
Ish-presidenti serb, Boris Tadiç, lider i Partisë Demokratike në Serbi (DS), ka paralajmëruar rrezikun e ndikimit të krimit të organizuar në qeverinë e re serbe.
Ndërsa ka kujtuar se liderët që tashmë ka vendi janë aleatë të atyre të viteve ‘90 (kur Serbia u fut në luftë me të gjitha vendet e rajonit që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë), Tadiç deklaroi se mes emrave të paraqitur nga partitë e thirrura për të formuar koalicionin qeveritar, ka nga ata persona që glorifikojnë kriminelët e luftës si heronj. “Krimi i organizuar po përpiqet të bëjë ndryshime politike në Serbi”, tha Tadiç, duke theksuar se pret garanci nga Presidenti i ri serb, Tomisllav Nikoliç, se ai nuk do të bëjë kompromis me krimin e organizuar dhe struktura të lidhura me të dënuarit e Hagës. Tadiç, në një prononcim në revistën e përjavshme serbe “Novi”, tha se ai nuk ndihet më i sigurt, duke shtuar se niveli më i lartë i sigurisë në Serbi ka qenë në kohën e drejtimit të vendit prej forcave të tij. “Do ta shoh me kujdes Presidentin e ri, sa i gatshëm është ai për të marrë përsipër rreziqe të tilla. Kjo nuk është një kërkesë zyrtare, por është çështje praktike, e cila matet me numrin e kriminelëve të arrestuar gjatë drejtimit të vendit prej nesh dhe faktit nëse do të bëni kompromis me krimin, krimet e luftës, me çështje të interesave më të thella nacionale”, shpjegoi ai. Tadiç theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioriteti kryesore i PD në Serbi katër vitet e ardhshme. Ai shpjegoi se për qeverinë e tij ka qenë e pamundur të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, dhe të reformohet Gjyqësori në vetëm një mandat qeverisës. “Tani, për shkak të kthimit të fatit, jemi në një situatë që liderët politikë nga vitet ’90 po formojnë qeverinë, por me politikat e 5 tetorit”, tha kreu i DS, duke iu referuar 5 tetorit 2000, kur Slobodan Milosheviçi ra nga pushteti. Ish-presidenti shtoi se rezultatet e zgjedhjeve të majit do të ishin krejt ndryshe nëse ai do të kishte hënë dorëheqjen si lideri i DS. “Po të kisha dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Nuk mendoj se ndonjë do të më bindte në garën presidenciale, sepse unë isha President i të gjitha palëve”, përfundoi ai.
Vizita e nënsekretarit amerikan
Ndërsa në Serbi po formohet qeveria e re e drejtuar nga ish-ndihmësi besnik i Milosheviçit, lideri i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç, Beogradi u vizituar nga zv.ndihmëssekretari amerikan për Çështjet Euroaziatike, Filip Riker. Riker u takua me Daçiçin dhe sipas mediave serbe, ai kërkoi shpjegime mbi disa deklarata të bëra prej Kryeministrit të ardhshëm serb në lidhje me Kosovën. Pas takimit, Daçiç theksoi se SHBA nuk po ndërhynin në krijimin e qeverisë, por e cilësoi si plotësisht të kuptueshëm interesin e SHBA-ve mbi qëllimet dhe programet e qeverisë së ardhshme serbe, se ku do të bazoheshin ato. “Pozicioni im dhe ai i përbashkët i SNS, koalicionit SPS-PUPS-JS dhe rajoneve të bashkuara të Serbisë është se ne mbështesim integrimin në BE, do të vazhdojmë rrugën drejt BE-së, edhe bisedimet për çështjen e Kosovës dhe Metohijes, si dhe të respektojmë marrëveshjet e arritura në dialog”, tha Daçiç.
Takimi me Nikoliç
Zv.ndihmëssekretari Riker zhvilloi një takim të shkurtër edhe me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç, i cili tha pas takimit se zyrtari amerikan kishte marrë garanci se Serbia do të bashkëpunonte me SHBA dhe se ai vetë u informua se Departamenti Amerikan do të bashkëpunonte me çdo qeveri të mbështetur nga Parlamenti serb. I pyetur nëse Riker kishte ndonjë “kusht të fshehur” në lidhje me formimin e ndonjë koalicioni SNS (partia e Nikoliçit)- DS (partia e Tadiç), Nikoliç tha: “Mbase me dikë tjetër. Askush nuk mund t’i paraqesë kushte të fshehura një Presidenti”.











