
Deputeti i PS: Çdo zyrtari të lartë t’i ndalohet me ligj dhurata.
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, ka reaguar dje pas listës së zyrtarëve që kishin marrë dhurata, të botuar nga gazeta “Panorama”. Në një status të publikuar në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, ai ka kërkuar hetim të plotë nga institucionet e shtetit për të gjithë zyrtarët, duke nisur nga ministrat, zv.ministrat e deputetët për dhuratat që kanë marrë. “Duhet hetim. Hetim i plotë dhe shterues. Për këta bujarët që u paskan dhuruar deputetëve, ministrave e zv.ministrave, zyrtarëve të lartë të administratës miliona lekë. Hetim për dhuruesit, lidhjen me përfituesin që deklaron, burimin e të ardhurave që ka dhuruar, por edhe të vetat, shlyerjen e detyrimeve fiskale ndaj shtetit, përfitimin eventual të fondeve publike. Hetim i plotë për çdo aspekt të aktivitetit të zyrtarit që ka deklaruar lekë apo apartamente të dhuruara”, shprehet Tahiri. Duke marrë për shembull zyrtarin e parë në listë për nga vlera e dhuratës, deputeti socialist kërkoi shpjegim se si mundet që një zv.ministër të marrë 240 milionë lekë dhurata. “Sepse unë nuk arrij të kuptoj e besoj se si mund të jesh zv.ministër Mjedisi e të të dhurojnë 240 milionë lekë! Si mund të jesh gjyqtar a prokuror e të të dhurojnë miliona lekë! Si mund të jesh zyrtar i administratës a deputetet e të të dhurojnë lekë në shuma marramendëse”, tha më tej Tahiri. Sipas tij, “personalisht jam për një zgjidhje definitive: çdo zyrtari, qoftë në administratë apo qoftë politik, përfshirë ministra e zv.ministra, deputetë, kryetarë bashkish e komunash, iu duhet ndaluar me ligj përfitimi i dhuratave të çfarëdo lloji. Dhe në qoftë se përfitojnë të tilla në rrugë të paanashkalueshme, atëherë dhurata duhet të shkojë në një fond publik e të rishpërndahet për ata që nuk kanë mundësi financiare e që shteti ynë as me ndihmë ekonomike nuk i ndihmon dot”.
© Panorama.alLista e dhuratave
Gazeta publikoi dy ditë më parë listën me 105 emra të zyrtarëve, të cilët gjatë tri viteve të fundit kanë deklaruar pranë ILDKP-së, përpos pasurisë, edhe disa të ardhura të tjera, por të fituara në formën e dhuratave. Nga totali i të ardhurave të mbledhura nga lista e zyrtarëve rezulton se gjyqtarë, prokurorë, drejtuesit e institucioneve të rëndësishme, deputetë, apo dhe punonjës të administratës, kanë përfituar në formë dhuratash rreth 290 milionë lekë, ose 2.9 milionë dollarë.











