Super-Milan, leksion Arsenalit të Vengerit

Feb 16, 2012 | 12:25

“Djalli” shkatërron “topçinjtë”, një hap larg kualifikimit për në çerekfinale.

Dopietë e Robinjos, shënojnë edhe Boateng e Ibrahimoviç.

Milani ka shkatërruar Arsenalin në nde-shjen e parë në “San Siro”, falë dopietës së Robinjos dhe golave të Kevin Princ Boateng dhe Zlatan Ibrahimoviçit. Kuqezinjtë e Masimiliano Alegrit bëjnë një hap përpara drejt kualifikimit në Ligën e Kampioneve. Ndonëse Arsenali i Vengerit zbriti në Milano me shumë pretendime (të paktën të mos dilte i humbur), fakt është se, pas 90 minutave lojë, Milani e shkatërroi jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë. Që nga minuta e parë, italianët spostuan lojën në gjysmëfushën e anglezëve, duke kërkuar me ngulm golin e avantazhit. Natyrisht, duke pasur në fushë edhe Boatengun, vendësit ishin edhe më të rrezikshëm para portës së “topçinjve”. Ishte pikërisht ganezi me pasaportë gjermane, ai që shënoi në minutën e 15-të pas një asisti të dhënë nga Antonio Noçerino. Por dominimi i Milanit nuk do mbaronte me kaq, madje sapo kishte nisur. Ibrahimoviç është më shumë se i frymëzuar, kjo edhe për shkak të dënimit që pat marrë në kampionat pas ndeshjes me Napolin. Suedezi është inspirues në mjaft raste të rrezikshme dhe, në një të tillë, lëshoi një kros në qendër të zonës për Robinjon, i cili si rrallëherë shënoi golin e dytë për Milanin, por me kokë. Edhe pjesa e dytë nisi nën sambën e brazilianit dhe driblimet e suedezit. Vetëm tri minuta nga fraksioni i dytë, është sërish kjo dyshe që i dhuron golin e tretë kuqezinjve. Sakaq, Venger ka hedhur në fushë edhe Tieri Henri (ndeshja e fundit për francezin para se të kthehet sërish në Amerikë), por ky i fundit e ka të pamundur që të kthejë rezultatin, madje has vështirësi edhe të rrezikojë, pasi përpara ka Mekses dhe Tiago Silvën në një natë më se pozitive. Goli i katërt për Milanin do të vinte gati 10 minuta nga fundi, me autor Ibrahimoviçin, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Minutat në vazhdim ishin thjesht për statistikë, pasi Arsenali e kishte të vështirë që të rrezikonte portën e Abiatit. Me këtë rezultat Milani shkon disi i qetë për ndeshjen e kthimit në Londër dhe me një këmbë i kualifikuar për më tej në Ligën e Kampioneve.

Përleshje tifozësh, një i plagosur
Ka pasur përplasje mes tifozëve të Milanit dhe Arsenalit vetëm pak orë para nisjes së ndeshjes në “San Siro”. Përleshjet kanë ndodhur në qendër të Milanos, në sheshin “Duomo”, ndërsa policia ka ndërhyrë për të vendosur qetësinë. Nuk ka rëndësi se cila palë e filloi sherrin, por pjesëmarrëse ishin të dyja dhe policia ndërhyri më pas, me një tifoz londinez që mbeti i plagosur jo rëndë. Një tifoz i dytë anglez u arrestua nga policia, pasi hodhi shishe xhami në drejtim të agjentëve të rendit, që po mbanin nën vërejtje një grupim prej rreth 200 tifozësh miq.

Skeda
Milan-Arsenal            4-0
Shënues: Boateng 15′, Robinjo 38′, 49′, Ibrahimoviç 79′ (p)
Kartonë të verdhë: Antonini, Mekses, Ambrozini/ Song, Dzhoru
Milan: Abiati, Abate, Mekses, Tiago Silva, Antonini, Noçerino, Van Bomel, Sedorf (Emanuelson 12′), Boateng (Ambrozini 70′), Robinjo, Ibrahimoviç. Trajner: Masimiliano Alegri
Arsenal: Shcesni, Sanja, Kosçielni (Dzhoru 44′), Vermaelen, Gibs (Çamberlein 66′), Song, Rosicki, Ualkot (Henri 46′), Ramsej, Arteta, Van Persi. Trajner: Arsen Venger

© Panorama.al

Te lidhura