
Sulmuesi shkodran shënoi dje në Ligën e Kampioneve të kontinentit aziatik.
“Mahnitëse, nëse do luaj për Shqipërinë kundër Iranit”
Xhevahir Sukaj nuk ndalet, shënon sërish për Sepahanin. Sulmuesi shkodran realizoi dje golin e parë në fitoren 2-1 ndaj Al Ahlit. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Azisë, teksa skuadra iraniane ku bën pjesë lojtari shqiptar synon kualifikimin për në turin çerekfinal.
Për sulmuesin, ky ishte goli i katërt me fanellën e Sepahanit. “Ndihem shumë i lumtur, pasi po luaj si titullar dhe po shënoj. Sot (dje) ishte një ndeshje larg presionit, sepse të dyja skuadrat ishin të kualifikuara. Pas kësaj fitoreje e mbyllëm në krye të grupit C. Tashmë më 21 maj kemi një ndeshje shtesë, nga ku do të varet përfundimisht edhe kualifikimi ynë për në çerekfinale. Është diçka shumë e bukur të luash në këtë kompeticion. Këtu është vërtet një futboll me nivel të lartë dhe personalisht ndihem me fat që jam pjesë e Sepahanit. E përsëris, të luash këtu nuk është pak”,- deklaroi fillimisht Sukaj, në një bisedë telefonike për “Panorama Sport”. Dje, sulmuesi shënoi në minutën e 19-të, pas një goditjeje të fuqishme në afërsi të zonës. Ndërkohë, në minutën e 52-të ai u zëvendësua. Në sezonin e tij të parë, Sukaj u shpall kampion me Sepahanin. “Dua të qëndroj, por edhe ofertat s’më kanë munguar. Së fundmi më kanë kontaktuar përfaqësues të Al Shabab, që është pjesë e kampionatit të Emiratave të Bashkuara Arabe. Gjithsesi, mundësitë më të mëdha janë që edhe sezonin e ardhshëm të vazhdoj të luaj me Sepahanin”,- thotë më tej sulmuesi për sa i përket të ardhmes. Shqipëria luan më 27 maj një ndeshje miqësore me Iranin në Stamboll. Në këtë kontekst, duke qenë se luan pikërisht në kampionatin e këtij vendi, Xhevair Sukaj uron dhe kërkon që të jetë pjesë e skuadrës sonë përfaqësuese në këtë takim. “Shpresoj të marr një ftesë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Nëse grumbullohem për miqësoren ndaj Iranit, do të jetë diçka shumë e veçantë. Do ishte mbi të gjitha një vlerësim i madh për mua, teksa jam i vetmi lojtar shqiptar që luaj në kampionatin iranian. Besoj se meritoj një ftesë, pasi aktualisht jam edhe në formën time më të mirë”. Ndërkohë, sulmuesi flet edhe për njohuritë që ka në lidhje me Kombëtaren e Iranit. “Është një ekip i fortë fizikisht. Loja e tyre bazohet te ana fizike, ndërkohë që mund t’ju them se kam katër lojtarë te Sepahani, të cilët janë pjesë e rregullt e formacionit të Iranit. Te kjo kombëtare luajnë edhe lojtarë, të cilët janë pjesë e klubeve si Volfsburg e Osasuna. Yjet e ekipit janë Ali Karimi dhe Mohamed Khalatbari. Ky i fundit cilësohet edhe si Mesi i Azisë. Është pjesë e skuadrës Al Vasl, që drejtohet nga i madhi Maradona në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tregon lojtari 24-vjeçar për përfaqësuesen e Iranit.
Lala, në miqësoren e Hanover
Lamtumira madhështore në javën e fundit të Bundesligës, në fitoren 2-1 ndaj Kaizerslauternit në Hanover, ishte vetëm ajo zyrtare për Altin Lalën, pasi ish-kapiteni shqiptar i Hanoverit luajti në pjesën e dytë të ndeshjes miqësore në fushën e TSV Dajnzen (Deinsen), skuadër e kategorisë së shtatë. Këtë miqësore Hanoveri e fitoi 12-1 dhe Lala (në foto) i dha fund aventurës së tij 14-vjeçare, këtë herë me fanellë jeshile dhe jo të kuqe.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











