Tadiç: Jam gati ta takoj Thaçin “për bisedime konstruktive”

Feb 4, 2012 | 12:13

Tadiç e Thaçi

Presidenti serb flet një ditë pas “ftesës” së Kryeministrit Thaçi

Kushti i kreut serb: Bisedimet nuk duhen përdorur për të promovuar pavarësinë e Kosovës

Presidenti serb, Boris Tadiç, tha se ai është i gatshëm të takohet me Hashim Thaçin, “vetëm nëse bisedimet do të kontribuonin në zgjidhjen e çështjeve për Kosovën e Metohinë”. Deklarata e Tadiçit erdhi një ditë pasi Kryeministri kosovar deklaroi se është i gatshëm të takohet me Presidentin e Serbisë për të diskutuar mbi zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve dhe për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore. “Qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë të drejta dhe ne dëshirojmë që njëherë e përgjithmonë ta vëmë në rend dite gjithë situatën. Serbia duhet të ndryshojë qëndrimin, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit. Unë dhe Boris Tadiç, si liderë, kemi për detyrë që t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Unë jam i gatshëm të ulem me zotin Tadiç për të biseduar për këto çështje. Dua të theksoj se për politikën e brendshme të Kosovës do të vendosim ne e jo Serbia”, ka deklaruar Thaçi një ditë më parë në një televizion maqedonas. Një takim i tillë, sipas Tadiçit, nuk do të ishte i pranueshëm “nëse do të përdorej për të promovuar shtetësinë e Kosovës, simbolikat e saj zyrtare apo folklorin politik”. Tadiç tha se kishte hapësira për të diskutuar nëse “pala tjetër është gati për të shqyrtuar planin me katër pika apo ndonjë plan tjetër”. Në një konferencë pas një takimi trepalësh me homologët e tij nga Kroacia dhe treshen e Bosnje-Hercegovinës, Tadiç tha se “nuk është i gatshëm të mbajë takime me Thaçin vetëm për të thënë se u organizua një takim dhe për t’i siguruar medias diçka për të raportuar, por sepse është e nevojshme që bisedimet të jenë efektive dhe të sjellin disa përmirësime”. Tadiç kujtoi se ai e kishte takuar një herë Thaçin gjatë bisedimeve të mbajtura në kohën e Vojisllav Koshtunicës, kështu që prej tij nuk kishte pengesa personale për të kryer një takim të tillë. “Për më tepër, bisedime të tilla nuk duhen përdorur për të promovuar shtetësinë e Kosovës, sepse bisedimet janë të nevojshme për të kontribuar në zgjidhjen e disa çështjeve”, theksoi Tadiç.

Thaçi për Republikën
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qetësuar debatet e ashpra politike mbi njoftimet e mediave se Kosova ka pranuar të heqë termin “Republikë” në përfaqësimet e saj rajonale, duke u shprehur se edhe sikur të gjitha partitë të jenë pro heqjes së këtij termi, ai vetë nuk do ta pranojë kurrë një kompromis të tillë.

Krasniqi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, paralajmëroi se delegacioni i negociatave do të japë llogari, nëse ndodh të hiqet termi “Republikë” në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Gjatë emisionit “Rubikon” në KTV, Krasniqi theksoi se heqja e termit “Republikë” në takimet rajonale është shkelje e Kushtetutës. Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka siguruar në emisionin “Interaktiv” se Kosova nuk do të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare pa termin “Republikë”. Kuçi tha se nëse do të ketë fusnotë për Kosovën, do të ketë edhe për Serbinë, dhe se nuk do të pranohet asnjë fusnotë e cila do ta dëmtojë Republikën e Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura