Supermodelja Miranda Kerr Linjat perfekte pas lindjes së fëmijës!

Aug 7, 2011 | 11:39

Në shfaqjen e fundit mediatike, ajo i ka mahnitur të gjithë me linjat e saj trupore! Dhe po të mos ishte për jehonën e shtatzënisë dhe gjithë vijueshmërinë e lindjes së fëmijës, vështirë për ta besuar se nga trupi i saj vetëm shtatë muaj më parë lindi një krijesë e bukur. Mamaja e vogëlushit Flynn Christopher ka dëshmuar se nuk është vetëm një supermodele e pasarelave botërore, por edhe një maniake e formave perfekte. “Ndodh që pas lindjes së fëmijës trupi pëson deformime dhe për një modele si unë silueta trupore është në plan të parë. Kam treguar kujdesin dhe vëmendjen e një “murgu” kundrejt trupit tim, sepse nuk kam dashur që kjo shtatzëni të më tjetërsojë. Ndonëse trupi duhet pranuar me gjithë defektet dhe ekzistencën e tij”, është shprehur modelja për prestigjozen amerikane “U.S. Weakly”. Përpara pak ditësh, Miranda sfiloi në pasarelë për stilistin David Jones dhe pamja e saj e jashtme ka thithur vëmendjen e të gjithë të pranishmëve aty. Një habi e shoqëruar me shumë pikëpyetje se si është e mundur që brenda një harku kaq të shkurtër kohor trupi i saj pas lindjes të jetë në format e dikurshme, në linjat perfekte dhe asnjë dëmtim të lëkurës. Kjo u pa dukshëm në momentin kur ajo u ngjit në pasarelë me rroba banje duke prezantuar modelet e reja të kostumeve të banjës si pjesë e tendencave 2011-2012. “Jam kujdesur shumë për veten time. Kam mbajtur një regjim ushqimor strikt dhe kam konsumuar produkte ushqimore të kontrolluara. Besoj se ushtrimet fizike, noti dhe sidomos yoga më kanë ndihmuar që ta kaloj pa asnjë sforcim këtë fazë të jetës sime”, vijon ajo. Nëse për një moment do të mendojmë për nëna apo mama maniake pas punës dhe karrierës profesionale, në rastin e Miranda Kerr kjo tezë bie poshtë. Për revistën amerikane ajo është shprehur se shpeshherë i ka thënë bashkëshortit, Orlando Bloom, se për të familja është e para, më pas vjen puna. Përkushtimi ndaj bashkëshortit dhe djalit vetëm shtatë muajsh është angazhimi i parë dhe më i rëndësishmi në axhendën e saj të ditës. Pikërisht ky është një tjetër element që e ka ndihmuar të vendosë ekuilibrat mes vetes dhe gjithçkaje përreth. Jo pak herë ajo është shembulli ideal për t’u ndjekur nga shumë femra në mbarë botën..një supermodele me kontrata pune milionadollarëshe, një nënë e re dhe e realizuar, një grua e dashuruar marrëzisht pas të shoqit dhe mbi të gjitha, një ikonë e pazëvendësueshme e bukurisë femërore.

© Panorama.al

Te lidhura