Serbët po reagojnë të zemëruar nga deklaratat e ndërkombëtarëve për zgji-dhjen e konfliktit të zgjuar sërish javët e fundit mbi pjesën veriore të Kosovës, pasi në sytë e botës “beteja” e tyre duket e humbur.Kreu i ekipit të Beogradit për bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviç, duke komentuar deklaratën e shefit të ICO-së, Piter Feith, se “qeveria në Prishtinë ka të drejtë të marrë kontrollet në tërë territorin e Kosovës”, tha se “nga Feith nuk pret asgjë tjetër”. “Feith është njeri i mandatit të paqartë dhe funksionit të paqartë për arsye se përfaqëson një organizatë joqeveritare që quhet “Zyra Civile Ndërkombëtare”, e cila është angazhuar për ta ndihmuar pavarësinë e Kosovës”, tha ai. Akuzat e Stefanoviçit kundër kreut të “Zyrës Civile Ndërkombëtare” shkuan më tej. “Feith është një njeri që i ka dhënë shërbime qeverisë së Hashim Thaçit dhe ata janë njerëz të cilët kanë menduar se me 25 korrik kishin të drejtë dhe se duhet të merren me dhunë kalimet kufitare. Kështu kanë sjell në rrezik jo vetëm popullin serb, po edhe policinë dhe pjesëtarët e ROSU-t”, shtoi ai. Zemërimi serb nuk ndalet këtu. Komentet e fundit serbe kundër kreut të KFOR-it, Buhler, kanë tërhequr vëmendjen e mediave gjermane. Gazeta më e madhe gjermane, “Bild”, shkruante dje se mediat serbe po sulmojnë personalitetin e komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Buhler. “Bild kujton se kjo ndodhi për faktin që ai dashuron një kosovare të lindur në Prishtinë, por me familje në Malin e Zi, Slloveni, Kroaci, Serbi dhe Kosovë, të cilin e ka njohur që në vitin 2001. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin tha se shteti e ka ditur situatën e Buhlerit para se ai të bëhej komandant i KFOR-it. Serbët nuk mjaftohen me kaq. Kritikat e tyre shkojnë edhe për kryeministren kroate, Jadranka Kosor, në Prishtinë. Vizita e parashikuar për më 24 gusht, është “vazhdimësi e propagandimit të politikës antiserbe”, shkruan e përditshmja serbe “Press”. Në sytë e serbëve vizita e kryeministres Kosor shihet si mbështetje për Hashim Thaçin dhe është paralelizuar si “futja e gishtit në sy të Beogradit” nga ana e Kosor. Mediat serbe shkruajnë se kjo vizitë me pompozitet lajmërohet si kthesë në “raportet ekonomike mes dy vendeve”, pasi Prishtina ka bllokuar kufijtë për importin e mallrave nga Serbia.
93 për qind
e pjesëmarrësve në një sondazh të kryer nga “Kosovapress”, kanë vlerësuar se ndërhyrja e qeverisë në veri ka qenë e drejtë. Në sondazh morën pjesë mbi 3400 persona











