Super-Falkao, Atletiko merr Ligën e Europës

May 10, 2012 | 14:15

Atletiko e Madridit ka fituar për herë të dytë në historinë e vet Ligën e Europës. Skuadra madrilene e drejtuar nga argjentinasi Diego Simeone mundi bindshëm 3-0 baskët e Marçelo Bielsa, falë perlave të Falkaos dhe të Diegos. Finalja “e vogël” e Europës, e zhvilluar këtë herë në stadiumin “Nacional” të Bukureshtit, dhuroi jo vetëm gola por edhe spektakël, pasi që të dyja skuadrat luajtën një futboll të hapur dhe me shumë raste për shënim. Që në nisje janë madrilenët që rrezikojnë fillimisht me Turan dhe, në minutën e shtatë është sulmuesi kolumbian Falkao, i ardhur vetëm në verën e 2011-s nga Porto te Atletiko, i cili shënoi golin e avantazhit. Atletik e Bilbaos shokohet, por gjithsesi me Lorente dhe Muniain del përpara duke kërkuar që të rrezikojnë portën e Kurtua. Në momentin kur sulmet e baskëve ishin shpeshtuar, vjen edhe gafa në mbrojtje e Amorebieta, i cili tentoi një driblim në hyrje të zonës së tij, por humbi topin dhe aty Falkao me dy driblime shënoi edhe golin e dytë. Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Bielsa bëri disa ndryshime duke hedhur që nga minuta e 46 edhe dy përforcime në sulm. Për më shumë se 30 minuta lojë, duke qenë se Bilbao luante me gati 5 sulmues, Atletiko e Madridit qëndroi në gjysmëfushën e vet dhe vetëm Falkao mundohej që të rrezikonte aty-këtu portën e Iraizoz. Por edhe pse Bilbao zhvendosi lojën te porta e kundërshtarëve dhe krijoi raste pa fund, sërish nuk arriti të shënonte. Për të ardhur më pas te minuta e 85-të kur, pas një kundërsulmi, Diego pasi shmangu dy mbrojtës dhe portierin, shënoi edhe golin e tretë duke bërë që finalja të mbyllej praktikisht që në atë moment.

Atl.Madrid-Atl.Bilbao 3-0
Shënues:
Falkao 7’, 34’, Diego 85’
Kartonë të verdhë: Falkao/ Herrera, Amorebieta, Perez
Atletiko Madrid (4-2-3-1): Kurtua, Filipe, Godin, Miranda, Huanfran, Adrian, Gabi, Suarez, Turan, Diego, Falkao. Trajner: Diego Simeone
Atl.Bilbao (4-3-3): Iraizoz, Aurtenetxe (Perez 46’), Amorebieta, Martinez, Iraola, Herrera (Tokuero 63’), Iturraspe (Gomez 46’), De Markos, Muniain, Lorente, Susaeta. Trajner: Marselo Bielsa

© Panorama.al

Te lidhura