Suksese profesionaleve!

Jun 17, 2011 | 9:41

EDLIRA GJONI

Jeta ime prej akademiku do të ishte një hiç nëse në të nuk kam lehtësime që m’i mundësojnë punëtorët e aftë që vijnë nga kualifikimet profesionale, është postulati që përdor një profesor gjerman i Universitetit Teknik të Berlinit, që ka ardhur disa herë në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij modest në fushën e arsimit. Shprehja e tij më vjen ndër mend teksa të gjitha… shkollat, mediat, nxënësit dhe familjet shqiptare gëlojnë këto ditë nga zhvillimet dhe ethet e provimeve të Maturës Shtetërore, edhe pse ato nuk janë të vetmet provime që po japin nxënësit në vend. Por, vëmendja është e gjitha për arsimin e lartë. Edhe sytë e shumicës andej janë. Provimet e maturës, më shumë sesa certifikim i aftësive të marra gjatë studimeve të përgjithshme, shihen si nga vetë nxënësit, ashtu dhe nga gjithkush që i rrethon, si trampolina për në universitet. Gjasat janë të gjitha që, ashtu si në tri vitet e fundit, prirja të jetë për të studiuar Drejtësi, Ekonomi dhe variantet e Shkencave Sociale apo Politike. Të gjithë duan të shkojnë në universitet. Të gjithë pretendojnë se meritojnë të shkojnë. Arsimi, veçanërisht i larti, është vërtet aset si për individin, ashtu dhe për shoqërinë. Por, kostot mbi të cilat piedestalizohet arsimi i lartë janë vërtet të larta dhe të papërballueshme si për të tashmen, ashtu dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Përse? Arsimi lartë dhe diploma universitare janë shndërruar në përcaktuese statusi shoqëror në vend, më shumë sesa mundësi formimi e aftësimi akademik. Liberalizimi dhe vëmendja e manipuluar ndaj tij ka sjellë një handikap të madh në perceptimin e sotëm për arsimin dhe në shërbimet, në të  nuk marrim cilësoren për shkak të keqpërdorimit masiv të sistemit arsimor në vend. Shumëçka është keqkuptuar në Shqipërinë kaotike, ku si provimet e maturës, ashtu edhe diploma universitare, parashihen si meritë e padiskutueshme, në vend që të konsiderohen si investim personal në aftësim dhe dije. Ç’do të thotë kjo? Aftësimi dhe dija nuk vijnë domosdoshmërisht nga një diplomë universitare. Ato mund të jenë gjithaq dinjitoze e fitimprurëse edhe kur nuk vijnë nga arsimi i lartë.
Teksa media në vend është e fokusuar te provimet e maturës, është interesante të vihet re se një tjetër raund provimesh po zhvillohet këto ditë nëpër shkollat tona të mesme; bëhet fjalë për përfundimin e nivelit të parë të studimeve në shkollat profesionale. Nuk ka si të mos tregohet interes, sepse vendi ka plot 41 të tilla, e prej tyre, për herë të parë këtë vit, testohen rreth 3500 nxënës, që me certifikatën e aftësimit që marrin (nëse i kalojnë provimet), ligjërisht bëhen të gatshëm për t’i hyrë tregut të punës. Po, sepse për herë të parë këtë vit mbarojnë studimet e nivelit të parë nxënësit e shkollave të mesme profesionale në vend, që tashmë nuk janë më të prera katër apo pesëvjeçare, por që prej shtatorit të vitit 2009 operojnë me sistemin e ri arsimor 2+1+1. Po, nuk kemi vetëm Kartë Bolonje, por edhe Kornizë Kombëtare Kualifikimesh, që tregon se në ç’nivel korrespondon arsimi i gjithsecilit dhe në ç’nivel mund të fillosh punë në profesione të ndryshme. Këta 16-vjeçarë që testohen këtë javë sjellin ligjërisht për herë të parë në Shqipëri forcë pune të kualifikuar, të aftësuar dhe të pajisur me të drejtën ligjore për të kërkuar punë në një profesion që në këtë moshë. Nuk kanë as numrin, as rëndësinë e arsimit të lartë, por, duke sjellë në mendje shprehjen e profesorit gjerman, është e vështirë të neglizhosh nevojën e prezencës së tyre në treg. Bëhet fjalë për njerëzit që nesër do të ndreqin ose prishin ditën tonë në kuptimin e ofrimit të shërbimeve për makinën tuaj, për mirëfunksionimin e saj teknik; për kuzhinën tuaj, që i janë prishur disa doreza