Tahir Baçova, akrobati që e ktheu në art zbutjen e kafshëve! Gomerët i bëri të luanin futboll dhe arinjtë basketboll

Sep 1, 2025 | 13:54

Tahir BaçovaVERDI TAKE

PROLOG

Ishte mëngjesi i datës 1 shtator, 2024. Isha çuar herët nga gjumi, sepse jam dëgjues i rregullt i emisioneve të orës shtatë, që pasqyrojnë shtypin e ditës, por edhe pse, atë mëngjes, kisha lënë takim me një shokun tim ta pinim bashkë kafenë. Seç kisha atë ditë një mungesë humori, një si parandjenjë të turbullt. Televizorin e kisha ndezur, por sapo u ula në divan, një si sustë teli të egër, më ngriti vrullshëm në këmbë. Më kujtohet pasthirrma që lëshova dhe ballit që i rashë fort me dorë. Në anë të ekranit ishte shkruar me germa të mëdha: “Një lajm i hidhur. Ka ndërruar jetë Artisti i Madh i Cirkut shqiptar, zbutësi i kafshëve Artisi i Merituar, Tahir Baçova”. Zilja e celularit më përmendi disi. E ndjeva që gjunjët po më dridheshin. U lëshova si i këputur në divan. Hapa telefonin, por nuk po flisja dot.

– Hë mo, Verdi, je ngritur, apo jo?
– Agron, nuk do vij dot sot.
– Pse mo, çfarë ka ndodhur?

Viti 2025. Në 1 shtator do të përkujtojmë vitin e parë pa Tahirin

Një kthesë e papritur

17-vjeçari Tahir Baçova ishte akrobati më i ri në “Ansamblin Artistik Akrobatik të klasës punëtore” të Kryeqytetit. Meqë ishte trup i gjatë e i ngjeshur, e caktuan si “bazament” që do të thotë të mbante mbi supe e shpatulla akrobatët e tjerë që do interpretonin figura akrobatike, lart, mbi kokën e Tahirit. Shenjat e para: I heshtur, serioz, i sjellshëm e i dashur me trajnerët dhe shokët e grupit. Një ditë, kur ai mbushi 18 vjeç, i erdhi fletëthirrja për të shkuar ushtar. Sapo kishte lënë mustaqet, të cilat do të bëheshin të pandara gjatë gjithë jetës së tij. Shokët e përcollën dhe i thanë “Taho, të presim sërish mes nesh. Ne nuk do të harrojmë dhe ti mos na harro. Vendin e ke prapë këtu. – Tahir – e këshilloi trajneri, edhe atje në repart, gjej kohë të stërvitesh. Zgjidh nja dy çuna si ti dhe bëni numra akrobacie dhe shfaqeni për ushtarët, Dakord”? Por, çuditërisht, do të ishte rasti i parë që djaloshi simpatik e fjalëpak nuk do ta mbante porosinë e udhëheqësit Artistik të Ansamblit Akrobatik. Sepse, ndodhi ajo e cila, në vitet që do të vinin, do të ndryshonte rrugëtimin e jetës së Tahirit. Reparti ushtarak ishte i specializuar për përgatitjen e qenve të kufirit shtetëror. “O Zot! Ç’akrobacira do bëj unë këtu mes britmave e komandave që oficerët u drejtojnë këtyre kafshëve të gjora. Mooos! Po pse i godisni me kamxhik, pse? Kanë shpirt ato”. Dhe, një ditë, kur një nga ata, të egërsuarit, iu turr ezmerit me mustaqe, ushtar Baçova, për çudinë e oficerit instruktor, jo që nuk ia dha vrapit, por dhe nuk lëvizi fare nga vendi. Qeni qëndroi të këmbët e ushtarit. Sytë ngjyrë jeshil në blu të qenit u ndeshën me vështrimin e butë e dashamirës të syve të djaloshit nga Tirana. Vite më pas, kur Tahiri e kujtonte atë ngjarje, belbëzonte.

-Vallahi, kur ai m’u turr, unë seç ndjeva brenda shpirtit tim. Ai qen m’u shndërrua si një njeri që po vraponte t’i shpëtonte kamxhikut dhe sikur erdhi të kërkonte derman tek unë. Qeni m’u duk shumë i bukur. Edhe ai nuk mi ndau sytë, veçse më kujtohet, lëshoi një si rënkim. Ato çaste mu duk sikur mes meje dhe atij u lidh një bashkëjetësim.

