
Kreu i Grupit socialist në PE, apel politikës shqiptare.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hans Svoboda, ka theksuar se të dyja këto çështje janë kusht që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Shqipërinë e presim krahëhapur, por duhet të ndihmojë duke bërë detyrat. Reforma zgjedhore e Presidenti konsensual janë kyç për statusin”, u shpreh dje Svoboda. Deklarata e kreut të Grupi Parlamentar socialist në PE, Svoboda, është bërë gjatë takimit me kreun e PS-së, Rama, në një tryezë rajonale të organizuar në Athinë për identitetin europian. Në këtë tryezë merrnin pjesë dhe Sravros Lambrinidis, zv-president i partive socialiste evropiane. Moderator i këtij takimi ishte Fate Velaj, shqiptari që jeton në Vjenë, piktor, fotograf, murator, krijues i iniciativave dhe strategjive politiko-kulturore europiane, mbajtës i çmimit “European citizen prize”, dhënë nga presidenti i Parlamentit Europian për personalitete të spikatura në promovimin e vlerave europiane. Për rreth 110 minuta dialog mes politikanëve të njohur, Rama, Svoboda dhe Lambrinidis, u trajtuan çështjet e së ardhmes europiane të Shqipërisë. I pyetur se sa larg është Shqipëria nga anëtarësimi, për të cilën vetë Svoboda në 2007 kishte dhënë një afat të përafërt me vitet 2014-2015, kreu i europarlamentarëve të majtë tha: “Me Shqipërinë nuk kanë filluar akoma negociatat dhe mua kjo më trishton shumë. I kam kushtuar një kohë shumë të gjatë Shqipërisë. Kam qenë vëzhgues në Shqipëri. Ato që dukeshin jo normale atë vit zgjedhjesh që ju rekomandonim t’i zgjidhnit, në zgjedhjet e tjera ju shtoheshin të tjera probleme”. Shqetësimi i partnerëve të huaj në Shqipëri lidhur me cilësinë e Presidentit të ri janë rritur ditët e fundit. Ambasadori danez në Tiranë, Karsten Jensen, tha dy ditë më parë se nuk është e domosdoshme që Presidenti të jetë nga radhët e politikës. “Duhet pasur kujdes çfarë njerëzish zgjidhni. Ka politikanë në Kosovë dhe në Shqipëri që nuk do të jenë asnjëherë në gjendje t’i udhëheqin vendet tuaja drejt BE-së për shkak të asaj që ata përfaqësojnë në të shkuarën dhe në të tashmen e tyre, që është kundër asaj tek e cila beson BE. Nëse je i korruptuar, je kriminel, dhe ne nuk duam të importojmë kriminelë në Europë”, u shpreh Jensen.
© Panorama.alPresidenti i ri: Më 30 maj, votimi i parë në Kuvend
Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi që më 30 maj të zhvillohet raundi i parë i votimit në Kuvend për Presidentin e ri të vendit. Edhe pse katër ditë para votimit të parë, ende asnjë emër i përveçëm nuk është diskutuar nga palët. Në të gjitha takimet zyrtare të zhvilluara të premten pasdite mes Kryeministrit Berisha dhe aleatëve të tij në koalicion, është folur për proces transparent, gjithëpërfshirës që do të sjellë një President konsensual që në raundin e parë. Por, mungesa e konsultimeve me Partinë Socialiste rrezikon që raundi i parë të kalojë pa ndonjë kandidat, por vetëm të realizohet si procedurë parlamentare.











