Atletiko e Madridit shkatërron Çelsin duke fituar Superkupën e Europës. Fituesit e edicionit të shkuar të Ligës së Europës u ndeshën në Monako ndaj fituesve të Champions League, por në ndryshe nga sa ishte parashikuar, ishin madrilenët ata që “bënë ligjin”. Në “katedër” u ngjit Falkao, një nga sulmuesit që deri para pak ditësh kërkohej nga Çelsi, i cili arriti të shënojë tre gola që në pjesën e parë të takimit. Në fraksionin e dytë të lojës londinezët u munduan që të shikonin më shumë nga porta kundërshtare, por sërish lanë hapësira pas, duke pësuar edhe golin e 4-t me anë të Miranda. Vetëm në minutën e 75-të, pas një rrëmuje në zonë, qendërmbrojtësi Kahill arriti të shënonte një gol nderi për Çelsin, por gjithsesi i pamjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin. Kështu Atletiko Madrid, pas Ligës së Europës, fiton edhe Superkupën, duke u ngjitur në majën e futbollit europian.
Çelsi 1
At.Madrid 4
Shënues: Kahill 75’/ Falkao 7’, 19′, 45′, Miranda 61’
K. të verdhë: Ivanoviç
Çelsi: Çeh, Ivanoviç, Kahill, D.Luiz, A.Kol (Bertrand 90’), Lampard, Mikel, Ramires (Oskar 46’), Hazard, J.Mata (Starixh 82’), F.Torres.
Trajner: Di Mateo
Atletiko Madrid: Kourtois, Juanfran, Miranda, Godin, Filipe, M.Suarez, G.Fernandez, Adrian (K.Rodriguez 56’), Koke (R.Garsia 81’), Arda Turan, Falkao (Emre 88’).
Trajner: Simeone











