Sulm kambistit në mes të qytetit

Sep 15, 2012 | 12:11

SHKODER – Një kambist ra pre e tentativës së grabitjes me dhunë dje në Shkodër. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në tregun e këmbimit të valutës në qendër të qytetit, kur Fatmir Dautovi u sulmua me qëllim që t’i grabiten rreth 2 milionë lekë. Autori i ngjarjes, shtetasi Alban Perlikaj, nga Laçi, u arrestua disa minuta më pas. Mësohet se për grabitjen e kambistit Dautovi, 22-vjeçari Perlikaj ka përdorur një sprajt neutralizues duke i dëmtuar sytë kambistit. Si çdo ditë, ai kishte dalë në dyqanin e këmbimit të valutës në qendër të qytetit të Shkodrës. Rreth orëve të drekës, i riu Alban Perlikaj është futur në dyqan dhe i ka kërkuar  Dautovit të këmbente disa euro në lekë. Gjatë kohës që Dautovi ka filluar të kryejë veprimet me makinën llogaritëse, i riu ka nxjerrë nga xhepi sprajtin neutralizues duke ia hedhur në sy kampistit. Më pas ai tentoi t’i merrte çantën me paratë, brenda së cilës gjendeshin 2 milionë lekë. Me gjithë dëmtimin nga sprajti i hedhur në sy, ai ka bërë rezistencë dhe nuk ia ka lëshuar çantën. Disa persona që kanë parë përleshjen njoftuan policinë, ndërsa kjo e fundit mbërriti menjëherë, pasi gjendej shumë afër vendit të ngjarjes dhe arrestoi autorin. Pas arrestimit të 22-vjeçarit, kambisti u dërgua në spital për t’iu dhënë ndihma e parë nga dëmtimi i syve.                 r.d

© Panorama.al

Te lidhura