Tahiri e Zela përballin publikisht platformat

Feb 27, 2012 | 11:12

Sajmir Tahiri

Kandidatët, takime të përbashkëta në njësitë bashkiake.

Sot nis përballja publike e dy kandidatëve për kreun e Partisë Socialiste të Tiranës. Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela do të ballafaqojnë platformat e tyre para disa minibashkive në orën 18:00, në sallën e Muzeut Kombëtar. Këto takime do të vijojnë për tri ditë rresht, ku sipas një grafiku do të jenë përfaqësuesit e të gjitha asambleve të Tiranës që do të njihen me vizionin e kandidatëve për drejtimin e degës më të madhe socialiste në vend. Ditën e shtunë, më 3 mars, të dy kandidatët do të parashtrojnë platformat e tyre para Asamblesë së zgjeruar të kryeqytetit nga ku do të votohen. Priten që kandidatët të publikojnë platformat e tyre në faqen online të Partisë Socialiste që të bëhen të njohura për këdo. Dëgjesa e hapur e kandidatëve është një formë e aplikuar nga Partia Socialiste që në 2009-n, kur Edi Rama pas dorëheqjes së dhënë nga humbja e zgjedhjeve parlamentare, zhvilloi një tur takimesh bashkë me sfidantin e tij, Maqo Lakrori. Në këto takime, Rama dhe Lakrori paraqitën platformat e tyre, ku kreu socialist vendosi në qendër të paraqitjes së tij vjedhjen e votave nga maxhoranca aktuale, ndërsa Lakrori tregoi vizionin se si duhet të hapet partia dhe funksionojnë forumet e saj. Më pas, ballafaqimi mes kandidatëve u aplikua nga PS dhe me rastin e seleksionimit të kandidatëve për Avokatin e Popullit, ku 12 u dëgjuan nga komisioni i seleksionimit të caktuar nga selia rozë me deputetë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Tahiri dhe Zela u përzgjodhën nga Kryesia socialiste një javë më parë mes 12 kandidatëve, mes të cilëve Erjon Braçe, Ilir Gjoni, Andis Harasani, Luan Shahollari etj.

600 anetare të Asamblesë së zgjeruar socialiste të kryeqytetit do të vendosin ditën e shtunë, më 3 mars, se cili do të jetë drejtuesi i ri i PS-së së Tiranës. Zgjedhja bëhet pas dorëheqjes së Besnik Barajt nga drejtimi i kësaj dege.

© Panorama.al

Te lidhura