TIRANE – Një 33-vjeçar është sulmuar nga dy grabitës mbrëmjen e së hënës në mes të Tiranës, në një zonë mjaft të populluar dhe në orët e vona. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në rrugicën mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Poliklinikës Qendrore në kryeqytet. Shkëlqim Bajrami në atë orë ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, që ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”, kur dy persona i kanë prerë rrugën dhe e kanë goditur fillimisht me grushta. Pasi e kanë shtrirë në tokë, njëri prej tyre e ka qëlluar dy herë më thikë në bark dhe autorët janë larguar në mes të pallateve 9-katëshe, duke mos u identifikuar ende nga policia. Bajrami, edhe pse i plagosur, ka dalë në rrugë dhe ka ndaluar një patrullë të Komisariatit Nr.4, ku ka kërkuar ndihmë pasi ishte i plagosur. Shërbimet e policisë kanë thirrur oficerë të Krimeve Kundër Jetës për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa kanë transportuar 33-vjeçarin Bajrami në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimit e ka kaluar rrezikun për jetën. Gjatë deklarimeve që ai ka dhënë për oficerët e policisë, është shprehur se nuk ka mundur t’i identifikojë autorët, pasi ishte shumë errësirë. Sipas tij, ata kanë qenë dy persona, të cilët e kanë sulmuar për ta grabitur. Pasi i kanë kapur portofolin dhe kanë hasur në rezistencën e tij, e kanë goditur me thikë. Gjithashtu, i plagosuri ka deklaruar se në vendin ku ka ndodhur ngjarja ka pasur edhe kalimtarë të tjerë, të cilët i kanë ofruar ndihmën e tyre, pasi janë larguar autorët. Policia ka patrulluar përgjatë gjithë natës zonën përreth vendit ku ndodhi plagosja, por nuk ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes. Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa dëshmitarë, të cilët kanë pohuar se kanë parë ngjarjen, gjithashtu edhe dy persona që largoheshin me shpejtësi mes rrugicave, por për shkak të errësirës nuk kanë mundur t’i identifikojnë.











