
POGRADEC – Pas arrestimit nga policia, 41-vjeçari që sulmoi me armë shtëpinë e regjisorit Mevlan Shanaj në qytetin e Pogradecit, ka pranuar krimin e kryer prej tij. Edhe pse ka deklaruar se ka qenë nën efektin e alkoolit, Adrian Hoxhallari ka pohuar se qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të banesës së familjes Shanaj. Nga deklarimet e bëra në polici, Hoxhallari ka rrëfyer se mes tij dhe fqinjit Shanaj ka pasur një grindje të nisur si fillim në lidhje me një gardh të ngritur para banesës së regjisorit. Kjo duket se e ka bezdisur Shanajn, pasi ka pretenduar se ky gardh i pengonte pamjen e liqenit. Debatet mes regjisorit dhe fqinjit të tij, i cili zotëronte një lokal dhe hotel ngjitur me banesën private, duket se kanë zgjatur disa minuta, por janë ndalur për të rinisur disa momente më vonë. Burime nga Policia kanë bërë me dije se 41-vjeçari ka rrëfyer edhe vijimin e debatit mes tyre. Parkimi i mjetit është shndërruar në një tjetër motiv për grindje. Hoxhallari ka deklaruar se kishte parkuar automjetin e tij tip “Wolksvagen” në pjesën e rrugicës që ndan hotelin nga banesa 3-katëshe e regjisorit, kur ky i fundit ka nisur të shprehë pakënaqësinë në lidhje me këtë parkim. Sërish debatet kanë vijuar për disa minuta, ndërsa Hoxhallari është larguar i nxehur. Sipas deklarimeve të tij, pasi ka konsumuar pije alkoolike për disa orë radhazi, Hoxhallari është rikthyer me mjetin e tij buzë liqenit ku ndodhej banesa e aktorit dhe regjisorit dhe ka qëlluar në drejtim të saj pa dalë nga makina. Pretendimi i Shanajt se rrjeta plastike e vendosur përballë liqenit i pengonte pamjen e vilës, alternuar me grindjen për vendparkimin, duket se janë interpretuar si dy arsye të mjaftueshme të 41-vjeçarit për të qëlluar me 8 plumba pistolete TT ndaj kësaj banese, në brendësi të së cilës ndodhej e gjithë familja Shanaj.
Shanaj qëndron në Pogradec
Vetë Mevlan Shanaj me familjen e tij kanë vazhduar të qëndrojnë në qytetin e Pogradecit. Sipas Policisë, pavarësisht ngjarjes, nuk ka rrezik më për jetën e tij dhe të familjes, pasi autori është ndaluar tashmë.