e mbajtëse; për banjën që rrjedh herë pas here apo për pllakat që sikur lëvizin nga vendi; për dorezën e derës që s’kuptoni pse është liruar apo për prizat që herë lëshojnë xixa e herë nuk përcjellin rrymë; për kompletin e ri të dhomës së ndenjjes që ndryshe e porositët, e të pakënaqur jeni me këndet, ngjyrën, format apo cilësinë kur ua sollën në shtëpi; për kostumet që akoma kanë defekt në kthim apo në hekurosje; për lavatriçen që vazhdon të mos e thithë zbutësin, edhe pse tri herë e keni ndërruar ustain; për pastërtinë e paqenë në dhomën e hotelit, edhe pse disa herë i keni kërkuar stafit të ketë kujdes dhomën, ta gjeni më të pastër e me televizor të rregulluar; për ushqimin që ua sjellin sikur e keni borxh e për pijet që jo gjithmonë i shijoni pas një shërbimi të ashpër, të gabuar apo thjesht të vonuar. Aftësitë për të shërbyer cilësisht nuk janë thjesht të lindura. Ato fitohen, por, mbi të gjitha, fillimisht, duhen mësuar. Aftësitë bazë për të gjitha degët profesionale mësohen pikërisht në dy vitet e para të sistemit të ri të shkollave profesionale. Në to sot ka investim, mbështetje dhe zhvillime që ndiqen me interes nga nxënësit, stafet e këtyre shkollave, Ministria e Arsimit, nga projektet e shumta ndërkombëtare që mbështesin këtë hallkë të arsimit, por edhe nga komuniteti i biznesit, që përherë e më shumë po ndërgjegjësohet se te këto shkolla është burimi i tyre i vërtetë për kontingjent të rinjsh të kualifikuar ndryshe.
Një krahasim i thjeshtë: nëse provimet e Maturës Shtetërore zgjasin disa orë për një gjysmë dite, provimi për të kaluar nivelin e parë të degës së Instalimit të Sistemeve Thermo-Hidraulike zgjat plot dy ditë. Me nga tetë orë secila. Po. Kështu po zhvillohet provimi në datat 16 dhe 17 qershor në të gjitha shkollat e vendit që ofrohet kjo degë, me një metodë gjithaq të re mësimi që quhet “Të nxënit bazuar në projekte”. Nuk ka mësime e kapituj. Ka miniprojekte mësimore, që nxënësit i mësojnë teorikisht dhe zbërthejnë praktikisht gjatë dy viteve, për t’u aftësuar fillimisht si ndihmës në profesionin e tyre. Sistemi lejon kualifikim të mëtejshëm, por jep edhe mundësinë e daljes në tregun e punës për ata që nuk munden të vazhdojnë më tej. Metoda është transformuese që në koncept. “Të nxënit me bazë projekti” quhet, teksa Shqipëria prej dekadash fokusohet në “Planin mësimor”. Thelbësor ndryshimi: njëra bazohet te mësimi, tjetra te nxënia. Njëra ka në fokus mësuesin, tjetra nxënësin. Ndaj, provimi për degën e Thermo-Hidraulikës, që është konceptuar, mbështetur e çuar deri në fund nga projekti zviceran “AlbVET”, është i vështirë për t’u neglizhuar. Ai është një risi që sjell në shkolla e në treg profesionistë të kualifikuar në mënyrë cilësore.
Fokusi tek arsimi i lartë ka ngecur te sasia; numri i studentëve, numri i universiteteve, numri i pranimeve, numri i provimeve, i diplomave, i dhjetave, i degëve të reja etj., etj. Kurse në anën tjetër, në heshtje të plotë mediatike, arsimi i mesëm profesional, nën trysni, përpjekje e pikëpyetje të mëdha, vazhdon betejën me cilësinë. Nxënësit që hedhin këto ditë provimin e Hidros do të instalojnë nesër sistemet tona të ngrohjes, ftohjes, rrjedhjes etj. Provimi i tyre, performanca, përgatitja profesionale, janë po aq të rëndësishme për mbarëvajtjen e përditshmërisë sonë sa edhe provimet e maturës. Ndaj sot, duke i përshëndetur për zgjedhjen e bërë, është rasti edhe të shpresojmë për njerëz më të kualifikuar në treg, për shërbime më të mira dhe për vëmendje më të madhe ndaj atyre prej të cilëve i presim këto shërbime. Tek e fundit, prej këtyre shërbimeve varemi të gjithë. Juristët, mjekët dhe ekonomistët e ardhshëm nuk kanë për të na i ofruar edhe këto.
Ndaj, suksese të gjithë nxënësve që hedhin provimet e nivelit të parë në shkollat profesionale!

© Panorama.al

Te lidhura