Tadiç do më shumë kujdes nga OSBE-ja

May 16, 2012 | 15:00

Boris Tadiç, ish-presidenti serb i cili garon sërish në balotazh me Tomisllav Nikoliç për të parin e vendit, ka kërkuar nga OSBE-ja që të forcojë vëzhgimin në raundin e dytë zgjedhor, pas akuzave për mashtrime zgjedhore nga rivali i tij Nikoliç. Pak ditë më parë, Nikoliç paralajmëroi protesta dhe tha se nuk e njeh rezultatin, pasi duhej të ishte ai i pari dhe jo Tadiç. Por më pas deklaroi se nuk do të tërhiqet nga raundi i balotazhit. Kjo ka nxitur ish-presidentin Tadiç, kreu i Partisë Demokratike në Serbi, që të marrë masa. “Ne i kërkojmë OSBE-së të rrisë numrin e vëzhguesve në qendrat e votimit në Serbi, me qëllimin për të forcuar kontrollin e procesit zgjedhor. Ne ju kërkojmë të merrni pjesë në mënyrë shumë të konsiderueshme në procesin zgjedhor dhe të ndihmoni që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të zhvillohet në qetësi dhe pa incidente, me qëllim që vullneti i shprehur nga qytetarët gjatë zgjedhjeve të mos vihet në pikëpyetje”, thuhet në kërkesën e partisë së Tadiç.

© Panorama.al

Te lidhura