në kupën e qiellit dhe Kinostudioja, e bardhë si bora dhe e rrethuar prej trëndafilash të kuq, qëndronte si nusja në bash të odës.
Lum kush e ka e lum kush do ta gëzojë!
E shtunë, 31 mars 1979
Dje, ishte dita ime e fundit e punës në Kinostudio. E dija që kjo ditë do të vinte shpejt, ndaj dy apo tre muaj më parë shkova në drejtori dhe iu kërkova të më përgatisnin dokumentet e pensionit. Me gjithë insistimin e tyre të qëndroja e vazhdoja punën, nuk pranova. Madje, iu kërkova të mos mendonin as për ceremoni. Dhe, dita erdhi.
Sot, më 31 mars 1979, mbusha 55 vjeç. U ngrita si zakonisht në mëngjes herët megjithëse ishte e shtunë dhe nuk do shkoja në Kinostudio, rrethuar nga urimet e Xhanos, mamasë, Ilirit e Teodorit. Po, edhe sikur të mos ishte e shtunë, meqenëse e kam bërë fakt të kryer daljen në pension, nuk do shkoja në Kinostudio. Vendosa ta kaloj ditën në shtëpi pranë njerëzve të mi më të dashur.
Ndërkohë, Xhano ishte kujdesur që e gjithë familja në drekë të ishte prezent në tavolinë. Jo vetëm kaq po edhe që, të gjithë të krijonin një atmosferë sa më të gëzueshme për mua në tavolinë. Dhe, kështu ndodhi vërtet aty rreth tavolinës ku qeshëm gjatë dhe vazhduam të pimë verë e bëjmë shaka.
E hënë, 14 maj 1979
Pas përpjekjeve të shumta që bëri këto dy muaj për të mos u larguar nga puna, drejtoria e Kinostudios sot “u dorëzua” dhe më dërgoi me Xhanon vërtetimin e daljes në pension.
E mbajta një copë herë në dorë atë letër me firmë e vulë dhe, pasi e sistemova në dosjen time personale, vetvetiu mendova…
Kur hyra në rrugën e kinematografisë isha 28 vjeç. Sot, jam 55 vjeç. Në këto njëzeteshtatë vjet realizova 338 akte filmi, të cilat brenda tyre ruajnë 68 filma dokumentarë, 35 filma kronikalë, 38 kinozhurnalë dhe 1 film artistik. Jo pak. Ja pse sot ndjehem mirë dhe i qetë. Gjithë jetën punova me ndershmëri, pasion, dashuri, besim e krenari për veten, njerëzit dhe vendin tim. Mbi të gjitha, sot ndjehem i lumtur, se në gjithë këta vite bashkëpunova me njerëz të mrekullueshëm e profesionistë të vërtetë. Kthej kokën pas në vite, dhe, përpara më dalin portretet e atyre me të cilët ndava gëzimet e hidhërimet e punës krijuese… skenaristëve, autorëve të teksteve dhe redaktorëve Llazar Siliqi, Sofokli Afezolli, Dritëro Agolli, Ymer Minxhozi, Andrea Varfi, Vath Koreshi, Agim Shehu, Kolë Jakova, Kin Dushi, Vito Koçi, Miço Kallamata, Andrea Grashi, Niko Koleka, Kopi Kyçyku, Dhimitër Tona, Ibrahim Uruçi, Angjelina Xhara, Dhimitër Xhuvani, Vangjush Gambeta, Zisa Cikuli, Resul Bedo, Verdi Take, Sotiraq Gjordeni, Peçi Dado, Kiço Blushi, Nexhati Tafa, Ilia Dedi, Muharrem Skënderi, Sulo Mushi, Kujtim Gjonaj, Luan Dibra e Vullnet Qerimi… operatorëve Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Agim Fortuzi, Sokrat Musha, Jani Nano, Mehmet Kallfa, Niko Theodhosi, Dhimitër Lala, Saim Kokona, Petraq Lubonja, Ilia Terpini, Pashko Çomo, Rakip Zeneli, Jovan Kondakçi, Pëllumb Kallfa, Lionel Konomi, Ibrahim Kasapi, Diana Diamanti, Sonja Mamaqi, Ferdinand Koruni, Bardhyl Martiniani e Viktor Sharko… regjisorëve të montazhit, montazhiereve dhe formuluesve të muzikës Xhanfise Keko, Milto Vako, Ismail Balla, Irena Harito, Adriana Elini, Donika Muçi, Manushaqe Halili, Atalanta Pasko, Nazmije Sula, Shpresa Papapavllo, Shefiqar Basha, Rita Hanxhari, Elpiniqi Coja, Mira Meçule e Elda Budini… piktorëve Namik Prizreni, Astrit Tota, Aziz Karalliu, Tomi Vaso e Vasil Lalo… kompozitorëve Kristo Kono, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Limos Dizdari, Mustafa Krantja, Pjetër Dungu e Koço Uçi… aktorëve Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Roza Xhuxha (Anagnosti), Margarita Xhepa, Pandi Raidhi, Kadri Roshi e Anastas Kristofori… konsulentëve Kristo Frashëri, Androkli Kostallari, Stefanaq Pollo, Misto Treska, Javer Malo, Sofokli Lazri, Xhoxhi Keko, Zija Kambo e Vebi Hoxha.