Dy vitet e ushtrisë kaluan shumë shpejt dhe Tahir Baçova u paraqit përsëri pranë shokëve të tij të Ansamblit Akrobatik. Rifilloi stërvitja, shfaqjet, turnetë rreth e qark fshatrave e kooperativave bujqësore të Tiranës. Kështu po kalonin ditët, javët, muajt. Akrobatit bazament nuk i shqitej nga shpirti ai bukuroshi i repartit. Kishte lindur një dëshirë disi e çmendur. Kjo ishte një e fshehtë, e cila tashmë i takonte vetëm atij. Askush nuk po e kuptonte që Tahir Baçova seç bluante diçka në kokë. Kishte marrë një vendim, kujtimin e qenit të repartit, do ta përkujtonte përmes qenit vocërrak të shtëpisë së tij. Ta sillte në arenën e cirkut. Nuk e diskutonte me njeri se, thoshte me vete, “do të kujtojnë se Tahiri ka lajthitur”. Të parët që e morën vesh, ishin komshijtë. Matanë havllisë së shtëpisë të Baçovëve, seç dëgjoheshin ca lehje qeni, jo të zakonshme. Por dëgjohej edhe zëri i të zotit të shtëpisë, që fliste ca fjalë që askush nuk u jepte dum. Si “Urtë, urtë po të them…. Më shiko mua, Më shiko këtu, në sy. Ashtu, bravo. Ulu, ulu… bukur. Hajde të puth lali në faqe. Shtriu…ngriu. Hop, bravo, bravo artisti im. Eh, çfarë mrekullira do bëjmë ne të dy atje në arenë”. Pas stërmundimesh, u bind plotësisht që mes tij dhe kafshës ishte krijuar miqësia e përbashkët. Ishin bërë shokë. Kjo ngjarje u dha përgjigje enigmave se si u bë zbutës kafshësh ky Tahir Baçova. As shkollë, pasi shkollë për gjëra të tilla s’ka, as kurse kualifikimi, as ndonjë njeri që t’i mësonte atë zanat, nuk kishte në tërë Shqipërinë.

DHUNTIA E ARTISTIT

U zbulua vetëm një sekret: Dhuntia! Ai kishte lindur për t’u bërë i tillë. Pa dyshim që po. Koha dhe bëmat e tij e vërtetuan afërsinë e tij mbinjerëzore për të “folur me kafshët”, me marrëveshjen që ato, jashtë natyrës së tyre, të bënin çfarë u kërkonte mësuesi i tyre. Të tilla miqësi krijoi ai edhe me ariun “Silva” që e bëri akrobat, të kalonte si ekuilibrist në një tel të tendosur, dy metra mbi tokë dhe, asaj kafshe gjigande, me ecje të ngathëta, i mësoi dhe i kërkoi të tundej në një valle popullore nën ritmin e klarinetës, që i binte vetë mësuesi i tij, Tahiri i Madh. Por e bëri edhe fotograf ariun, posi. Ariu me aparat fotografik në qafë, i priste klientët, plot elegance. I ftonte të uleshin në karrige, pastaj u afrohej duke iu lutur të pozonin ashtu si do ishte më bukur. Dhe, kur në “dyqan” vinte ndonjë tip i dehur, a veshur jo sipas normave shoqërore të asaj kohe, ariu fotograf e përzinte nga lokali. Dhe një ditë spektatorët e panë ariun të hipur mbi një biçikletë, që i vinte rrotull arenës, duke i përshëndetur me dorë dhe duke u kërkuar duartrokitje. Befasimet nuk kishin të sosur. Një ditë e pamë Silvën të bënte veprime ekuilibri hipur mbi një glob, apo të kolovitej me kapadaillëk në një lisharse etj., etj.. Tahiri, miqësinë e pa të nevojshme edhe kur përgatiti dhe paraqiti në arenë gomarin. Le pastaj kur mblodhi një tufë qensh dhe me ta organizoi ndeshje futbolli. “Gëzimi” i tyre kur shënonin gol, në portën e kundërshtarëve apo protestat kundër arbitrit për një faull të padrejtë. Por nuk e la me kaq. Fantazia dhe dhuntia e çuan tek organizimi i një ore mësimi aritmetike… Mrekullitë nuk kishin fund. Në çdo premierë, Tahiri paraqiste një numër të ri. Nuk mund të mos përmendet çudia e një tufe pëllumbash, të cilët me komandat që i dinte vetëm mësuesi i tyre, u shpërndanë nëpër arenë, mbi kokat e spektatorëve, bënë figura e lëvizje përshëndetëse, pastaj, po me urdhër të mësuesit, një nga një, sipas një radhe u mblodhën përsëri tek vendi nga u nisën. E si të mos shpërthenin spektatorët me duartrokitje e të ngritur në këmbë, në shenjë respekti që mbi kokat e tyre fluturuan simbolet e paqes.

