
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ia ka dalë t’i bind udhëheqësit e strukturave paralele që të përmbushin marrëveshjen e arritur me KFOR-in dhe të ruajnë stabilitetin në veri të Kosovës. Tadiç i ka takuar përfaqësuesit e serbëve të Veriut për më shumë se tri orë, të dielën mbrëma, në Beograd. Ata kanë kërkuar nga presidenti serb që shteti të insistojë në respektimin rigoroz të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
“Jemi marrë vesh që të gjithë bashkë të ruajmë qetësinë, unitetin dhe stabilitetin në atë pjesë të Kosovës, të vazhdojmë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe që në të gjitha kontaktet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të kërkojmë që të respektohet në mënyrë rigoroze Rezoluta 1244”, iu tha gazetarëve, pas takimit, Radenko Nedelkovic, shef i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës.
“Na është konfirmuar se kemi mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Serbisë dhe jemi pajtuar që përfaqësuesit lokalë bashkë me kreun shtetëror t’i zgjidhin të gjitha problemet në veri të Kosovës, që do të thotë se kemi përkrahjen e plotë të institucioneve shtetërore”, shtoi ai.
Në një komunikatë për media të Kabinetit të Tadiçit thuhet se presidenti i ka porositur përfaqësuesit e Veriut se në Kosovë oër qetësi dhe bashkim. Sipas komunikatës, pjesëmarrësit në takim janë pajtuar që KFOR-i dhe EULEX-i duhet të kenë status neutral në Kosovë.
Ministri Goran Bogdanoviç tha se në takimin me Tadiçin është biseduar për situatën në Veri dhe presidentit i është bërë e ditur se populli serb në Kosovë qëndron fort përkrah Serbisë dhe i bëson udhëheqësisë së saj.(Express)
© Panorama.al











