
Xhevahir Sukaj është heroi i skuadrës së Iranit. Bomberi shkodran i ka dhënë fitoren skuadrës kryeqytetase, megjithëse e ka nisur ndeshjen nga stoli. Ai është aktivizuar në pjesën e dytë të takimit kundër Fajr Sepasit dhe në minutën e 86-të ka realizuar golin e vetëm të sfidës, duke u dhuruar tri pikë të çmuara të tijve. “Jam i lumtur, sepse vinim pas dy humbjesh dhe skuadra ishte në tension. E nisa ndeshjen nga stoli dhe u mërzita pak për këtë, por tani kaloi dhe jam vërtet shumë i lumtur golin”, – ka thënë futbollisti për “Panorama Sport”. I pyetur nëse kishte marrë ftesë nga Kombëtarja, ai u përgjigj: “Unë e pres një ftesë nga De Biazi, çdo gjë është në dorën e tij. Por edhe nëse nuk marr ftesë, i uroj ekipit përfaqësues që të marrë 6 pikët në dy ndeshjet e ardhshme”. Ndërkaq, në këtë takim ka debutuar edhe Ervin Bulku, mesfushori kuqezi që u transferua pak javë më parë te klubi i Sepahanit. Bulku ka luajtur gjatë gjithë minutave dhe ka qenë një ndër më të dalluarit në fushën e lojës. Titullari i përfaqësueses sonë nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me Sepahanin.
Cana, OK
Lorik Cana nuk ka ndonjë problem serioz, edhe pse do të mbahet nën kontroll të rreptë nga mjekët. Stafi mjekësor i Lacios ka bërë të ditur se lojtari nuk do të luajë sot në ndeshjen kundër Muras, por mund të kthehet në fundjavë në ndeshjen e kampionatit. Kjo do të thotë se ai do të jetë i gatshëm edhe për dy sfidat e radhës të Shqipërisë. Mungesa e kapitenit mund të prishte të gjitha planet e trajnerit De Biazi për mbrojtjen e skuadrës sonë përfaqësuese, por fatmirësisht Cana do të jetë në skuadër.