DASHURIA PËR KAFSHËT

Pas pak muajsh, në premierën e re të cirkut, Tahiri u paraqiti spektatorëve një ari, i cili luante basketboll. Koshat që bënte ai ishin me precizion. Duartrokitjeve të spektatorëve ariu u përgjigjej me “falënderime” dhe duke u përkulur me delikatesë, duartrokiste bashkë me ta. Artistët e cirkut, drejtorët e udhëheqësit artistikë tregonin se dashurinë për kafshët Tahiri e shprehte edhe me përkujdesjet që tregonte për shëndetin dhe ushqimin e tyre. Kuota financiare e parashikuar në rregullore ishte e pamjaftueshme. Zemra i tha që këtë hall ta zgjidhte vetë. E bisedoi me pjesëtarët e familjes, nga të cilët gjeti mbështetje. Ndonëse të ardhurat financiare i kishin tepër modeste, ata vendosën të përgatisnin ushqim shtesë për kafshët e cirkut shtetëror! E gjithë familja u vu në lëvizje. Iliri, djali i Tahirit, për shkak të pjesëmarrjes së tij si instrumentist i shkëlqyer në orkestrat e popullore, kishte shumë miq e shokë. Por njërin e mbante veç: Kasapin te Pazari i Ri, që i siguronte për kafshët e cirkut kocka, copa dhjami, mishi etj., me një çmim të ulët… Sania, bashkëshortja e Tahirit, që më pas do të bëhej edhe ajo zbutëse kafshësh, e gatuante ushqimin që në darkë dhe të nesërmen, artisti Tahir Baçova, me kusinë e ushqimit në trastë, hipte biçikletën e një marke të vjetër dhe vraponte në cirk. Orari i paraqitjes së artistëve ishte në 9:00, kurse roja e shërbimit të natës kishte urdhër ta hapte derën qysh në 6 të mëngjesit për të hyrë brenda vetëm zbutësi profesionist i kafshëve të cirkut.

-Nuk e përshkruaj dot – tregonte Tahiri – se sa i lumtur ndjehesha kur, kafshët, sapo dëgjonin hapat e mia dhe nuhasnin aromën e ushqimit, gjallëroheshin, vareshin te hekurat e kafazit dhe lëshonin me zë “falënderimet” e tyre.

Tregojnë se, një mëngjes, para se të fillonte ushtrimet, i vuri gojëzën mbrojtëse ariut dhe e mori me vete. Duke ecur në ambientet e administratës, trokiti dhe hyri brenda në zyrën e llogarisë. Ulërima e llogaritares, trembi edhe vetë ariun.

-Qyqja… qyqja me Tahiro, ç’bëre mo të keqen motra… Nxirre jashtë me, se më llahtarisi. Qyqja! – Tahiri, me qetësinë që e karakterizonte, fërkoi mustaqet dhe i tha – Mos u tremb, mi goce, erdhëm vetëm të të themi “mirëmëngjes”. – Ec o shoku im – i tha ariut dhe doli, duke qenë i sigurt që nëpunësja e llogarisë, nuk e kuptoi fare se ku e kishte “togzën” ajo vizitë e ariut në zyrën e saj.

