
Deputeti socialist, Saimir Tahiri, për-mes një letre dërguar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkon zbardhjen e votimit për ligjin e regjistrimit të popullsisë.“Po ju drejtohem në përmbushje të detyrës sime për t’ju kërkuar vetëm zbatimin e Rregullores së Kuvendit duke bërë zbardhjen e menjëhershme të procesverbalit të seancës së datës 7 korrik 2011, pjesëmarrjen reale të deputetëve në sallë, si dhe zbardhjen e tabulatit të votimit të secilit prej deputetëve realisht pjesëmarrës për ligjin ‘Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave’, ta lejoni administratën të publikojë menjëherë procesverbalin me të gjitha të dhënat, dhe kjo pa humbur më shumë kohë, me qëllim shmangien e pasojave të një ligji tërësisht nul, që nuk duhet të kishte hyrë kurrë në fuqi”, citon letra dërguar Topallit. Duke sjellë në vëmendje denoncimet e bëra ditët që pasuan miratimin e këtij ligji, Tahiri akuzon se “procesi i votimit atë ditë ka qenë i montuar, fiktiv dhe i manipuluar, kundër vullnetit të deputetëve”. Deputeti socialist shton se në këtë mënyrë është shkelur e drejta për informim nëpërmjet informacionit zyrtar nga një institucion publik.
“Keni shkuar dhe më larg se kaq, duke lejuar shkeljen e afatit ligjor të parashikuar si detyrim absolut për çdo institucion publik në dhënien e informacionit zyrtar dhe bërjen e transparencës sa i takon, në këtë rast, pjesëmarrjes dhe votimit të deputetëve”. Deputeti socialist thekson se ka fakte të qarta se dy deputetë atë ditë votimi munguan, ndërsa vota e tyre u legjitimua në seancë sikur ata ishin të pranishëm.
“Unë, ju dhe publiku jemi në dijeni se dy deputetë të Kuvendit nuk ishin fare prezentë në sallë, edhe pse ende sot rezultojnë si votues ‘pro’ nismës së qeverisë. Këta dy deputetë nuk kanë qenë prezentë as në Shqipëri, dhe këtë e provon përtej çdo dyshimi skeda e hyrje-daljeve kufitare të secilit prej tyre. Njëri prej dy deputetëve ishte dhe i ndjeri Gëzim Dibra, i cili dergjej mes vuajtjesh spitaleve jashtë vendit. Ju i përnderuat shpirtin, por nuk harruat t’i vidhnit votën së gjalli. Kjo mbetet çështje e moralit tuaj, gjithsesi”, shkruan në letrën e tij deputeti i PS-së.
Sipas tij, nisur vetëm nga këto fakte, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e shpallin direkt të pavlefshëm dhe pa afekte juridike këtë ligj. Por, deputeti thekson se shkelja ndodhi edhe qëllimisht. “Duket se të gjitha dispozitat e sipërcituara të Rregullores të Kuvendit janë shkelur me të dyja këmbët, nën hundën tuaj dhe të Kryeministrit, në mos jeni ju dhe Kryeministri vetë që e keni urdhëruar e ligjëruar edhe në këtë rast manipulimin e votave në Kuvend”.
letra e deputetit te ps
Zonjës Jozefina Çoba Topalli
Për dijeni: Sekretariatit për procedurat dhe votimet
E nderuar zonjë,
Në vëmendjen time, siç kam bindjen dhe tuajën, por edhe më shumë të publikut, janë bërë të njohura faktet që hedhin dyshime fort mirë të bazuara për zhvillimin e një procedure votimi të montuar, fiktive, të manipuluar e aspak në përputhje me vullnetin vetjak të deputetëve pjesëmarrës në seancën plenare të datës 7 korrik 2011 për miratimin e projektligjit “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”.
Me po aq vëmendje sa kam ndjekur këmbënguljen e përligjur të grupeve të interesit për të njohur të vërtetën bazuar në të drejtën kushtetuese të çdo individi për t’u njohur me dokumentet zyrtare dhe veprimtarinë e institucioneve publike, ashtu si dhe debatin publik që ka shoqëruar këtë çështje, me po aq vëmendje kam ndjekur heshtjen tuaj dhe të administratës që Ju drejtoni, pa dhënë asnjë përgjigje dhe asnjë shpjegim.
Keni shkuar dhe më larg se kaq, duke lejuar shkeljen e afatit ligjor të parashikuar si detyrim absolut për çdo institucion publik në dhënien e informacionit zyrtar dhe bërjen e transparencës sa i takon në këtë rast pjesëmarrjes dhe votimit të deputetëve.
