Tadiç: Jemi OK me EULEX-in, pavarësia s’njihet sa të jem unë President

Aug 30, 2011 | 11:29

Presidenti serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se vendi i tij do të jetë në gjendje të heqë dorë nga kërkesa e vazhdueshme që KFOR të kontrollojë Kosovën deri në zgjidhjen statusit, duke pranuar që këtë mision ta kryejë EULEX-i. Tadiç tha se ka rënë dakord me këtë kërkesë të Kancelares Anxhela Merkel dhe se do ta pranojë atë, por nuk pranon të heqë strukturat paralele në Veri të vendit. Deri tani, serbët nuk e kanë pranuar misionin EULEX, duke deklaruar se prania e tij në Kosovë është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila sipas tyre mbetet ende në fuqi. Por dje, gjatë një takimi në Pragë me presidentin çek, Vaklav Klaus, Tadiç  tha se “Serbia është e gatshme të pranojë misionin e Bashkimit Europian në Kosovë”. Ai foli edhe për takimin e një jave më parë në Beograd me Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, ku u shpreh se ka pranuar të ndihmojë funksionimin e EULEX-it deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit. “Këndvështrimi i Kancelares Anxhela Merkel ishte që Serbia të sigurojë funksionimin e EULEX-it në të gjithë Kosovën dhe Beogradi t’u rikthehet bisedimeve me Prishtinën”, tha Tadiç. Sipas tij, të dyja kërkesat janë të pranueshme për Serbinë. Për sa i përket kërkesës për heqjen e strukturave paralele, Tadiç tha se Serbia nuk do të tërheqë përfaqësuesit e saj nga Kosova veriore dhe se nuk do ta njohë pavarësinë, për sa kohë ai do të jetë President.

© Panorama.al

Te lidhura