Të gjithë këta bashkëpunëtorë, të cilët kanë qenë dhe mbeten shumë të afërt për mua, sot, është rasti t’i falënderoj edhe një herë për përkushtimin ndaj filmit dokumentar, ashtu siç është rasti t’u kërkoj ndjesë për shqetësimet që u kam sjellë.
E hënë, 13 prill 1987
Vazhdoj të mos jem mirë nga gjendja shëndetësore, megjithatë, sot vendosa dhe shkova në sesionin shkencor, përurimin e fotoekspozitës dhe mbrëmjen jubilare, organizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” me rastin e 40-vjetorit të krijimit të kinematografisë shqiptare.
Mes kolegëve, bashkëpunëtorëve, shokëve e miqve, u ndjeva mirë. Eshtë e kuptueshme. Vitet kalojnë dhe, sa më shumë largohen, aq më shumë më pushton malli për ata me të cilët kam ecur rrugëve të Atdheut e bashkërisht kemi vënë nga një gur në themelet e tij.
Kujtoj vitet e punës sime në kinematografi për më se tri dekada dhe përpara më dalin njerëzit e nderuar të viteve të luftës e ndërtimit, ata që në filmat tanë kronikalë e dokumentarë kanë përbërë thelbin e së bukurës.
Si mund të mos kujtoj sot… brigadierin krahëçeliktë Llazar Papamihali… Inxhinierin e talentuar të hidrocentraleve Emin Mysliu… Historianin e shquar Aleks Buda… Drejtuesin e përjetshëm Zisi Avrami… Luanin e tuneleve Sali Vata… Poetin partizan Fatmir Gjata… Kovaçin e njohur të hidrocentraleve Aziz Varfi… Luftëtarin e orëve të para Zylyftar Veleshnja… Buldozeristin e mirënjohur të kënetave Maqo Dhosi… Artistin e shquar të baltës Odhise Paskali… Studiuesen e pasionuar Dhorka Dhamo… Shkrimtarin me shpirt të madh Petro Marko… Naftëtarin veteran Çelo Broka… Partizanin trim Hoxhë Çota… Patriotin Tomë Kola… Kompozitorin e shquar Prenk Jakova… Të palodhurin Palo Themeli… Kryepeshkopin Dhimitër Kokoneshi… Fizikanin e talentuar Petrit Skënde… Ushtarakun Teki Kolaneci… Piktorin e madh Abdurrahim Buza… Mjekun e përkushtuar Selaudin Bekteshi… Shkencëtarin e rrallë Eqerem Çabej… Njeriun e tokës Ilo Prifti… Studiuesen e respektuar Andromaqi Gjergji… Shoferin e palodhur Koço Afezolli… Filologun e talentuar Spiro Konda… Balerinën e mrekullueshme Zoica Haxho… Inxhinierin pasionant Pjetër Kroni…
Të gjithë këta dhe qindra të tjerë, me shembullin e tyre, më kanë shtuar edhe më shumë dashurinë për popullin. Më kanë mësuar si ta shoh jetën e si ta pasqyroj atë në punën time krijuese. Më kanë nxitur të jem kurdoherë në lëvizje. Më kanë ushqyer me ndjenjën e dashurisë për profesionin dhe të shoh te filmi dokumentar një mjet nga më të fuqishmit për pasqyrimin e luftës e përpjekjeve të popullit për një jetë më të mirë.
Pa këta njerëz në krah e përreth, jeta ime do të ishte bosh e pa hapësirën që duhet të ketë dokumentaristi.
Janë dhjetëra e dhjetëra ata, që ke quajtur shokë e miq. Ata që i ke dashur e të kanë dashur. Ata që ke ndarë gëzimet e hidhërimet. Ja pse në këtë përvjetor të 40-të të kinematografisë tonë do desha t’u drejtohem me respekt e mirënjohje për të gjitha ato gëzime e kënaqësi që më kanë sjellë në jetë dhe krijimtari e në të njëjtën kohë t’i uroj me gjithë zemër të gjithë:
Gëzuar festën tonë të përbashkët! Gëzuar e mbetshi gjithmonë si margaritarë në faqet e historisë së Kinematografisë Shqiptare!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al