Superkupa, FSHF dyshon për sabotazh

Aug 20, 2011 | 12:02
Skënderbeu-Tirana 0-1, moment nga ndërprerja e ndeshjes

Në institucionin e futbollit shqiptar dyshojnë për sabotazh të ndeshjes së Superkupës, Skënderbeu-Tirana.Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, akuzon klubin bardheblu për atë që ndodhi në Korçë. Ai konfirmoi edhe nisjen e hetimeve për këtë çështje, ndërkohë që theksoi se federata do të ankohet edhe në Bashkinë e Tiranës për qëndrimin që mbajtën zyrtarët e klubit bardheblu. “Do ta hetojmë hollësisht këtë çështje. Gjithçka do t’i kalojë Komisionit të Disiplinës dhe ju garantoj se do të ketë masa të ashpra. Sigurisht nuk mund të flasim pa fakte. Unë nuk mund të aludoj nëse ka pasur apo jo sabotazh,”- ka thënë fillimisht Prodani.
Akuzat
“Klubi i Tiranës është shumë fajtor për atë që ndodhi në Korçë. Pavarësisht nga rrëmuja që kishte në shkallët e stadiumit, klubi duhet të sillej në përputhje me rregulloren. Loja filloi me një orë vonesë, sepse lojtarët dhe drejtuesit e Tiranës kërkonin që më parë të futeshin tifozët në stadium, pastaj ndeshja të niste. Vendet e tifozëve ishin gati, pasi me klubin kishim folur dhe biletat gjithashtu ishin shitur në kohë. Por, edhe pse të gjitha gjërat ishin diskutuar disa ditë më parë me klubin dhe kishim rënë dakord, ndodhi e kundërta. Si gjithmonë, klubi i Tiranës tregoi se është krejtësisht i paorganizuar. Madje, mund të them se nuk na kanë thënë konkretisht sa tifozë do të vinin, qoftë edhe me autobusë. Gjithçka e lanë për në momentet e fundit. Megjithatë, faji ishte tërësisht i skuadrës, që u soll në mënyrë të papërgjegjshme. Bëmë një orë negociata dhe kërcënime që të fillohej loja. E vumë në dijeni klubin për pasojat që mund të ketë. Nëse do të vepronim sipas rregullores, atëherë ndeshja nuk do të zhvillohej. Ky do të ishte një dëm shumë i madh për Tiranën, sepse do të konsiderohej si braktisje e veprimtarisë dhe Kodi i Disiplinës parashikon masa shumë të rrepta për këtë rast. Duke përjashtuar presidentin Halili, mund të them se në tribunën VIP, anëtarë të klubit të Tiranës janë sjellë në mënyrën më të papërgjegjshme. Rreth qëndrimit të tyre ne do të bëjmë një ankesë edhe në Bashkinë e kryeqytetit,”- është shprehur dje Prodani.
Agim Zeqo
“Tirana kishte ardhur me qëllimin për të prishur ndeshjen. Kam informacionet e duhura që e dëshmojnë këtë fakt. Përjashtoj nga kjo lojë presidentin e Tiranës, të cilin e kam mik, sepse është një njeri që nuk bën prapaskena. Kurse të gjithë të tjerët, duke filluar nga sekretari i klubit, juristin etj., duhet të them që e kishin filluar pa ardhur në Korçë lojën e tyre. Presioni i parë ishte ai i çështjes së arbitrit. Gjithashtu i është bërë presion presidentit të ekipit të Tiranës para se të fillonte ndeshja, për një gjë që ishte e pamundur të ndodhte për shkak të kushteve që ka stadiumi, pasi stadiumi nuk ka dy dyer dhe nuk ka ndarje në mes tek tribuna e tifozëve. Duhet të them se kur kërkon një gjë të pamundur, kjo është një absurd”, – ka treguar në prononconim e tij presidenti Zeqo.
Refik Halili
Presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk mendon se ka pasur skenar për prishjen e ndeshjes. “Organizatori i ndeshjes ishte federata dhe nuk mendoj se ka pasur diçka që është bërë me dashje. Ndoshta ndonjë zyrtar i federatës nuk ka bërë punën mirë, por jam i bindur se nuk ka pasur skenar. Konflikti nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse federata do të vendoste tifozët pas portës. Kuptohet që revolta të tifozëve ka në shumë vende, por gjithçka do të evitohej nëse federata do ta organizonte më mirë ndeshjen. Në tribunën përballë ishte vetëm një hyrje për tifozët. Ne negociuam me tifozët, por ata nuk pranon të lëviznin,”- ka thënë Halili. Kreu i klubit bardheblu u mundua që të qetësonte tifozët e ekipit, duke i bindur që të rikthehen në stadium. Gjithsesi, vetëm nëntë minuta pasi kishte filluar ndeshja, nisën sërish trazirat, pas fishekzjarrëve të hedhura në fushë.

Kapiteni Sina: Rrezikuan jetën në fushë

Kapiteni i bardhebluve, Elvis Sina, pohon që pas minutës së 9-të të ndeshjes e ndjeu veten në rrezik. “Nuk kuptuam se çfarë ndodhi, përveç faktit që një lumë gurësh të shkëputur nga betoni i stadiumit dhe shishe vërshuan ndaj nesh. Mua më goditën në krah dhe vazhdoj ende që ta kem të ënjtur. Sakaq, edhe Pisha u kap nga dy gurë, një në kokë dhe një në dorë. Në fushë ishte vetëm një polic, por edhe ai nuk kishte ç’të bënte i vetëm, nuk mund të evitonte incidentet”, – tregoi Sina.

Policia: 8 tifozë korçarë në ndjekje penale

Trazirat në stadiumin “Skënderbeu” janë shoqëruar me ndalime nga forcat e rendit. Plot 8 persona janë duke u ndjekur penalisht nga Policia e Korçës. Këta të fundit, gjatë një deklarate të dhënë për shtyp, kanë bërë me dije se janë duke ndjekur në gjendje të lirë tetë tifozë të Skënderbeut, por janë në kërkim edhe të 6 të tjerëve. Policia disponon materiale filmike, ndaj pritet identifikimi dhe arrestimi i tyre. Ata akuzohen për veprën penale “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”.

Tirana, asnjë premio për triumfin

Drejtuesit e klubit nuk kanë vendosur asnjë premio për fitoren e Superkupës nga klubi i Tiranës. Lojtarët konfirmojnë që nuk kanë marrë asnjë lajm nga krerët e klubit, se mund të shpërblehen për suksesin e arritur. Gjithsesi, ka menduar trajneri spanjoll Hulian Rubio për të lumturuar disi futbollistët e tij, duke u dhënë tri ditë pushim. Skuadra do rinisë stërvitjen të hënën, këtë herë si parapërgatitje për fillimin e kampionatit, i cili starton më 10 shtator.

© Panorama.al

Te lidhura