NË SHËNKOLL, PËR GJUETI

Ai kishte pasion gjuetinë e peshkut. Ishte anëtar i Shoqatës së Gjuetarëve, bile zgjedhur anëtar i kryesisë atje. Një ditë, me autobusin e shoqatës, me rreth 20 gjuetarë shkuam në Shënkoll për peshk. Në të errur, pas gjuetisë, u futëm në klubin e fshatit për t’u çlodhur e për të pirë një gotë raki. Atje ishin edhe disa vendalinj. Njëri prej tyre, gjuetar me çifte në krah, kur mori vesh që ne ishim të shoqatës pyeti:

-Or ju burra, më kanë bo me dije se, peshkatar është edhe shoku që merret më ariun në cirk.
-A e njeh ti atë? Pyeti dikush nga grupi ynë.
-Jo, besa, kam nigju, por me e pa, jo, he burrë.
-Ja pra ku e ke, ky me mustaqe është.
-Heu bre, – brofi në këmbë fshatari dhe me dy rosa që kishte vrarë atë ditë, iu drejtua Tahirit i cili për respekt ishte ngritur në këmbë.
– Jo, he burrë, po kaq sa qenke ti, si të mos të bindet ariu. Qe, burro. Merri këto dy rosa, i vrava sot. E kisha da menjen me i bo sonte në ditëlindjen e djalit, Kësmeti jot. Merri, mik, i paç hallall.

Sa shumë u gëzua ai njeri i thjeshtë që takoi dhe foli nga afër me artistin që zbuste kafshët. Tahiri i shtrëngoi dorën dhe e përqafoi

– Të pres në Tiranë, o mik – i tha Tahiri- të vish të shohësh shfaqjen tonë, se atje ka gjëra të tjera shumë të bukura. Hajde, biletën do ta paguaj unë.

Ne qeshëm, por edhe u ndjemë krenarë që mes nesh kishim një njeri, emri i të cilit ishte bërë i njohur anë e kënd Shqipërisë.

Një tragjedi që copëtoi zemrën e Tahirit

Himarë, 1975. Sezon plazhi. Trupa e Cirkut kishte ngritur Çadrën për të dhënë shfaqje për banorët dhe pushuesit e shumtë. Shtëpia e Kulturës kishte lëshuar aty pranë arenës një ambient modest për vendosjen e disa pajisjeve të cirkut, ariun, veshje, vegla etj.. Një mesnatë… Papritur qielli u shndrit. Në atë ambient kishte rënë zjarr!. Artistët, që flinin në hotel aty më tej, u ngritën të tmerruar vrapuan për te vendi që digjej, u shtangën. Nuk mund të bënin asgjë për shuarjen e zjarrit, që kishte përfshirë atë ambient shumë të pasigurt. Me kokën ulur dhe të tmerruar, qëndruan rreth mbeturinave që zjarri i fuqishëm la pas. Ariu ishte shkrumbosur! Tahiri qëndronte aty si i goditur nga një rrufe. Sytë e të gjithëve, herë-herë drejtoheshin nga Tahiri, i cili nuk po ndjente asgjë, nuk lëvizte e as fliste. Ishte ngurtësuar. Në sytë e tij të tmerruar u dukën lot që rrëshqitnin rreth harkut të mustaqeve. Ai burrë u dëgjua të rënkojë: – “Oh, Silva ime. Oh! Kushedi sa ke ulërirë… Kushedi sa më ke kërkuar të gjendesha aty, pranë teje. Silva, Silva ime”. Këmbët nuk po e mbanin dot, vuri duart mbi kokë dhe u përkul në gjunjë. I ishte copëtuar zemra. Plaga po mbyllej me shumë ngathtësi. Ai e ndjente se nuk mund ta kuptonte dot ndarjen me Silvën, por puna e kërkonte ta zëvendësonte. Brodhi zonave malore dhe e gjeti një që iu duk i përshtatshëm. Fillimisht iu desh mundim, gjersa e bëri shok. “Hajde bukurosh, tashti fillojmë nga ushtrimet”. Për disa vite unë punova vullnetarisht për pasurimin dhe sistemin e Arkivit artistik të Cirkut. Ishte një rregull i rreptë që në arenë, kur Tahiri punonte me ariun, nuk duhej të hynte asnjë njeri. Edhe dritat errësoheshin sipas kërkesave të mjeshtrit. Një ditë iu luta të më lejonte të filmoja pak çaste nga fazat e punës së tij.

– Mirë o Verdo, jemi shokë, nuk po ta prish, se fundja ju të arkivave hyni kudo, veç të lutem, kur të filmosh rri larg, të mos të të shoh. – Gjersa je ti me të, nuk kam frikë, o Taho.

