
Dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës nisën dje zyrtarisht fushatën.
Tahiri: PS, makineri elektorale. Zela: Bashkim i të gjithëve.
Dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës nisën zyrtarisht dje fushatën zgjedhore me strukturat socialiste të kryeqytetit. Mbrëmë, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës, Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela, të shoqëruar dhe nga kreu socialist Edi Rama dhe sekretari Organizativ, Blendi Klosi, shpalosën platformat e tyre para socialistëve të njësive 1, 2 dhe 3 të Tiranës. I pari që nisi prezantimin ishte anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ilir Zela.
Pikë e parë e platformës së Zelës ishte bashkimi i të gjithë socialistëve, duke u mbështetur në përvojat më të mira të kësaj partie. “Përtëritja dhe fuqizimi i shpirtit opozitar në Shqipëri kërkon të bashkohen në mënyrë organike vlerat me të mira të së majtës, sakrificat dhe përvoja e opozitës së parë socialiste të 1992-1997 me kontributet më të mira të opozitës së dytë, të mirëpërdoret përvoja qeverisëse e 1997-2005”, u shpreh Zela. Duke kërkuar vlerësimin e çdo socialisti, Zela propozoi krijimin e regjistrit të kontributeve për pranimet, ku anëtarët të partisë të shënohen në bazë të prurjeve dhe nxitjeve për pranime. Ai premtoi zgjerim të hapësirave për kontributet intelektuale në Partinë Socialiste të Tiranës, ndërsa këmbënguli për forcim të kolegjialitetit në vendimmarrje.
Tahiri
Kandidati tjetër për kreun e PS-së Tiranë, Sajmir Tahiri, në qendër të platformës së tij për drejtimin e kësaj dege kishte shndërrimin e saj në një makineri moderne elektorale që do të sjellë një rezultat fitues në Tiranë. Për të arritur këtë objektiv, Tahiri propozoi disa përmirësime organizative në degën e Tiranës. “Unë besoj se PS-në e Tiranës mund ta kthejmë në një makineri elektorale, moderne dhe perfekte, në gjendje të organizojë një fushatë totale dhe, mbi të gjitha, fituese. Për këtë arsye, veç sekretarit Organizativ dhe komisionit për çështjet elektorale, do të ketë një sekretariat të veçantë për patronazhin. Ne duhet të ngremë një sistem efikas patronazhi, të njohim çdo votë, derë më derë, dorë më dorë, fytyrë për fytyrë”, u shpreh Tahiri. Kandidati për kreun e PS-së së Tiranës tha se çdo socialist që kontribuon sot, do të jetë ai që do mbajë peshën e pushtetit të nesërm. “Në bisedën time të kandidimit kërkova dhe mora nga Edi Rama vetëm një garanci: të bëhem bashkë me socialistët e Tiranës sot, duke iu garantuar se kush punon me ne sot, kush lufton e përballet me ne sot, çdo socialist e progresist që sakrifikon me ne sot, do të punojë e do të mbajë pushtetin nesër me fitoren e zgjedhjeve, në emër të Partisë Socialiste. Dhe për këtë, garant do të jem unë, do të jetë Partia Socialiste e Tiranës, do të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë”, u shpreh Tahiri.
Sajmir Tahiri
“Partia Socialiste e Tiranës duhet të shndërrohet në një kantier pune, me rregulla të mirëpërcaktuara, ku të garantohet kontributi i gjithsecilit, por edhe të kthehet në vlerë të shtuar për socialistët. Ne bashkë do të ndërtojmë një parti të hapur, demokratike, por njëkohësisht moderne, në gjendje t’i përgjigjet kohës, terrenit dhe njerëzve. Askush nuk mund t’i bëjë këto i vetëm”, u shpreh Tahiri.
Ilir Zela
“Bashkimi i të gjithë socialistëve dhe progresistëve të tjerë – të bashkuar fitojmë! Unë besoj se është plotësisht e mundur që në Partinë Socialiste dhe në të gjithë opozitën shqiptare të harmonizohen talentet, kontributet, përvoja dhe mundësitë individuale të të gjithëve. Për të arritur këtë bashkim është e domosdoshme që të unifikohemi rreth objektivave tanë kryesorë”, u shpreh Zela.
FRESSH
Të dy kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës angazhohen në platformat e tyre për ringritjen dhe gjallërimin e Forumit Rinor dhe atij të Gruas. “FRESSH në Tiranë do të organizohet në mënyrë vertikale”, tha Tahiri, ndërsa Zela tha se “besoj se 20-vjeçarët e 2012-s janë shumë të aftë për të ushqyer atdhedashurinë dhe vlerat e së majtës progresiste, ndaj do të jem vazhdimisht një përkrahës i zjarrtë i tyre”.
MASH: Rama, i tmerruar nga rritja e të shkolluarve
Ministria e Arsimit reagoi menjëherë pas tryezës së PS-së për rininë. “Zotin Rama e ka zënë tmerri nga rritja e numrit të të shkolluarve në Shqipëri. Liberalizimi i arsimit të lartë i realizuar nga kjo qeveri. I kujtojmë zotit Rama se asnjë i shkolluar nuk është minë me sahat për këtë vend. Përkundrazi, shkollimi e bën çdo të ri dhe të re qytetar të një shoqërie demokratike dhe shumëfishon mundësitë për punësim dhe jetë më të mirë”, shprehet zëdhënësja e MASH.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











