Superkupa ndez Korçën, Tirana “qan” udhëtimin

Aug 18, 2011 | 12:14
Nga një ndeshje ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës

Qyteti i Korçës po e pret me shumë entuziazëm finalen e Superkupës mes Skënderbeut dhe Tiranës. Përgatitje, emocione dhe atmosferë festive para sfidës që do dhurojë trofeun e parë sezonal.Ndërsa ekipi korçar ka pasur të gjitha kushtet për të pritur qetësisht përballjen, kryeqytetasit kanë vuajtur një ditë para saj. Udhëtimi i bardhebluve me autobus ka qenë tepër i mundimshëm dhe një pjesë e futbollistëve kanë pasur mjaft probleme. Të vjella, marrje mendsh dhe lodhje fizike, këto kanë bërë që skuadra të shkojë me vonesë në qytetin juglindor, të shtyjë orarin e stërvitjes së djeshme dhe mbi të gjitha të bëjë një seancë më se të thjeshtë. Por, kjo nuk ka ndikuar te besimi i trajnerit Hulian Rubio për të arritur fitoren: – “E parashikoj një ndeshje të vështirë. Kjo është një finale e madje shumë e rëndësishme për ne. Ndaj, pres më të mirën nga Tirana. Nuk mund të mendoj që ekipi im të dalë në fushë dhe të lejojë kundërshtarin të vendosë ai për lojën. Pres të tregojmë se cilët jemi në të vërtetë. Ne jemi superiorë dhe një gjë të tillë duhet ta shfaqim pikërisht nesër (sot)”, deklaroi trajneri spanjoll i bardhebluve.
Shpëtim Duro
Nga ana tjetër, edhe tekniku i Skënderbeut shprehet optimist për triumfin në sfidën e sotme. “Është një ndeshje finale e barasvlershme me një trofe. Dëshira jonë është ta fitojmë këtë trofe, ashtu si ka bërë dhe kundërshtari ynë. Duhet të luftojmë përgjatë gjithë 90 minutave dhe të jemi të kujdesshëm të mos bëjmë asnjë gabim. Përballje të tilla vendosen nga elementët e vegjël. Gjithsesi, unë jam optimist dhe kam besim te forca e skuadrës sime. I kemi të gjitha mundësitë për ta fituar”, deklaroi trajneri Duro. Ky i fundit e ka fituar edhe më parë Superkupën e Shqipërisë, kur drejtonte Besën.

Formacionet e mundshme

Skënderbeu
(4-3-1-2)

Shehi, Radas, Bici, Vrapi, Arapi, Bratiç, Orelesi, Allmuça,  Shkëmbi, Muzaka, Xhafaj

Tirana
(4-4-1-1)

Lika, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj, Kërçiku, Situma, G.Muça, G.Lika, Al Ajmi, Bala

Andi Lila: Tirana merr edhe titullin, nëse fiton Superkupën

Andi Lila fitoi Kupën e Shqipërisë me Tiranën si kapiten i saj, ndërsa sot do ta ndjekë ndeshjen e Superkupës kundër Skënderbeut nëpërmjet televizorit. “Pres me padurim ta shikoj këtë sfidë. Doja të isha edhe unë në Korçë. Gjithsesi, unë kam besim që Tirana do tregojë forcën e vërtetë në fushë. Bëhet fjalë për një skuadër me traditë. Sfida ka për të qenë e ekuilibruar, për vetë faktin se Skënderbeu ka mjaft futbollistë cilësorë. Mendoj se minutat e para do jenë vendimtare, pasi korçarët do kërkojnë të shënojnë sa më shpejt. Nëse bardheblutë do fitojnë Superkupën, atëherë kanë për të fituar edhe titullin kampion”, u shpreh ish-kapiteni i Tiranës. Ai komentoi edhe mbi aventurën e tij te PAS Janina: – “Deri tani po shkon gjithçka shkëlqyeshëm. Trajneri dëshiron që të luajë si mesfushor mbrojtës. Unë ndihem më mirë në krahun e djathtë, por jam gati të luaj kudo për të qenë në formacion”.

© Panorama.al

Te lidhura