Tahiri e Zela për PS-në e Tiranës, shtyhet ‘gjyqi’ për Braçen

Feb 22, 2012 | 11:29

Mbledhja e Kryesisë së PS

Kryesia e PS shpreh shqetësim për vonesën e maxhorancës për reformën zgjedhore e parlamentare.

Tahiri e Zela, kandidatët zyrtarë për kreun e PS-së së Tiranës.

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi datën 3 mars për të zhvilluar zgjedhjet për kryetarin socialist të kryeqytetit. Ndër 12 kandidatura të propozuara nga anëtarët e asambleve të minibashkive të kryeqytetit, Kryesia vendosi për dy kandidatë. Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela do të ballafaqojnë platformat e tyre për mënyrën se si duhet të drejtohet dega socialiste e Tiranës. Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, i propozoi Kryesisë dy emrat, të cilët u miratuan në unanimitet nga anëtarët e Kryesisë. Sajmir Tahiri ka kërkuar që zgjedhjeve të Tiranës t’i lihej pak kohë më shumë nga ç’ishte parashikuar, për t’u dhënë mundësi kandidatëve të shpalosin para socialistëve të kryeqytetit platformat e tyre. Ndërsa anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, mësohet të ketë kërkuar më parë përfundimin e zgjedhjeve për drejtuesit socialistë në të 11-të minibashkitë e Tiranës e më pas të kalohej në zgjedhjen e kryetarit të PS-së së kryeqytetit. Malaj ka propozuar dhe dhënien kohë kandidatëve për të bërë fushatë në strukturat socialiste të Tiranës. Një nga pikat e nxehta të mbledhjes së djeshme të Kryesisë pritej të ishte qëndrimi refuzues i Erjon Braçes ndaj delegimit që ky forum i ka bërë atij, duke e çuar në qarkun e Korçës. Braçe ka deklaruar se nuk do të shkojë në Korçë dhe se nuk do të largohet nga qarku i Beratit nga ku ka dalë dhe deputet. Braçe ka munguar dje në mbledhjen e Kryesisë, duke shmangur në këtë mënyrë dhe një debat rreth ecurisë së delegimit të anëtarëve të Kryesisë në të gjitha qarqet e vendit.
Reformat
Një pikë e nxehtë e mbledhjes së djeshme ishte dhe raportimi nga ana e sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri, rreth ecurisë së kësaj reforme në Komisionin e posaçëm parlamentar.
Mësohet se Gjiknuri ka treguar mungesën e vullnetit nga ana e maxhorancës për ta përfunduar këtë reformë brenda afatit të përcaktuar nga marrëveshja mes PS dhe PD, që është fundi i marsit. Sipas Gjiknurit, maxhoranca kërkon të shtyjë reformën zgjedhore deri afër periudhës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duke cenuar në këtë mënyrë proceset integruese.
Gjatë fjalës së tij, “kryetari i PS, Edi Rama, nënvizoi rëndësinë për të përmbyllur sa më parë dhe me sukses reformën zgjedhore, duke përmbushur më së pari rekomandimet e OSBBE/ODIHR-it dhe të gjitha shqetësimet e nxjerra në pah gjatë procesit të fundit zgjedhor”, thuhet në njoftimin zyrtar të nxjerrë nga zyra e shtypit e PS rreth mbledhjes së Kryesisë. Kryesia ka gjykuar se në këto kushte, afati i Komisionit të posaçëm do të shtyhet me të paktën një muaj. Nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle, shprehu shqetësimin se edhe ecuria e reformës parlamentare nuk po përmbush afatet kohore të vendosura më parë. “Rivendosja e votimit të fshehtë është cilësuar si një element tejet i rëndësishëm në funksionimin demokratik të Parlamentit, element që fatkeqësisht ende nuk është pranuar nga maxhoranca, pavarësisht se propozimi i Partisë Socialiste përputhet plotësisht me procedurat e funksionimit të Parlamentit Europian”, thuhet në deklaratën e PS. Kryesia kërkoi që të mbyllet procesi i zgjedhjeve në PS në 117 njësi vendore brenda 15 marsit, ndërsa ngriti një grup pune që do të drejtohet nga anëtarja e Kryesisë Eglantina Gjermenji për organizmin e Forumit të Gruas. Po ashtu do të zhvillohen zgjedhje dhe në strukturat e FRESSH-it.

Strategji për komunikimin me publikun
Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i Partisë Socialiste propozoi gjithashtu ngritjen e një grupi pune për hartimin e strategjisë së komunikimit me publikun, duke pasur parasysh afrimin e fushatës së ardhshme zgjedhore, propozim që gjithashtu u miratua nga Kryesia e PS. Ky grup përbëhet nga anëtarët e Kryesisë, Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Sajmir Tahiri dhe Ditmir Bushati.

Vendimet e Kryesisë së PS
.    Më 3 mars, zgjedhjet në PS-në e Tiranës
.    Brenda 15 marsit, zgjedhjet për kreun e PS në 117 komuna dhe bashki
.    Grup pune me deputetet femra për riorganizimin e Forumit të Gruas Socialiste
.    Zgjedhje në të gjitha strukturat e FRESSH-it
.    Ngrihet grup pune për hartimin e strategjisë së komunikimit me publikun
.    Të shtyhet për rreth një muaj Komisioni i Reformës Zgjedhore. Të vazhdojë negocimi me PD
.    Të përfundojë brenda afatit reforma parlamentare, të këmbëngulet te votimi i fshehtë në Kuvend
.    Zgjidhen Koli Bele dhe Bledar Çuçi, nënsekretarë për Çështjet Zgjedhore

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura