Ndeshja e parë e fazës së dytë mes Dinamos dhe Apolonisë, e luajtur dje në stadiumin “Qemal Stafa”, ka përfunduar në një barazim dramatik 3-3. Rivalitet, lojë dhe gola ka pasur ky takim mes dy skuadrave, që kanë si objektiv mbijetesën në Kategorinë Superiore. Blutë kanë qenë dy herë në disavantazh, e megjithatë kanë mundur të barazojnë, por vetëm kaq, pasi fitorja nuk u ka buzëqeshur, duke i lënë në fund të tabelës së klasifikimit me 2 pikë. Fierakët ndërkaq, me një Gërxho në superformë dhe me Ramën të saktë përpara portës, vazhdojnë të jenë në zonën e ftohtë në klasifikim, por me shumë shpresa për të mbijetuar. Blutë shënojnë të parët me Arifajn, por miqtë nga Fieri barazojnë vetëm tri minuta në vonë me anë të Gërxhos. Ndërkohë, në minutën e 33-të po ky futbollist shënon një gol spektakolar gati që nga goditja e këndit. Nuk mbaron këtu, pasi dinamovitët barazojnë me Kulin pas një penalltie të fituar nga Shtini. Në fraksionin e dytë të lojës, Renaldo Rama shfrytëzon mirë një gabim të mbrojtjes së Dinamos dhe kalon sërish në avantazh Apoloninë. Por blutë nuk dorëzohen dhe barazojnë me Arifajn. Në minutat e fundit shtesë, Peqini detyrohet të lërë fushën e lojës, pasi ndëshkohet me karton të kuq, si pasojë e një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Ribajt. Mbaron këtu me të dyja ekipet, që tani rrezikojnë shumë rënien nga kategoria.
Kthehet Duro, por Rubio s’e do në ekip
Klodian Duro kthehet te Tirana, ndonëse vetëm fizikisht, pasi pezullimi mbi të mbetet ende në fuqi. Mesfushori elbasanas, dje rreth orës 13:10, ka zbarkuar në “Skënder Halili”. Me çantën e tij të sportit në dorë, ai ka marrë rrugën drejt ambienteve të brendshme të kompleksit, në një kohë kur trajneri kishte rreth 15 minuta brenda. Pas një debati mes tij dhe teknikut, mesfushori ka dalë dhe është stërvitur veçmas grupit, madje në orar të ndryshëm me skuadrën, në mënyrë që të mos ketë asnjë kontakt me pjesën tjetër. “Nuk kam asnjë përgjigje për këtë çështje. Unë dua të flas vetëm për futboll. Madje, që ditën e parë kur erdha në Shqipëri, e kam thënë dhe stërthënë, që nuk do të fals kurrë keq për askënd, si dhe nuk do të bëj kurrë polemika”, tha Rubio. Ndërsa Duro ka deklaruar se nuk do largohet gjithsesi nga Tirana.Vendimi/ Dëbora, FSHF shtyn kampionatin
Koha e keqe me dëborë e reshje të shumta, kryesisht në zonën juglindore, lindore dhe veriore të vendit, ka detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit që të marrë vendimin e ndërprerjes së të gjitha veprimtarive futbollistike. Sipas kalendarit, këtë javë ishin programuar të luheshin ndeshjet e treta në grupe për Kupën e Shqipërisë dhe në fundjavë do të luhej java e 15-të e Kategorisë Superiore, si dhe java e 16-të e Kategorisë së Parë. Pa harruar këtu edhe kampionatin e Kategorisë së Dytë (zona e veriut dhe zona e jugut) si dhe kampionatet e moshave (U-19 dhe U-17). Kështu, ndeshjet e kupës që ishin planifikuar për në datën 15.02.2012, do shtyhen për më 23.02.2012. Java e 15-të e Kategorisë Superiore, e cila do të luhej më 18.02.2012, shtyhet për më 03.03.2012. Java 17-të e Kategorisë së Parë, nga data 18.02.2012, është zhvendosur për më 25.02.2012. Ndërsa kampionati i moshave, nga data 19.02.2012 do të luhet më 26.02.2012.
Superiore/ Java 14
Laçi-Vllaznia 1-0
Teuta-Tirana 1-2
Kamza-Flamurtari 0-1
Shkumbini-Bylisi 1-1
Tomori-Skënderbeu 2-4
Pogradeci-Kastrioti 1-1
Dje
Dinamo-Apolonia 3-3
Shënues: Arifaj 13’, 62’, Kuli 34’ (p)/ Gërxho 18’, 32’, Rama 52’
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Teuta 14 10 2 2 32
2. Tirana 14 9 3 2 30
3. Skënderbeu 14 8 5 1 29
4. Flamurtari 14 7 4 3 25
5. Kastrioti 14 7 3 4 24
6. Bylisi 14 5 4 5 19
7. Shkumbini 14 5 4 5 19
8. Vllaznia 14 5 2 7 17
9. Laçi 14 5 5 4 14
10. Kamza 14 4 2 8 14
11. Pogradeci 14 5 2 7 14
12. Tomori 14 3 2 9 11
13. Apolonia 14 2 3 9 9
14. Dinamo 14 0 5 9 2
SHËNIM: Laçi, – 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci, -3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo, -3 pikë (dënuar nga FIFA).