-Jo, mor burrë, s’ka rrezik, por tani për tani ai nuk duhet të shohë njeri tjetër veç meje, gjersa të mësohet. Kupton?

Pasi mbaroi seancën, më la ta shoqëroja deri te kafazi me shufra hekuri të trashë. E futi brenda, duke belbëzuar ca komanda që unë nuk i kuptoja. E përkëdheli në qafë dhe ai iu përgjigj me një tingull shumë interesant. – Çao, çuno. Sillu mirë, se të ka Tahiri, shpirt. Unë filmova dorën e Tahirit, e cila ishte e fundit që prekte drynin e madh të kafazit varur te dera. Ai e vuri re që e filmova dorën e tij mbi dry dhe, duke shkuar gishtat mbi mustaqe, tha – “Vigjilencë Verdo, vigjilencë se, rujna Zot, bëhet hataja po doli prej këtu!”.

“JO, NUK PO FLE, PO SHKRUAJ”

Ja edhe një episod nga dhjetëra të tjerë. Ishim ngritur shumë herët në mëngjes, se do shkonim për gjueti në derdhje të Vjosës. Shumë rrugë e gjatë që nga Tirana. Ndonëse ishte pa u gdhirë, shakatë dhe rakitë filluan. Tahiri nuk para merrte pjesë në ceremoni të tilla. Ai mbante me vete një shishkë të vogël me një dopio raki, si i thonë, që zakonisht e pinte gjatë gjuetisë. Në autobus, ndenjëset ishin dy, nga dy. Te dera e hyrjes ishin dy karrige teke, njëra prej tyre ishte e “rezervuar” vetëm për Tahirin. Pak pasi niseshim. Ai vinte duart te pjesa e sipërme e karriges para tij dhe mbështeste kokën, sikur flinte. Ne ia dinim këtë zakon dhe nuk e shqetësonim. Atë ditë një shoku ynë kishte marrë me vete edhe nipin e vogël. Vogëlushi e vuri re që ai xhaxhi tek ajo ndenjësja tek, një nga gjuetarët, kishte mbështetur kokën dhe nuk lëvizte fare. E pyeti gjyshin: – O gjysh, ai xhaxhi atje, po fle, apo është i sëmurë? – Shko pyete – u përgjigj gjyshi.

-O xhaxhi gjuetar, më fal se të zgjova! Jo mor çun, nuk po fle. A flihet në tërë këtë zhurmë.

-Po pse e mban kokën gjithnjë mbështetur te karrigia, të zë autobusi?

-Jo mor, xhaxh, jo. Po shkruaj – Po shkruan?! –Po ku e ke fletoren”? – Ja , këtu – i tha Tahiri dhe vuri gishtin te koka. Po bisedoj me një ari. Po e ftoj të lozim basketboll. Truri i tij, imagjinata e tij, nuk reshtnin kurrë. Ai krijonte… Krijonte, pa mbarim. Edhe sikur të mos donte! E kishte “dënuar” dhuntia.

*** Tahiri nuk ishte i shkolluar për zbutës kafshësh. As kurs specializimi diku… Thjesht i lindur. Motoja e tij, pasion. fantazi, krijimtari, guxim, punë. Nëse diku do të hapej një shkollë për mjeshtërinë e zbutësit të kafshëve, atëherë autori i leksioneve, pedagog dhe udhëheqës artistik, padyshim do të ishte emëruar “Profesor Doktor’ Tahir Baçova. Atij i vinte keq që askush nuk i afrohej të merrte prej tij mësime, të fitonte eksperiencë. Po edhe nëse dikush do ta kishte atë dëshirë, kur shikonte çfarë krijonte i vetmi i atij lloji, stepej. E shihte si një gjë të paarritshme. Nuk mund t’i detyronte. Më në fund, këtë gjë e bëri me bashkëshorten e tij Sanien, e cila i përngjau plotësisht dhe u bë zbutëse kafshësh, por edhe ajo mbeti e vetmja femër e këtij profesioni në historinë e Cirkut Kombëtar Shqiptar. Çifti Tahir dhe Sanie Baçova mbetën unikë, të papërsëritshëm. Ata u lanë njerëzve një mesazh: Duajini kafshët. Ato e kuptojnë kur sjella juaj është njerëzore, ose jo e tillë. Tahir, Sanie Baçova, na mungoni, sepse ju kujtojmë shpesh…/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura