Sulm i armatosur dhe shpërthim në Zubin Potok

Jul 19, 2012 | 11:51

Sulm me armë automatike dhe nje shpërthim eshte regjistruar gjate nates në tri objekte të ndryshme në Zubin Potok.

“Në bazë të raporteve të para policore mësohet se sulmet e armatosura dhe të koordinuara kishin ndodhur në objektin e “KEP” bankës, në objektin e një radiostacioni lokal “Radio Kolashin” dhe në shtëpinë private të një eprori të policisë së Kosovës, në Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e policise se Kosoves, ku sqarohet se nuk ka persona të lënduar.

Janë regjistruar dëme materiale në objektin e “KEP” bankës, dhe të radio stacionit lokal “Kolashin”, objekte këto në afërsi me njëra tjetrën ndërsa janë regjistruar si të identifikuara mbi pesëdhjetë gëzhoja të armës automatike të cilat besohet se janë përdorur nga autoret e aktit kriminal.

Ndërsa më shtëpinë private të eprorit policor të Kosovës, janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i mjetit eksplodues që besohet të jetë një granatë dore.

Në momentin e sulmit të armatosur, në shtëpi gjendeshin eprori i policisë së Kosovës së bashku me familjen e tij.

Veç dëmeve në shtëpinë e eprorit policor, nga të shtënat është dëmtuar edhe vetura e tij private. Së paku njëzet gëzhoja janë gjetur dhe marrë si pjesë e provave materiale. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura