Sula: Kritikat e Markut e Xhepës, rrufe në qiell të pastër

Jul 6, 2012 | 13:25
Deputeti i PD, Dashnor Sula

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, u përgjigjet kritikave të Mark Markut dhe Selami Xhepës për mënyrën se si po qeveris PD-ja në këtë mandat të dytë.
Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai thotë se këto kritika, përpara se të bëhen në publik, duhet të trajtohen në mbledhjet e Grupit Parlamentar. Sipas Sulës, ndryshimi i sistemit zgjedhor ka ndikuar në mosekzistencën e debatit brenda Grupit. Ai hedh poshtë gjithashtu tezat për rithemelimin e PD-së dhe shantazhimin që ka bërë LSI-ja.
Ditët e fundit, dy deputetë të PD-së, Mark Marku dhe Selami Xhepa kanë shprehur kritikat e tyre mbi mënyrën se si po qeveris koalicioni me LSI-në. A është ky kabineti më i mirë që mund të garantojë një mandat të tretë, apo duhen rishikuar disa pozicione?
Shpreh keqardhjen time për mënyrën si po trajtohen këto probleme. E them me keqardhje për arsye sepse unë nuk mund të pres që në një ditë të bukur, si rrufe në qiell të pastër, gjithçka që është bërë nga PD-ja në këto tri vite, të thuhet që është gabim dhe duhet korrigjuar brenda një dite apo një jave. Në këtë pikëpamje, nuk jam dakord. PD-ja është një familje e madhe dhe përpara se debatet të dalin në treg, duhet të diskutohen në mënyrë konstruktive, si tezat e Mark Markut, ashtu edhe të Selami Xhepës dhe kujtdo deputeti tjetër që është brenda Grupit. Unë kam pasur edhe eksperiencën e mandatit 2005-2009, dhe në këto tri vite them se në Grup nuk zhvillohet ai debat që ka ekzistuar në mandatin e parë. Nuk bëj rolin e servilit para zotit Berisha, por do të thosha se ky është defekt i deputetëve të Grupit Parlamentar. Nga viti 2009 e mbrapa vetë deputetët nuk kanë sjellë impakt pozitiv në këtë drejtim, ndoshta edhe për vetë llojin e sistemit zgjedhor që është sot, proporcional rajonal. Ndoshta deputetët ndiejnë frenim në shprehjen e pikëpamjeve të tyre. Deputetët, të gjitha platformat që kanë, duhet t’i shprehin brenda Grupit, sepse aty mund të kenë mbështetjen edhe të deputetëve të tjerë, se sa të dalin në publik. Mua ky komunikim më duket joreal, sikur po komunikon me opozitën apo me partitë e tjera. Fakti është që në këto tri vite mund të kemi nën zë pakënaqësi, por realisht nuk janë ngritur këto teza në Grup.
Kritikat e tyre fokusohen kryesisht te qeveria. A duhet të ketë korrigjim të kabinetit?
Nuk mund të them që s’ka probleme të qeverisjes. Gjithmonë ka pasur lëvizje dhe qarkullime, por, disa figura, si Berisha, nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe të Kryesisë, duhet të jenë pjesë e Ekzekutivit. Kjo nuk do të thotë që s’do të ketë edhe figura të reja.
Sipas deputetit Selami Xhepa, vihen re herë pas here tendenca lodhjeje me reformat. A ka ministra që janë të lodhur dhe që nuk sjellin frymë të re në qeverisjen e vendit?
Nuk do ta pranoja që kemi lodhje, sepse fjala “lodhje” do të thotë “ulje në gjunjë”. Berisha nuk ta jep mundësinë që të shfaqësh shenja lodhjeje. Ai ka aq nuhatje politike dhe me mënyrën si i sheh gjërat, nëse një ministër çedon në punën e tij, e ka kurajën dhe guximin që menjëherë të bëjë ndryshimin. Por, nuk mund të them që gjërat janë në perfeksion. Ka vend për ndryshime në kuptimin e asaj që mund të bëhen edhe për imazh të ri. Ne jemi një bllok që punojmë të gjithë bashkë dhe Grupi Parlamentar e ka mbështetur qeverinë. Fakti që nuk ka pasur në mbledhjet e Grupit, kritika ndaj ministrave të caktuar, nuk do të thotë që s’ka pasur probleme, por ato janë zgjidhur. Zoti Berisha do të dijë si do ta shkundë qeverisjen dhe kam bindjen se në zgjedhjet e ardhshme do të marrim një mandat të tretë. Vërtet deputetë të caktuar kanë pakënaqësi për qeverisjen, por deputetë të caktuar që kanë fituar në qarqe, nuk kanë shkelur qoftë edhe një herë të vetme në zonat e tyre elektorale. Qytetarët nuk përfaqësohen vetëm me një intervistë apo me daljet në publik, por duhet të jesh pranë tyre në çdo moment.
Ka nevojë për një akt rithemelimi të PD-së? Deputetët kritikë mendojnë se shtresat e djathta, pronarët dhe ish-të përndjekurit, nuk janë të përfaqësuar në PD, madje ata thonë se ka deputetë që qëndrojnë 4-5 mandate dhe merita e vetme e tyre është që ngrenë kartonin.
Kjo kritikë nuk qëndron. Shpreh respektin tim për zotin Marku, i cili ka qenë në Lëvizjen e Dhjetorit, ashtu si edhe unë. PD-ja përfaqëson totalisht interesat e djathta, të ish-pronarëve, ish-të përsekutuarve dhe të shumë shtresave të tjera që e gjejnë veten të përfaqësuar. Shtrohet pyetja nëse PD i përfaqëson 100% këto shtresa? Unë mund të them që ka tkurrje. Por ne duhet ta shohim përfaqësimin jo vetëm në Grup Parlamentar dhe qeveri, por edhe në bazën e partisë. Unë s’jam dakord me mendimin që ka deputetë të cilët kanë 4-5 mandate. Kjo mund të thuhet pas 2-3 mandatesh me këtë sistem, pasi deri më 2009-n deputetët kanë ardhur në Parlament me sistemin maxhoritar. Ata që kanë ardhur në Parlament kanë marrë besimin e qytetarëve. Në PD ka një ripërtëritje të brezave. Ne nuk mund t’i presim gjërat me thikë që të ikin të gjithë deputetët e vjetër dhe të vijnë të rinjtë.
E ka humbur PD-ja betejën me luftën kundër korrupsionit? Perceptimit të qytetarëve i janë shtuar edhe zërat brenda maxhorancës në këtë drejtim?
Lufta kundër korrupsionit është e përditshme dhe e vazhdueshme. Ne s’duhet ta fshehim kokën si struci. Korrupsioni ekziston në të gjithë sektorët në Shqipëri. Kjo është një luftë që duhet nisur nga Legjislativi dhe Ekzekutivi. Por këtu përfshihet edhe Drejtësia, e cila është “A”-ja që lufton korrupsionin. Nëse do të kishim një Drejtësi të shëndoshë dhe të painfektuar, rezultatet do të ishin të jashtëzakonshme. Por, për sa kohë që ne kemi një Drejtësi të pashëruar, mos prisni që rezultatet të jenë 100% pozitive.
A e ka shantazhuar LSI-ja PD-në këto tre vite? Në vitin 2013 duhet që ju ta merrni sërish LSI-në në koalicion për të dalë së bashku në zgjedhje?
Zoti Berisha, që është lider i padiskutueshëm i PD-së dhe së djathtës, nuk është nga ata politikanë që shantazhohen lehtë, për të mos thënë në mënyrë absolute. Dy-tre muajt e fundit diskutohej që Berisha do të ishte nën presion në mënyrën se si do ta “falte” Presidentin, si do ta “falë” Prokurorin e Përgjithshëm apo edhe Guvernatorin e Bankës. Kjo nuk rezultoi absolutisht e vërtetë. Kjo tregoi se Berisha është konstruktiv dhe se i ka trajtuar si bashkëpunëtorë aleatët e tij. Berisha nuk e hedh asnjëherë hapin e parë të gabuar, gjithmonë i lë të tjerët të hedhin hapin e parë të gabuar. Duke qenë edhe moralisht në rregull, ai merr të gjitha iniciativat për të realizuar objektivat. Për nevojat politike dhe mënyrën si lëvizi politika pas 2009-s, ne ishim të detyruar të bënim koalicion me LSI-në. Për aq kohë sa kemi një qeverisje të ndjeshme dhe që vendin e çon përpara drejt reformave, do ta pranoja me këdo një koalicion, me LSI-në dhe me forca të tjera të djathta dhe të majta.

