Sulm për Bashën, zbardhet plani i De Biazit

Jul 20, 2012 | 14:49
Migjen Basha

Shqipëria hidhet sërish në sulm për Migjen Bashën. Këtë e ka konfirmuar trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, i cili ka thënë se dëshiron ta ketë nën urdhrat e tij mesfushorin 25-vjeçar. Burime pranë FSHHF-së bënë të ditur se këtë herë është një tentativë personale e trajnerit të Shqipërisë për të bërë të mundur që Basha të luajë me Shqipërinë, pasi ai tashmë e ka pasaportën shqiptare, por për shkaqe burokratike, nuk mund të aktivizohet. Kjo, pasi lojtari është aktivizuar me skuadrat kombëtare të moshave të Zvicrës dhe asokohe nuk ka qenë i pajisur me pasaportë shqiptare. Kur Zvicra u njoftua se ai kishte marrë ftesë nga Shqipëria, doli menjëherë kundër duke lënë të kuptohej se do të apelonte në FIFA. Kësaj të fundit i është bërë disa herë kërkesë nga lojtari dhe nga FSHF që Basha të mund të lejohet të luajë me Shqipërinë, por përgjigjja ka qenë gjithnjë negative.
Trajneri De Biazi po përpiqet të shfrytëzojë disa njohje të vetat, por para se të nisë “sulmin” për ta veshur Bashën kuqezi, ai ka shkuar të takojë lojtarin dhe të sigurohet se ka ende dëshirë që të luajë me Shqipërinë. Nga ana tjetër, Migjen Basha i ka garantuar se do të konsultohet me avokatët e tij për të gjetur ndonjë shteg ligjor dhe për të bërë sërish kërkesë në FIFA, ku të shpjegohet se në moshën kur ai është aktivizuar me Zvicrën, e kishte të pamundur të merrte pasaportë shqiptare, pasi një pjesë e familjes ndodhej në Kosovë. Basha pretendon se asokohe ishte shumë e vështirë, pasi Kosova ishte në gjendje lufte, madje atëherë u vra edhe gjyshi i tij.

© Panorama.al

Te lidhura