Këngëtarja dhe moderatorja, Enxhi Nasufi i është përgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama pas sulmeve të vazhdueshme ndaj protestuesve për shkak të faktit se ata janë ngritur masivisht në protestë kundër qeverisjes së tij.
Në një letër të hapur, ajo shkruan se kryeministri Rama nuk po tallet vetëm me disa profile në rrjete sociale, por me qytetarë që mbajnë vendin në këmbë çdo ditë. Ajo flet për sakrificat që i është dashur të bëjë sikurse çdo i ri në vend, të cilët përballen me pasiguri ekonomike dhe çmime stratosferike.
Moderatorja shprehet se të rinjtë nuk përballojnë dot blerjen e një shtëpie për shkak të çmimeve të larta dhe se ata ngurojnë të krijojnë familje për shkak të pasigurisë ekonomike dhe mungesës së sigurisë në të ardhmen.
“Një brez i tërë të rinjsh nuk po arrin të blejë një shtëpi në vendin e vet. Një brez i tërë po shtyn krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve nga pasiguria ekonomike, nga mungesa e sigurisë për të ardhmen dhe nga çmimet stratosferike të jetesës dhe banesave në Shqipëri.”, shkruan ajo.
Nasufi i kujton kryeministrit se në një demokraci pushteti nuk është pronë private e askujt, por një mandat i përkohshëm që nga buron nga qytetarët.
Më pas, i drejtohet duke i thënë se “nga pozita e kryeministrit është e lehtë të ironizoni. Më e vështirë është të dëgjoni”.
© Panorama.al


















