Tahiri: Në asnjë faqe të raportit zgjedhjet nuk konsiderohen të lira

Aug 17, 2011 | 10:25

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, reagoi dje për përfundimet e raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit. Sipas tij, asnjë faqe e raportit nuk flet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “OSBE/ODIHR-i dje ngeli në klasë Sali Berishën. Raporti i djeshëm përbën certifikatën e dështimit spektakolar të qeverisë për t’u dhënë qytetarëve dhe vendit zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më minimale demokratike të pranuara nga bota e qytetëruar. Aq më keq, raporti e thotë qartë se rezultati për Tiranën nuk bazohet në ligj, por në vendime kontradiktore të KQZ-së dhe Kolegjit, të pambështetura në ligj dhe politikisht të motivuara. Raporti, në asnjë faqe të tij, nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje as si të lira, as si të ndershme. Nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje as si përmbushje e standardeve, qoftë edhe të pjesshme, siç ka deklaruar në të kaluarën”, tha Tahiri. Sipas deputetit të PS-së, raporti konstaton se listat kishin mospërputhje, shtesa e dublime, të cilat arrinin deri në disa mijë votues vetëm në Tiranë. “Konstaton se procesi i votimit ishte i parregullt dhe në shkelje të ligjit në më shumë se 10% të QV-ve, çka, sipas raportit, është më keq sesa në zgjedhjet e vitit 2009. Votimi në grup, votimi më shumë se një herë, presioni dhe kërcënimi për të votuar një parti, ishin shenjat e konstatuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për të mos folur pastaj për konstatime të tilla si “mbushja e kutive”, fenomen që, sipas raportit, u konstatua gjatë këtyre zgjedhjeve duke rikthyer praktikat zgjedhore që kishte vite nuk zinin më vend në raportet e partnerëve ndërkombëtarë. Numërimi i votave të gjetura në kutinë e gabuar cilësohet nga raporti si një procedurë që ndryshoi praktikën e konsoliduar të ndjekur deri në përfundimin e numërimit dhe për votën e fundit në Tiranë”, tha ai. Nënkryetari i Grupit të PS-së tha më tej se, sipas raportit, numërimi i fletëve të gjetura në kutinë e gabuar ishte i parapërgatitur, i pambështetur në ligj dhe i motivuar në shërbim të interesave politike. “Sipas raportit, në përfundim të numërimit të rregullt të votave, fitues ishte Edi Rama me 10 vota, edhe pse KQZ nuk e shpalli, siç duhet të bënte. Kjo procedurë cenoi kredibilitetin dhe paanshmërinë e KQZ-së, duke e kthyer në një institucion të komanduar nga partia-shtet. Vetë vendimet e Kolegjit Zgjedhor cilësohen nga raporti si kontradiktore, në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe që nuk u dhanë zgjidhje efektive problemeve që dolën gjatë këtyre zgjedhjeve”, shtoi Tahiri.

© Panorama.al

Te lidhura