Procesi i negociatave për transferimin e Cesk Fabregasit në “Kamp Nou” rinisi edhe një herë pas një jave ndërprerje. Për herë të parë gjatë bisedimeve, palët e Barcelonës dhe Arsenalit patën kontakte direkte mes tyre. Presidenti katalanas, Sandro Rosell, dhe drejtori i përgjithshëm, Antoni Rosiç, u rikthyen posaçërisht nga SHBA-ja ku skuadra është në fazën përgatitore, ndërsa Bartomeu (zv. presidenti) vazhdoi komunikimin me Daren Dein, menaxherin e kapitenit të “topçinjve”. Edhe pse në fund të takimit tripalësh nuk u arrit ende marrëveshja, u mësua se Barcelona bëri zyrtarisht ofertën e tretë të saj (40 milionë euro). Vetë mesfushori 24-vjeçar pati një takim me trajnerin Venger dhe drejtorin ekzekutiv, Ivan Gazidhis, të cilët i dhanë dritën jeshile për t’u rikthyer në Spanjë, por vetëm nëse ata ishin gati të derdhnin 45 milionë euro në arkat e tyre. Cesk i propozoi ofertën e re të Barcelonës dhe se 5 milionë euro do t’i jepte nga xhepi i tij për ta mbyllur me sukses transferimin. Kampionët e Europës ofrojnë 29 milionë euro, Fabregas 5, ndërsa 6 të tjera do të paguhen më vonë. Një ofertë të tillë, me të cilën katalanasit siguruan dhe kartonin e kilianit Aleksis Sançez për 38 milionë euro nga Udineze, anglezëve nuk u shkon aspak për shtat.











