Superkupa, FSHF shqyrton ngjarjet në Korçë

Aug 19, 2011 | 10:08

TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar sot lidhur me incidentet që përfshinë dje ndeshjen mes Skëndërbeut dhe Tiranës, e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, e cila u fitua nga ekipi kryeqytetas.

Sipas FSHF-së, tifozët e Tiranës kanë qenë shkaktarët e asaj çfarë ka ndodhur jashtë dhe brenda stadiumit.

Në komunikatën për shtyp të FSHF-së thuhet se , “një grup tifozësh të Tiranës kanë tentuar të hyjnë pa bileta në vendin e caktuar për ta në tribunën përkarshi. Më pas, një pjesë e tyre që ishin vendosur në stadium në pjesën e caktuar për ta edhe sipas marrëveshjes me klubet, dolën jashtë stadiumit duke u bashkuar me grupin tjetër të cilët këmbëngulnin të hynin në stadium pa bileta”

Sipas Federatës, ka qenë  insistimi i saj dhe nderhyrjes së presidentëve të klubeve që ka bërë që loja të fillonte, pavarësisht se 60 minuta me vonesë.

“Dhjetë minuta nga fillimi i ndeshjes, loja u ndërpre për shkak se nga grupi i tifozëve te Tiranes u hodhen në fushë dhe drejt vendeve të tifozëve korçarë fishekzjarrë dhe gazlotsjellës. Kjo u shoqërua më pas dhe me invadimin e fushës nga tifoze të dy palëve.  Pas kesaj, skuadra e Tiranës u largua nga fusha ndërsa tifozat e saj dolën nga stadiumi. Pas kumunikimit me Delegatin e ndeshjes, ekipi i Tiranës u rikthye në fushë dhe loja filloi dhe u zhvillua normalisht deri në perfundimin e saj”- shpjegon FSHF në një komunikatë të shpërndarë sot për mediat.

FSHF shpreh shqetësimin e saj për ngjarje të tilla, që sipas saj, nuk kanë të bëjnë me futbollin, ndërsa paralajmëron se kjo ngjarje do të merret në shqyrtim nga organet e disiplines dhe rregullorja do te zbatohet pa asnjë lëshim.

© Panorama.al

Te lidhura