Tahiri, letër Arvizusë: Gjyqi po kthehet në një farsë

Jun 19, 2012 | 13:40

Deputeti Tahiri në Gjykatën e Tiranës

Nënkryetari i Grupit të PS akuzon Gjykatën për çështjen e ngritur ndaj tij.

“Ju ftoj të merrni pjesë në seancën mbyllëse të këtij procesi”

Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, i shkruan letër ambasadorit amerikan në Tiranë Arvizu, përmes së cilës denoncon gjyqin që po zhvillohet ndaj tij.
Sipas Tahirit, gjykata po e kthen këtë gjyq në një farsë. “Më duhet të pranoj se kurrë nuk kisha besuar se ky gjyq do të kthehej në këtë farsë ku është kthyer sot, duke shkelur hapur të drejtat e mia themelore si një qytetar i Shqipërisë, Ligjin e Procedurës Civile dhe precedentët që ekzistojnë në jurisprudencën shqiptare. Më është mohuar në mënyrë të përsëritur e drejta për të thërritur dëshmitarë me justifikimin se Gjykata nuk arrin dot t’i gjejë ata, edhe pse dëshmitarët në fjalë janë figura të njohura publike, madje disa ministra në qeverinë e Sali Berishës. I ofrova madje gjykatës edhe adresat e sakta të këtyre dëshmitarëve, por më kot”, shprehet Tahiri në letrën e tij. Deputeti socialist i kërkon ambasadorit Arvizu të jetë prezent dhe dëshmitar në seancën e fundit të këtij gjyqi për të parë nga afër se si bëhet drejtësia në gjykatat shqiptare. “Në gjykimin tim, gjyqe të tilla, kundër meje apo kolegëve të mi, nuk janë asgjë më tepër sesa një instrument tjetër që synon të na ndalojë të ngremë zërin për korrupsionin, skandalet dhe aferat e atyre që kanë sot pushtetin në Shqipëri.

Ambasadori Amerikan, Arvizu

Unë besoj në këtë gjyq, procesi është shumë më i rëndësishme sesa dënimi apo pafajësia ime personale. Për këtë arsye, Ju ftoj të merrni pjesë në seancën mbyllëse të këtij gjyqi, që të bëheni edhe Ju dëshmitar i njërit prej atyre që quhen gjyqe të lira dhe të ndershme në Shqipëri. E mirëpres praninë Tuaj dhe mbetem i hapur për çdo kërkesë të mëtejshme për informacione që mund të keni në lidhje me këtë rast”, thuhet në letrën e Tahirit.
Duke radhitur shkeljet në procesin gjyqësor që bëhen nga gjykata, Tahiri shprehet se organi i drejtësisë nuk dëshiron të japë drejtësi. “Më është mohuar e drejta për të paraqitur prova, duke qenë se gjykata ka refuzuar të urdhërojë institucionet shtetërore përkatëse të më lëshojnë dokumentacionin që provon deklaratën time. Në një situatë që është kthyer tanimë në një lojë juridike “e ka kush e ka”, gjykata refuzon të lëshojë urdhrin për marrjen e dokumenteve, institucionet nga ana e tyre refuzojnë të lëshojnë dokumentet pa një urdhër gjykate, ndërkohë që dokumentet që unë zotëroj janë quajtur të papranueshme, sepse nuk janë marrë në përputhje me procedurën, pra me urdhër gjykate”, thuhet në letrën e tij. Sipas tij, “në një tjetër shkelje të hapur të Ligjit për Procedurën Civile, gjykatësi i çështjes refuzoi kërkesën time për një shtyrje të seancës, edhe pse pamundësia ime për të marrë pjesë në seancë ishte qartazi e justifikuar, duke qenë se duhet të isha në Parlament gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në vijim të një serie vendimesh të njëanshme, gjykatësi vendosi të mbyllte hetimin gjyqësor në mungesën time”.

Akuzat
Dy fëmijët e Kryeministrit Berisha, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, i kërkojnë si dëmshpërblim deputetit socialist 8 milionë lekë të rinj për akuzat që ai ka ngritur ndaj tyre. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, ka akuzuar fëmijët e Kryeministrit se janë përfshirë në afera korruptive përmes deklaratave të shumta për shtyp dhe konferencave për mediat nga selia e Partisë Socialiste. Tahiri shprehet se akuzat e tij i ka të mbështetura në informacione, evidenca dhe të dhëna të siguruara përmes burimeve të tij, por të mbështetura po ashtu nga akuzat e publikuara në media në lidhje me disa skandale korrupsioni.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura