Tabloidi britanik “The Sun” vendos të publikojë fotot nudo të princit Harry

Aug 26, 2012 | 12:05

Përgjigjja dhënë familjes mbretërore: “Janë në interes të publikut”

Janë fotot që kanë pushtuar të gjitha sitet dhe që kanë hapur dhe një herë diskutimin e privatësisë së personazheve të njohur. Dhe kësaj here fjala është për princin Harry dhe familjen mbretërore të Britanisë së Madhe. E paralajmerimet e familjes mbretërore për ndjekje ligjore ndaj mediave që publikojnë fotot nudo të princit Harry, për shkak se ato përbëjnë shkelje të privatësisë, nuk e kanë penguar vendimin e drejtuesve të tabloidit britanik “The Sun”, që vendos të thyejë kërkesën e familjes mbretërore dhe publikon e para në Britani fotot nudo të princit, i treti në kurorën britanike. “The Sun”, në pronësi të manjatit mediatik, Rupert Murdoch, vendosi në faqe të parë njërën prej 2 fotove të njohura deri tani nëpërmjet TMZ-së, me argumentin se ky botim është në interes të publikut. “Fotot kanë ndikim të drejtpërdrejtë në imazhin e princit që përfaqëson Britaninë e Madhe nëpër botë”, shkruan “The Sun”. Fotografitë super të diskutuara, që kanë rizgjuar debatin media-privatësi e njerëzve publikë tregojnë Harry-n 27-vjeçar dhe një vajzë të re të zhveshur në një dhomë hoteli, rrjedhojë, siç u sqarua më pas, e një loje mes tyre të përfunduar keq, pasi kush humbiste në bilardo duhet të hiqte të gjitha rrobat e trupit. Festa e grupit ishte organizuar në një suitë që kushton 5 mijë paund nata, ndërkohë që u fol se fotot ishin marrë me një aparat celular. Fotot nudo të princit Harry, krejtësisht i shfrenuar gjatë kësaj feste me miqtë në Wynn Resort të Las Vegasit, u përhapen shpejt në internet, një ditë pas publikimit nga site i thashethemeve TMZ. Familja mbretërore paralajmëroi mediat se ata që do të publikonin videon dhe fotot do të kishin pasoja, pasi sipas tyre ato përbëjnë shkelje të privatësisë. Megjithatë, përpjekjet për bllokimin e publikimit të tyre nëper gazeta kanë nisur, me argumentin se përbëjnë shkelje të privatësisë. Saint James Palace, rezidenca zyrtare e familjes mbretërore njoftoi se ka kontaktuar për këtë çështje komisionin e ankesave ndaj shtypit. Edhe pse konfirmoi autenticitetin e fotove polemizuese, Pallati shprehu shqetësim për shkeljen e Kodit Etik, nëse ato do të publikohen. Disa botues e shohin vendimin për të mos i përdorur fotografitë si tregues të qartë se hetimi Leveson, i cili kontrollon etikën e medias ne Britani, i ka neutralizuar krejtësisht gazetat vendëse. “Harry është një djalë fantastik”, tha për “Daily Telegraph “, Dai Davies, ish-shef i shërbimit të sigurisë në Policinë e Londrës, “por ndonjëherë, ta kontrollosh është një makth i vërtetë. Edhe pse janë shfaqur në blogje të ndryshme interneti dhe patën jehonë të gjerë në shtypin amerikan, fotot e princit të zhveshur nuk ishin publikuar nga asnjë gazetë britanike. Pamjet u paraqitën për herë të parë të mërkurën në faqen amerikane të internetit për showbiz tmz.com. Në njërën nga dy fotografitë, 27-vjeçari bart vetëm orën e dorës dhe një gjerdan, përderisa organin gjenital e mbulon me njërën dorë. Në foto shihet një person tjetër i zhveshur tërësisht duke qëndruar prapa princit. Në fotografinë tjetër, princi shihet duke u përqafuar me një person tjetër që është gjithashtu i zhveshur tërësisht. Nuk mund të dallohet se a bëhet fjalë për mashkull apo femër. Princi Herri po qëndronte në Las Vegas, për shkak se udhëhoqi një ngjarje bamirësie në San Diego.

© Panorama.al

Te lidhura