Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka njoftuar se në fillim të korrikut do të arrihen gjashtë marrëveshje me Beogradin. Sipas saj, gjithçka mund të finalizohet më 2 korrik, në raundin e radhës të dialogut. Paketa e gjashtë marrëveshjeve është dizajnuar nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Kuper. “Pala jonë tashmë ka dhënë pëlqimin në parim për propozimet që i ka paraqitur më 6 qershor ndërmjetësi Robert Kuper. Ne mendojmë se ato propozime janë mjaft të mira dhe japin zgjidhje të mirë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, pra vendosjen e një reciprociteti në fushën e lëvizjes së lirë”, tha Tahiri. Disa prej këtyre marrëveshjeve mund të fillojnë menjëherë të zbatohen, siç është çështja e lëvizjes së lirë apo e njohjes së vulave të doganave. Për sa i takon çështjes së targave, do të përdoret modeli sikur mes Greqisë dhe Maqedonisë, dy vende këto që kanë marrëdhënie jo të mira politike.











