Super-Skënderbeu shokon hungarezët

Jul 18, 2012 | 15:51
Çast nga ndeshja e djeshme

Super-Skënderbeu shokon Debrecenin. Spektakël, emocione, raste pa fund, por vetëm një gol. Kampionët e Shqipërisë kanë mposhtur dje 1-0 hungarezët, në një ndeshje për t’u mbajtur mend. Goli i Sebino Plakut ka shtuar shpresat për një kualifikim historik të bardhekuqve në turin e tretë të Ligës ë Kampioneve. Ishte një takim që foli tërësisht për Skënderbeun, në një kohë që skuadra hungareze u shfaq më shumë se zhgënjyese. Kjo erdhi edhe për meritë të korçarëve, që ditën të imponoheshin në fushë gjatë gjithë 90-minutëshit. “Do të shikoni një Skënderbe sulmues”. Ky ishte premtimi i Stanislav Levit në prag të sfidës. Loja e djeshme i dha të drejtë trajnerit çek. Presion që në minutat e para dhe raste të shumta. Problemi i vetëm ishte shënjestra e sulmuesve. Nëse Xhafaj & CO do të tregoheshin më të qetë para porte, atëherë Skënderbeu do të kishte hipotekuar kualifikimin që në Korçë. Me një fitore super të merituar, tashmë ekipi i Levit duhet të mbrojë rezultatin në 90-minutëshin e kthimit në Hungari, më 24 korrik. Rezultati duket i favorshëm, por të mendosh sa raste u humbën, Levi me siguri është bërë me dhimbje koke.
Pjesa e parë – Korçarët futen në fushë pa surpriza në formacion. Allmuça kishte fituar balotazhin me Bratiçin për një vend në mesfushë. Është pikërisht lojtari tiranas që bëhet protagonist në startin e takimit, teksa daljet e tij nga krahu i majtë sjellin kaos te hungarezët. Nisja është spektakolare për Skënderbeun. Sinjalin e parë e jep Vucaj, në një kohë që Plaku bën më të vështirën përballë portierit Novakoviç. Sulmuesi nuk u beson syve, ndërsa nga ana tjetër, debutuesi Vucaj është ndër më të mirët. Shkodrani është shumë i lëvizshëm teksa nxjerr në pozicione shënimi sulmuesit, duke bërë të mos ndihet mungesa e kapitenit Shkëmbi. E majta e Vucajt trondit portierin hungarez, por gjithsesi, Debreceni mbahet fort. Për minuta të tëra miqtë mbyllen në portë. Disa aksione sporadike me protagonist sulmuesin Kulibali, janë shumë pak për kampionët hungarezë. Debreceni kërkon të ndëshkojë Skënderbeun me anë të kundërsulmeve, por dështon. Pjesa e parë dominohet totalisht nga bardhekuqtë, të cilët janë të pafat, pasi godasin edhe shtyllën me anë të Plakut. Fundi i këtij fraksioni sjell dy raste të arta me protagonistë Xhafajn dhe Radasin, por është Novakoviç heroi për hungarezët. 45 minutat e para mbyllen pa gola, por me një Skënderbe të frikshëm.
Pjesa e dytë – Skuadrat e rinisin takimin me të njëjtat formacione. Në minutat e para të pjesës së dytë loja ekuilibrohet disi, por korçarët janë më kërkues dhe më të rrezikshëm. Allmuça ka shansin më të mirë për të kaluar në avantazh Skënderbeun, por me portën e boshatisur godet jashtë. Gjithsesi, mesfushori korrigjon gjithçka në minutën e 65-të, kur jep një pasim të artë për Plakun dhe ky i fundit godet brenda zonës me të djathtë, duke shënuar golin e avantazhit. Stadiumi shpërthen si vullkan dhe kur nuk kalojnë as pesë minuta, korçarët i afrohen golit të dytë me Xhafajn. Debreceni bën përpjekje të dëshpëruara për të dalë te goli. Hungarezët duken një ekip pa ide në fushë, në një kohë që pas minutës së 70-të Skënderbeu mendon më shumë për të ruajtur rezultatin. Levi hedh në fushë Kulin, por asgjë nuk ndryshon deri në fund. Goli i Plakut mbetet në fuqi pas tri minutave shtesë.

Skënderbeu    1
Debreceni    0
Goli:
Plaku 65′
Skënderbeu: Shehi, Fagu, Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Muzaka, Allmuça, Orelesi, Vucaj, Plaku (Bicaj 93′), Xhafaj (Kuli 83′). Trajner: Stanislav Levi
Debreceni: Novakoviç, Simak, Mesaroz, Nagi, Korhut, Rezes (Mate 90′), Bodi, Varga, Sakali, Kulsar (Ramos 72′), Kulibali. Trajner: Elmer Kondas
Gjyqtarë: Nikolai Jordanov, Ventisislav Gavrilov, Ivailo Milkov (Bullgari)
Kartonë të verdhë: Radas 59′, Plaku 65′, Orelesi 69′, Vucaj 73′, Muzaka 86′, Kuli 90’/ Bodi 6′, Kulibali 29′, Varga 87′

Levi: Fitojmë edhe në Hungari
Trajneri i Skënderbeut ka thënë se skuadra e tij do të fitojë edhe në Hungari kundër Debrecenit. “Kjo ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë, por e nisëm me shumë emocione në fillim dhe gabuam në minutën e tretë kur nuk shënuam. Ndiej keqardhje që për rastet e krijuara shënuam vetëm një gol. Gjithsesi, ne mund të bëjmë edhe më mirë se kaq, sepse skuadra e Skënderbeut ka potencial të madh. Në pushim të ndeshjes u kërkova lojtarëve që të qëndronin më pranë njëri-tjetrit, sepse po rrezikonim shumë. Unë jam i bindur se skuadra jonë mund të fitojë edhe në Hungari”, ka thënë Levi.

Kondas: Luajtëm shumë keq
Debreceni bëri një nga ndeshjet më të dobëta të viteve të fundit, dhe këtë e ka pohuar edhe trajneri i kësaj skuadre, Elmer Kondas. “Mbase e morëm shumë lehtë ndeshjen dhe i nënvlerësuam rivalët, por mund të them se kjo nuk ishte një ndeshje e mirë për ne. Skënderbeu na vuri nën presion dhe luajti më mirë, por jam gjithashtu i pakënaqur edhe nga arbitri, që lejoi lojën e rëndë dhe i detyroi lojtarët e mi që të stepeshin. Rezultati 1-0 nuk është aspak i mirë për ne, por gjithsesi, unë mendoj se kemi shanse të mira për kualifikim”, ka thënë Kondas.

© Panorama.al

Te lidhura