Sikur mes zellit për të pasqyruar në faqen on line të Kuvendit çdo aktivitet tuajin personal nga përurimi i linjës 400 kilovolt në Hanin e Hotit deri te takimet me maturantët e një shkolle në Shkodër, punonjësit fort besnikë të administratës tuaj në Kuvend të ishin urdhëruar të zbardhnin e publikonin në faqe dhe procesverbalin e seancës, siç e kërkon dhe Rregullorja e Kuvendit (neni 51), sot mbase nuk do të kishim debat, por njëherësh nuk do të kishim as ligj ”Për regjistrimin e popullsisë dhe banesave”, meqë ky që është sot në fuqi, nuk do ishte i tillë të paktën deri në një votim të dytë e të saktë, pikërisht për shkak të votimit të pavlefshëm me vota të manipuluara mu në sallën e Parlamentit.
Unë, Ju dhe publiku, jemi në dijeni se dy deputetë të Kuvendit nuk ishin fare prezentë në sallë, edhe pse ende sot rezultojnë si votues “pro” nismës së qeverisë. Këta dy deputetë nuk kanë qenë as prezentë në Shqipëri, dhe këtë e provon, përtej çdo dyshimi, skeda e hyrje-daljeve kufitare të secilit prej tyre.
Njëri prej dy deputetëve ishte dhe i ndjeri Gëzim Dibra, i cili dergjej mes vuajtjesh spitaleve jashtë vendit. Ju i përnderuat shpirtin, por nuk harruat t’i vidhnit votën së gjalli. Kjo mbetet çështje e moralit tuaj, gjithsesi.
Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit qartësisht sanksionon se votimi është vetjak, nuk mund të delegohet (neni 57). Gjithashtu, po sipas Rregullores, votimi në shkelje të Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, është i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt juridik (neni 6l).
Duket se të gjitha dispozitat e sipërcituara të Rregullores së Kuvendit janë shkelur me të dyja këmbët nën hundën Tuaj dhe të Kryeministrit, në mos jeni Ju dhe Kryeministri vetë që e keni urdhëruar e ligjëruar edhe në këtë rast manipulimin e votave në sallën e Parlamentit.
Nuk kam asnjë dyshim se njolla e zezë e delegjitimimit skandaloz të Parlamentit dhe parlamentarizmit nuk shlyhet pa ikur Ju dhe Kryeministri Juaj, por në këtë rast, po Ju drejtohem në përmbushje të detyrës sime, për t’Ju kërkuar vetëm zbatimin e Rregullores së Kuvendit duke bërë zbardhjen e menjëhershme të procesverbalit të seancës të datës 7 korrik 2011, pjesëmarrjen reale të deputetëve në sallë, si dhe zbardhjen e tabulatit të votimit të secilit prej deputetëve realisht pjesëmarrës për ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”.
Është detyra Juaj të lejoni administratën të publikojë menjëherë procesverbalin me të gjitha të dhënat, dhe kjo pa humbur më shumë kohë, me qëllim shmangien e pasojave të një ligji tërësisht nul, që nuk duhet të kishte hyrë kurrë në fuqi për shkaqet e sipërpërmendura që, si i tillë, nuk mund të prodhojë asnjë pasojë çfarëdo. Të paktën deri kur Ju dhe shumica juaj parlamentare të vendosni ta votoni përsëri këtë ligj sesionin e ardhshëm, kësaj radhe pa vjedhur votat e deputetëve.
Në pritje të veprimit Tuaj në përmbushje të detyrës më shumë se të përgjigjes për këtë kërkesë.
Saimir Tahiri
Deputet i Partisë Socialiste
Aleanca Kuq e Zi: Votimi u manipulua
Aleanca Kuq e Zi denoncoi si të paligjshëm votimin në Parlament të ligjit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Sipas Aleancës, tashmë është e vërtetuar se deputetët e Partisë Demokratike, Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra, rezultojnë të kenë qenë jashtë Shqipërisë ditën e votimit dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike kanë votuar për ta. Përfaqësues të Aleancës bënë, madje, publike dy biletat e udhëtimit të deputetëve, ku rezulton se një prej tyre ka ardhur në Shqipëri pesë ditë pas votimit, ndërsa deputeti tjetër nuk është kthyer ende. Ata deklaruan se kanë edhe prova filmike ku duken qartë dy deputetët, të cilët votojnë për kolegët e tyre që nuk ndodheshin në sallën e Parlamentit. Sipas kësaj lëvizjeje, në Parlament nuk votuan 72 deputetë, por 70, pasi dy deputetë mungonin. Aleanca Kuq e zi ka kundërshtuar ligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike, duke e cilësuar atë një ligj që cenon integritetin e kombit shqiptar.
ARISTIR LUMEZI











