Sula: Akuzat, shpifje. Po përdoren politikisht

May 7, 2012 | 21:10

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka hedhur poshtë edhe njëherë akuzat për shtënie me armë gjatë ndeshjes mes Shkumbinit dhe Flamurtarit (1-0).

Sula i ka quajtur shpifje, ndërsa ka pohuar se nuk ka qëlluar me armë në stadium apo në dhomat e zhveshjes.

“Nëse vërtetohen akuzat ndaj meje do dorëzoj mandatin”- është shprehur ai. Në një reagim të  tij per News24, Sula ka dënuar edhe faktin, që këto shpifje, siç i quan ai, për përdoren edhe politikisht.

Këtë të henë, kreu i Partisë Socialiste iu referua këtij rasti për të thënë se duhet një rilindje për sportin. Deklaratat e kreut socialist erdhën nga Elbasani, ku u mbajt edhe tryeza e opozitës për sortin.

Rama mësohet të ketë thënë se Dashnor Sula nuk është i dashuruar pas sportit por pas dhunë, duke shtuar se, një akt i tillë do të ishte i pa përfytyrueshëm nëse do të bëhej nga një deputet i cilitdo vend evropian.

Një ditë më parë, deputeti Dashnor Sula ka deklaruar për Panorama Sport se, bëhet fjalë për një ngatërresë banale, pasi zhurmat që janë dukur si krisma pistolete u shkaktuan nga shpërthimi i fishekzjarrëve.

“Mendoj se dikush ka ngatërruar zhurmën e fishekzjarrëve me krisma pistolete, por ju siguroj se nuk ka pasur asnjë të shtënë armësh”, – tha Sula.

Ndërkaq, prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet.

© Panorama.al

Te lidhura