T’i kërkohet falje Idajet Beqirit

Jun 13, 2012 | 13:28

MOIKOM ZEQO

Mora vesh me shqetësim për burgosjen e mikut tim, Idajet Beqiri, nga Policia e Kosovës, në pikën kufitare të Vërmicës. Kjo ngjarje me është dukur e pabesueshme dhe paradoksale. Aq më tepër më duket i pakuptimtë shkaku i arrestimit sipas një akuze virtuale dhe jo juridike, që gjoja Idajet Beqiri akuzohet për “nxitje të dhunës ndëretnike”.
E njoh prej vitesh zotin Idajet Beqiri, e njoh jetën e tij dhe sidomos jetën si veprimtar shoqëror dhe politik. Ai është krijuesi i partisë legale politike sipas të gjitha parametrave kushtetuese në Shqipëri, të quajtur Partia e Unitetit Kombëtar. Kjo parti legale politike ka kontribuar për çështjen kombëtare shqiptare me shumë veprimtari si dhe me organin e saj periodik gazetën “Kombi”, ku edhe unë kam bashkëpunuar shumë herë.
Aktualisht Idajet Beqiri është një nga avokatët e njohur shqiptarë i licencuar pikërisht për njohjen dhe zbatimin e ligjeve, pra është ekspert i mirëfilltë juridik. Veprimtaria e tij për çështjen kombëtare shqiptare ka qenë konform dhe në harmoni me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe me dispozitat kushtetuese të shteteve demokratike në përgjithësi. Ai është shquar në këtë fushë dhe ka dhënë një kontribut duke sakrifikuar dhe duke u përballur me akuza nga më absurdet, pasojë e luftës politike kaq të ashpër dhe të egër që ndodh në rajonin e Ballkanit.
Të besosh se Idajet Beqiri ka “nxitur dhunën dhe urrejtjen ndëretnike” do të thotë thjesht të paragjykosh dhe të demonizosh të vërtetën. Unë e di shumë mirë se, me një akuzë të tillë, Idajet Beqiri është përballur me drejtësinë edhe në Shqipëri dhe drejtësia gjakftohtë, domethënë drejtësisë juridike, e ka nxjerrë të pafajshëm. Tani, për të njëjtën akuzë misterioze arrestohet në Kosovë dhe për më tepër pengohet që t’i dërgohet nga Tirana drejt Prishtinës referenca gjyqësore e pafajësisë së Idajet Beqirit për përsëritjen tautologjike të të njëjtit rast akuzues.
Mbajtja në burg e Idajet Beqirit është një nonsens juridik, një prekje e padrejtë e figurës së tij. Prandaj unë apeloj me bindje të plotë që Idajet Beqiri të lirohet menjëherë, madje duke i kërkuar edhe falje për këtë arrestim të padrejtë.

© Panorama.al

Te lidhura