Hë mo burrecë, hë mo shqiptarë, i shihni sytë e pëllumbeshës, kësaj krijese me emrin Marie? Po faqet si pjeshkë dhe buzët trishtueshëm të bukura ia shihni?! Si mendoni, kush vlen më shumë, histerizmi ynë kolektiv vëllavrasës, jeleku i Kryeministrit, apo zemra e vogël e kësaj drite agimi që s’rreh më nën lëkurën e bardhë dhe të brishtë?! Dje mbylla veshët, mbylla shpirtin, siç bëj shpeshherë këto vite (për mbijetesë), pasi nuk doja ta ndieja, ta kuptoja, ta qaja Marien, por s’i mbylla dot më që në momentin që hasa sytë e saj. Oh, Perëndi, ç’më bëre! Po unë s’kam më fuqi të vuaj, as të qaj, as të shaj, jetoj në Shqipëri, dhe këtu të gjithë zvarritemi si vemje të shtirura, por ja…
S’kam çupë, s’kam nënë, s’kam teze, s’kam motër, e kjo është një ndër brengat e mia personale…. Po kur rrugëve përkëdhel çupat e dynjasë, fytyra e çupës sime të shpirtit ka sytë e Maries, buzkat dhe lëkurën e saj të bardhë, buzka dhe sy që shqiptari bastard i shekullit të ri përplasi sheshit me plumba që as një ballkanas veç një shqiptari mund t’i qëllojë me pabesinë e një mostre që kurrë një bark nëne s’mund ta ketë pjellë. Askush si shqiptari ndër Ballkan s’vritet kaq shumë brenda llojit, askush nuk i vret Shën Mariet e tij si ne!
Shteti hesht o Shën Marie, hesht se ka 20 vjet që u jep pushkën në dorë gjakësve që ai shndërroi në gjakës, hesht se është vetë gjakës, është gjakës me tri milionë fytyra, nga një për çdo shqiptar, ndaj hesht sot, hesht dhe as që do t’ia dijë që një pëllumbeshë me sytë tanë më të mirë sot dergjet nën tokë dhe jo në krevatin e ëndrrave të saj 17-vjeçare krah nënës që me shpirt e rriti.

Mos prit që Kryeministri i adoleshencës tënde të vrarë me plumba kokës të mbajë frymën dhe t’i përloten sytë për ty, mos prit që as ai tjetri që rri përballë me Twitter në dorë të tundë tokën e nëmur e ta kthejë përmbys për gjëmën që u bën antishteti shqiptarëve. Jo, moj dritë, ti nuk hyn në prioritetet e tyre, as lindja dhe as vdekja jote dhe e njomëzakëve të tjerë që prej vitesh janë në shënjestër të barbarëve. Mos prit që edhe Zeusi i përkohshëm Arvizu të lërë homoseksualët e të rendë drejt teje dhe qindra të tjerëve që të mpakur vdesin nga pak çdo ditë prej drejtësisë kriminale të munguar.
Mos u çudit, o Shën Marie, kur të të vijnë të njëmbëdhjetë deputetët e qarkut tënd bashkë me kryegruan Jozefinë për të ngushëlluar nënëzezën, se kështu jemi ne, moj shpirt, të vrasim dhe të qajmë, se ky shtet, moj xhane, thotë: fajin e ka Kanuni: Kanuni u shkel, pasi ky shtet është shtet bastard, shtet mafioz, ndaj Kanuni mbijeton dhe bën kërdinë dhe veç Zoti është me ne, por dhe ai është lodhur!
Mos prit që asnjë biri politikani a shtetari t’i qajë zemra e kalbur për ty dhe të ngujuarit e tjerë; mos prit, moj shpirt, që s’ke ç’pret më. Ti je përfundimi i një cikli që të gjithëve na pret me radhë në këtë HALE të madhe.
Dikur ju ngritën një fshat mafioz diku nga Berati që t’ju mblidhnin të gjithëve që t’ju mbronin nga hasmi. Më vonë gjoja do t’ju sillnin mësues ndër shtëpitë e murosura nga frika dhe hekurat që ju të dënuar me vdekje të mos vdisnit injorantë. Eh, ç’ironi, eh ç’cinizëm! Shteti bastard KAPITULLON para gjakësit dhe si skile fshihet dhe gjasme fsheh të pafajshmit.
S’dua ta lodh zemrën tënde të fikur me lloqje OJF-sh perverse që kujtohen veç kur ti vdes, o vogëlushe, ndërkohë ti kishe vite që i prisje, dhe jo vetëm ti, dhe jo vetëm ata, por ti prisje dhe policin bashibozuk që e dinte, e priste dhe e kish parë me qindra herë pushkën drejtuar syve të tu të bukur, ti prisje dhe Prokuroren që të linte për pak mënjanë pozat për arredimin e shtëpisë numër 5 dhe t’i nxirrte dhëmbët gjakësit tënd që ish prej kohësh duke konsumuar veprën e rëndë penale të kërcënimit për jetën, ti prisje Gjyqtarin të të mbronte, ti më prisje dhe mua, moj shpirtushe, me vështrim të vrarë, por ne nuk të erdhëm, lamë që sytë dhe buzkat e tua të njoma të përplaseshin përgjakshëm në këtë tokë të nëmur, pasi ti jemi ne, dikur të mirë!