Marku: PD të rithemelohet
Mendoj se ka ardhur momenti i një akti rithemelues të PD-së. Me akt rithemelues kam parasysh atë që ka ndodhur me formacionet politike të majta dhe të djathta në Francë, Itali apo në demokracitë e tjera perëndimore, sa herë ka lindur nevoja për rivitalizimin e formacioneve politike. Rithemelim nuk do të thotë humbje e identitetit politik, por ripërcaktim identiteti. Akt rithemelues nuk do të thotë t’i hedhësh tej asetet që ke, as ta shndërrosh partinë në koleksion figurash politike që kanë qenë në PD dikur. Akt rithemelues është një rikonceptim thelbësor i programit, i figurave të përfaqësimit dhe i vizionit politik të PD-së dhe së djathtës shqiptare, një rikonceptim tërësor i marrëdhënieve me elektoratin dhe shtresëzimet e përcaktuara, një rikonceptim i raporteve me faktorët brenda dhe jashtë sistemit politik shqiptar, një rikonceptim i komunikimit politik.

Xhepa: Duhen ndryshime të thella
Ka një topitje të reformave, ka një lodhje ndoshta nga reformat ose nga ecja përpara e këtyre reformave. Sigurisht, ka një tkurrje në aktivitetin e administratës publike ose një lloj topitjeje. Kështu që mendoj se një riformatim, një rikompozim, pasi gjithmonë rikompozimet e qeverisë, janë momente të rëndësishme të një mobilizimi pozitiv për një lloj dinamizmi më të madh. Mendoj se një sërë kritikash të bëra nga z. Marku janë të rëndësishme dhe kanë nevojë për një reflektim nga lidershipi i PD-së. Mendoj se janë të dobishme dhe do ta shëndoshin gjendjen, kështu që unë ndaj pikëpamjen se nevoja për një dinamizim është jo vetëm në qeverisje, por njëkohësisht edhe në krijimin e një fryme më të gjerë demokratike dhe në forcat politike.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura